Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar politikat ekonomike të Qeverisë Kurti, duke thënë se rritja e vazhdueshme e çmimeve ka rënduar ndjeshëm jetën e qytetarëve dhe buxhetin e familjeve në Kosovë. Përmes një reagimi në Facebook, Hoti ka deklaruar se, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kostoja e jetesës gjatë pesë viteve të fundit është rritur mesatarisht për 45 për qind, ndërsa çmimet e shumë produkteve të konsumit familjar janë gati dyfishuar. Ai ka vlerësuar se shifrat e prezantuara nga Qeveria për rritjen ekonomike dhe buxhetin nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht gjendjen reale ekonomike të qytetarëve. Sipas Hotit, suksesi ekonomik duhet të matet me fuqinë blerëse dhe mundësinë e familjeve për të përballuar shpenzimet e përditshme, e jo vetëm me shifrat buxhetore. Ai ka theksuar se debati parlamentar për buxhetin e viteve 2027–2029 duhet të përqendrohet në rritjen e kostos së jetesës, përgjegjësinë institucionale dhe masat që mund të ndërmerren për lehtësimin e barrës ekonomike mbi qytetarët. Hoti ka kritikuar atë që e ka cilësuar propagandë për sukses ekonomik, duke thënë se shifrat miliardëshe nuk e zgjidhin problemin e familjeve që përballen çdo ditë me çmime të larta në treg.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
