Ardian Gjini: Qeverina po e lë Kosovën në duart e mafisë energjetike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për neglizhencë dhe mungesë kompetence në menaxhimin e sektorit energjetik, duke paralajmëruar se vendi po përballet me rrezikun e një krize të rëndë të furnizimit me energji elektrike.
Pas mbledhjes së kryesisë së AAK-së, në një konferencë për media, Gjini tha se partia e tij kishte paralajmëruar që nga korriku për vështirësitë që mund ta përfshinin Kosovën në sektorin e energjisë. Ai ia atribuoi përgjegjësinë për gjendjen aktuale Qeverisë, duke e akuzuar për neglizhencë, jokompetencë dhe korrupsion.
“Prej korrikut e kemi paralajmëruar popullin e Kosovës që kemi me ardhë në një situatë të rëndë energjetike, gati deri në kolaps. Kanë provuar me na demantu […] Fajet janë krejt në Prishtinë, krejt te Qeveria e Kosovës, për shkak të neglizhencës, për shkak të jokompetencës dhe për shkak të korrupsionit”, deklaroi Gjini.
Ai kritikoi edhe vendimin për ndalimin e importit të energjisë elektrike nga Serbia, duke pretenduar se ky veprim po përdoret për ta zhvendosur vëmendjen e qytetarëve nga problemet e brendshme. Sipas tij, Kosova ka importuar pak energji drejtpërdrejt nga shteti serb, por një pjesë e kompanive të licencuara në Prishtinë për importin e energjisë, siç pretendoi ai, janë me origjinë ose kontrollohen nga Serbia.
Gjini ngriti shqetësimin edhe për ndërprerjen e projekteve që, sipas tij, do të mundësonin rritjen e kapaciteteve vendore të prodhimit dhe uljen e varësisë nga importi. Ai akuzoi Qeverinë Kurti se, për shkak të mungesës së investimeve, po e lë vendin nën ndikimin e grupeve që i cilësoi si “mafi energjetike”, për të cilat pretendoi se kanë lidhje edhe me vetë pushtetin.
Kreu i AAK-së kritikoi ekzekutivin edhe për gjendjen në shëndetësi, arsim, infrastrukturë dhe prodhimtari. Ai përmendi gjithashtu projektin e hekurudhës Prishtinë–Durrës, duke pretenduar se Qeveria nuk ka ndarë mjete financiare për realizimin e tij.

Kontrolloni gjithashtu

Nasim Haradinaj: Kurti përfitoi politikisht nga situata e ish-krerëve të UÇK-së

Dënimi i dytë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, me një vit e pesë muaj burgim, ka …