Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurve në rastin e rezervave shtetërore, duke i hapur rrugë vazhdimit të shqyrtimit gjyqësor ndaj ish-ministres Rozeta Hajdari, Ridvan Muharremit dhe dy të pandehurve të tjerë. Me këtë vendim, Apeli ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte vendosur që çështja penale të vazhdojë në gjykim.
Vendimi i Apelit vjen pas ankesave të mbrojtjes, e cila kishte kundërshtuar aktvendimin e shkallës së parë. Megjithatë, Departamenti Special i Gjykatës së Apelit i ka vlerësuar ato si të pabazuara, duke konstatuar se vendimi i Themelores është në pajtim me dispozitat e procedurës penale dhe mbështetet në provat e dëshmitë e administruara në këtë fazë të procedurës.
“Apeli, pas shqyrtimit të shkresave dhe pretendimeve të palëve në ankesë, ka vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë është nxjerrë në pajtim me dispozitat e procedurës penale, si dhe në mbështetje të provave dhe dëshmive që përmban çështja penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Në aktvendimin e vërtetuar, të nxjerrë më 13 mars 2026 nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, Rozeta Hajdari, si ish-ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe dy personat me inicialet I.L. dhe H.G., ngarkohen me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje. Ndërkaq, Ridvan Muharremi ngarkohet për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre.
Në këtë çështje penale përfshihen edhe dyshimet për zbulim të fshehtësisë zyrtare, për të cilat, sipas aktvendimit, ngarkohen disa nga të pandehurit.
Refuzimi i ankesave nuk përbën vendim përfundimtar mbi fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve, por nënkupton se pretendimet e mbrojtjes nuk kanë ndryshuar vendimin procedural të shkallës së parë dhe se rasti do të vazhdojë në shqyrtim gjyqësor. Të pandehurit gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës./ metro/
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
