Të paktën 64 rrugë alternative që lidhin veriun e Kosovës me Serbinë vazhdojnë të jenë të kalueshme, më shumë se tre vjet pas sulmit të armatosur në Banjskë. Këto rrugë përdoren kryesisht për kontrabandimin e mallrave, duke shmangur pikat zyrtare kufitare dhe kontrollet doganore. Sipas një raportimi të Radio Evropa e Lirë, përmes këtyre kalimeve ilegale në Kosovë futen materiale ndërtimore, produkte ushqimore, cigare, veshmbathje, pajisje elektrike dhe produkte farmaceutike. Policia e Kosovës konfirmon se rrugët alternative identifikohen dhe vlerësohen vazhdimisht, por mbyllja e të gjitha kalimeve paraqet vështirësi, pasi në terren hapen vazhdimisht rrugë të reja. Pas sulmit në Banjskë, Policia kishte mbyllur më shumë se 20 të tilla. Rëndësia e kontrollit të këtyre rrugëve lidhet edhe me sigurinë, pasi, sipas autoriteteve të Kosovës dhe aktakuzës për rastin e Banjskës, përmes tyre ishin futur armët e përdorura në sulmin e shtatorit 2023. Po ashtu, rrugët shërbyen për tërheqjen e grupit të armatosur. Vetëm më 22 tetor, në një aksion kundër kontrabandës në veri, dhjetë persona u shoqëruan për intervistim, ndërsa u sekuestruan mallra në vlerë mbi 200 mijë euro. Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se nga janari i vitit 2024 deri në tetor të vitit 2026 ka trajtuar 106 raste të kontrabandës së mallrave. Për 81 prej tyre është marrë një epilog, ndërsa në shumicën janë ngritur aktakuza. Eksperti i sigurisë, Mentor Vrajolli, vlerëson se këto rrugë duhet të mbyllen për të parandaluar, veçanërisht, kontrabandimin e armëve. Ai kërkon bashkëpunim më të madh ndërmjet Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe institucioneve të tjera të sigurisë. Ndërkaq, KFOR-i thekson se ekzistenca e një rruge alternative nuk nënkupton domosdoshmërisht se ajo përdoret për veprimtari të paligjshme, duke rikujtuar se përgjegjësinë kryesore për zbatimin e ligjit e ka Policia e Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
