Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesën e investimeve në kapacitetet e reja prodhuese të energjisë elektrike, duke vënë në pah shumën prej 1 miliard e 55 milionë eurosh të shpenzuara për importin e rrymës nga viti 2021 deri në tetor të vitit 2026.
Ramadani ka theksuar se kjo shumë do të mund të përdorej për ndërtimin e një termocentrali të ri, i cili do të zvogëlonte varësinë e Kosovës nga importi dhe do të rriste sigurinë e furnizimit me energji.
“Janë hiç më pak se 1 miliard e 55 milionë euro që është blerë rrymë për këto pesë vjet e gjysmë. A e dini që me 1 miliard euro, pothuajse, ishte ndërtuar komplet një termocentral i ri?”, ka deklaruar ai.
Duke iu referuar shpenzimeve të 12 nëntorit, deputeti ka bërë të ditur se vetëm atë ditë Kosova ka paguar 938 mijë euro për importin e energjisë elektrike, shumë të cilën e ka cilësuar si relativisht të ulët krahasuar me ditët e tjera.
Kritikat e tij janë përqendruar edhe te ndërprerja e kontratës me kompaninë ContourGlobal për ndërtimin e termocentralit të ri me kapacitet prej 500 megavatësh. Sipas Ramadanit, vendimi për mbylljen e këtij projekti e ka privuar Kosovën nga mundësia për të siguruar kapacitete të reja të prodhimit vendor.
“Pse nuk u ndërtua një termocentral i ri? Kjo qeveri, prej vendimeve të para kur ka ardhur në pushtet, ka qenë për ta mbyllur projektin për termocentralin e ri. Me këtë e ka mbyllur mundësinë që Kosova të ketë rrymë të mjaftueshme për vete”, është shprehur Ramadani.
Ai ka kërkuar që Qeveria të raportojë në Kuvend për vonesat dhe dështimet në projektet energjetike, si dhe të sqarojë se çfarë masash konkrete planifikon të ndërmarrë për rritjen e prodhimit vendor.
Sipas tij, qytetarët nuk duhet të vazhdojnë të përballen me pasiguri në furnizimin me energji elektrike dhe me shpenzime gjithnjë e më të larta për energjinë. Ramadani ka kërkuar llogaridhënie për mungesën e rezultateve në këtë sektor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
