Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka drejtuar akuza të rënda ndaj menaxhimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), duke ngritur dyshime për punësime politike, keqmenaxhim dhe shpërfillje të problemeve me të cilat përballen punëtorët e kësaj ndërmarrjeje publike.
Përmes një reagimi publik, Ymeri ka pretenduar se vetëm gjatë vitit 2025 në KEK janë punësuar 777 persona të rinj, duke vënë në pikëpyetje kriteret e rekrutimit dhe nevojën reale për këto punësime. Ajo ka aluduar se rekrutimet janë shfrytëzuar edhe për interesa partiake, duke i ndërlidhur me rezultatet zgjedhore në Obiliq dhe Fushë Kosovë.
Sipas deputetes së LDK-së, numri i madh i të punësuarve të rinj nuk është reflektuar në fuqizimin e sektorëve të prodhimit. Ajo thotë se ka pranuar ankesa nga punëtorë me përvojë, të cilët shprehin pakënaqësi për mungesën e stafit në proceset prodhuese, ndërkohë që rekrutimet kanë vazhduar.
Për të ilustruar këtë gjendje, Ymeri ka publikuar një ankesë që pretendon se e ka marrë nga punëtorët e vjetër të korporatës.
“Nuk kemi punëtorë në prodhim, sepse punëtorët e pranuar nga Vetëvendosja nuk punojnë, janë bossa”, ka cituar ajo ankesën e një punëtori.
Përveç punësimeve, Ymeri ka ngritur edhe çështjen e vdekjes së katër personave në KEK gjatë këtij viti, si dhe pakënaqësive të punëtorëve, të cilat, sipas saj, kanë kulmuar me organizimin e grevave. Këto zhvillime, sipas deputetes, dëshmojnë për probleme serioze në menaxhimin dhe trajtimin e punonjësve të ndërmarrjes.
Ajo ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mungesë të përgjegjësisë ndaj gjendjes në KEK, duke vënë në kontrast pretendimet për privilegje dhe shpenzime të zyrtarëve me kushtet në të cilat punojnë punëtorët e korporatës. Në këtë kontekst, ajo ka përmendur edhe pushimet në Paris, duke ngritur pikëpyetje për përdorimin e parasë publike.
“Nuk është kjo shembje e shtetit dhe pirje e djersës së punëtorit?!”, ka përfunduar Ymeri reagimin e saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
