Profesori Abit Hoxha ka shprehur pritje të ulëta për zhvillimet ligjore dhe diplomatike në procesin e apelit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke kërkuar mobilizim më të madh të shoqërisë kosovare në mbështetje të mbrojtjes. Hoxha ka theksuar se përparësi duhet t’i jepet mbështetjes financiare dhe intelektuale për ekipet mbrojtëse, në mënyrë që ato të kenë mundësi ta zhvillojnë sa më mirë procesin e apelit. “Pritjet e mia në aspektin ligjor dhe diplomatik janë shumë të ulëta. Çka do të prisja prej këtij komisioni është një mobilizim i skajshëm i shoqërisë kosovare, së pari në mënyrë financiare, së dyti në mënyrë intelektuale, që t’i jepet mundësia mbrojtjes ta performojë punën e saj më të mirë”, ka deklaruar Hoxha. Ai ka kritikuar edhe kufizimin e fondeve për mbrojtjen nga Ministria e Drejtësisë, duke iu referuar rastit të Haxhi Shalës, ndërsa ka vlerësuar se në Kosovë duhet të bëhet dallimi ndërmjet përgjegjësisë individuale penale dhe luftës së UÇK-së. Sipas tij, komisioni duhet të sigurojë fillimisht mbështetjen e nevojshme për mbrojtjen dhe më pas të intensifikojë angazhimin diplomatik, me fokus të veçantë në Bruksel. “Terreni kryesor i kësaj beteje është në Bruksel për momentin. Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës nuk ka marrëdhënie shumë të mira me Brukselin”, ka theksuar Hoxha
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
