Ky shkrim është jashtëzakonisht i detajuar dhe i mbështetur në fakte, data dhe ngjarje konkrete. Ai përshkruan deri në hollësitë më të imta zhvillimet e demonstratave të viteve 1981–1982: kush ua mori armët forcave policore, çfarë armësh kishin, si i zunë pozicionet dhe si i çarmatosën rezervistët e ardhur nga Beogradi për të shtypur demonstruesit paqësorë në Kosovë.
Në këtë shkrim përfshihen edhe emrat dhe kërkesat e pjesëmarrësve në demonstrata, arrestimet, burgosjet dhe dënimet. Përmenden emrat e gjyqtarëve dhe anëtarëve të trupit gjykues, nenet ligjore mbi të cilat u shqiptuan dënimet deri në 15 vjet burg, si dhe dënimet prej 8 dhe 10 vjetësh për të miturit.
Autori, Ahmet Qeriqi, ka lënë një dokumentim të plotë të ngjarjeve të viteve 1981–1982, duke shpjeguar edhe qëllimin politik e kombëtar të këtyre protestave dhe synimin e tyre për të çuar përpara çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare nga Jugosllavia.
Kërkesat dhe parullat e asaj kohe ishin të qarta: “Kosova Republikë” dhe “Ja me hatër, ja me luftë!”
E gjithë kjo vlerë dokumentare na është lënë e gatshme nga Ahmet Qeriqi, për ne dhe për brezat që vijnë.
Ashtu siç i ka përjetuar, parë dhe dokumentuar autori, këto ngjarje dëshmojnë edhe për zhvillimin e një procesi historik, nga i cili më vonë do të lindnin grupet guerile dhe organizimet e armatosura për çlirimin e Kosovës.
Ahmet Qeriqi nuk ishte vetëm studiues dhe dokumentues i këtyre ngjarjeve. Ai ishte vetë organizator dhe pjesëmarrës në revoltat e asaj kohe. Pas vitit 1982, për më shumë se një vit, u detyrua të vepronte në ilegalitet të thellë.
Ahmeti ishte personalitet i veçantë në të gjitha etapat e jetës dhe të ngjarjeve kombëtare. Ai luftoi edhe me armë në radhët e UÇK-së për çlirimin e vendit.
Ai i përmbushi shumë nga idealet e jetës së tij dhe u largua nga kjo jetë duke na lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme shkrimesh, dokumentesh, sqarimesh dhe porosish.
Na la pasardhës të mrekullueshëm, të edukuar dhe të përkushtuar për ta ndjekur rrugën dhe idealet e tij.
Krenar me familjen dhe me Ahmetin, që patëm fatin ta njohim, të bashkëjetojmë dhe të luftojmë së bashku për liri.
Lavdi jetës dhe veprës së tij!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
