Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti Selimi, ka reaguar pas aktgjykimit të shpallur dje në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë për pengim të drejtësisë, duke e cilësuar vendimin të padrejtë dhe të papranueshëm. Bashkëshortja e Rexhep Selimit ka deklaruar se me këtë vendim, sipas saj, në Dhomat e Specializuara ka ndodhur një tjetër përshkallëzim i padrejtësisë. Në reagimin e saj, Mehmeti Selimi ka përmendur edhe dënimet e mëparshme ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK-së dhe personave të tjerë, si dhe aktgjykimin e 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit. “Ashtu siç ishte i padrejtë dënimi i H. Gucatit, N. Haradinajt, H. Shalës, S. Jonuzajt, I. Bahtjarit, P. Shalës dhe S. Mustafës, ashtu siç ishte e padrejtë edhe shpallja fajtorë e krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli, më 16 shtator të këtij viti, po ashtu edhe dënimi i sotëm i H. Thaçi, F. Fazliu, B. Smakaj dhe H. Kuqi është i padrejtë dhe i papranueshëm”, ka shkruar ajo. Mehmeti Selimi ka bërë thirrje që përpjekjet për drejtësi të vazhdojnë edhe në fazat e tjera të procedurave gjyqësore. Ajo gjithashtu ka uruar Isni Kilajn dhe familjen e tij pas shpalljes së pafajësisë dhe lirimit të tij.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
