Aktgjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të akuzuarve të tjerë në rastin e administrimit të drejtësisë në Dhomat e Specializuara në Hagë, pritet të shpallet të martën, më 17 nëntor, nga ora 10:00. Përveç Thaçit, në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Sipas aktakuzës së konfirmuar më 29 nëntor 2024, të pandehurit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendimet për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte. Prokuroria pretendon se, nga 12 prilli deri më 2 nëntor 2023, Thaçi u kishte përcjellë të akuzuarve informacione konfidenciale për dëshmitarët dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre. Për këtë rast, Prokuroria ka kërkuar dënimin e Thaçit me gjashtë vjet burgim, duke kërkuar që koha e kaluar në paraburgim të mos i llogaritet në dënimin e mundshëm. Ndryshe, më 16 shtator 2026, Thaçi u dënua me 25 vjet burgim në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
