Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër Qeverinë lidhur me pretendimet për krijimin e 100 mijë vendeve të reja të punës, duke vënë në pikëpyetje saktësinë e këtyre deklarimeve. Bajrami ka publikuar shifra që, sipas saj, dëshmojnë se rritja e numrit të kontribuuesve në Trustin Pensional gjatë periudhës 2017–2021 ishte më e madhe sesa në katërvjeçarin 2021–2025. Sipas të dhënave që ajo ka paraqitur, në periudhën 2017–2021 numri i kontribuuesve në Trust është rritur për 51 mijë, ndërsa gjatë viteve 2021–2025 rritja ka qenë 42 mijë. Bajrami pretendon se dallimi prej 9 mijë kontribuuesish është në favor të periudhës së qeverisjes paraprake, ndonëse ajo përfshinte edhe kohën e pandemisë. Duke iu referuar këtyre shifrave, deputetja e LDK-së e ka cilësuar si propagandë deklarimin e Qeverisë për 100 mijë vende të reja pune dhe ka kërkuar që të dëshmohet se ku janë këto vende pune të pretenduara. “Lëreni propagandën për punësim, tregoni ku janë ato 100 mijë vende pune? Se në Trust nuk po figurojnë!”, ka shkruar Bajrami. Përmes këtij reagimi, ajo ka vënë në pikëpyetje raportin ndërmjet deklarimeve të Qeverisë për sukseset në punësim dhe shifrave të kontribuuesve në Trustin Pensional, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie për pretendimet e bëra publike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
