Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar zvarritjen e veprimeve institucionale lidhur me Gjykatën Speciale, duke e cilësuar të gabuar si tërheqjen e Ligjit për këtë gjykatë, ashtu edhe vonesat në trajtimin e tij. Megjithatë, deklaratat e tij ngrenë një pyetje të pashmangshme: pse, përkundër kalimit të dy muajve nga 16 shtatori, Kosova ende nuk ka arritur të ndërtojë një veprim diplomatik të koordinuar dhe konkret? Hoxhaj ka vlerësuar se beteja me Gjykatën Speciale nuk mund të kufizohet vetëm në çështjen e ligjit, por duhet të shtrihet edhe në rrafshin ndërkombëtar, përmes angazhimit diplomatik në Washington, Londër, Berlin, Bruksel, Paris dhe Romë. “Gabim ka qenë tërheqja dhe gabim është zvarritja. Ligji nuk është beteja e vetme që ne kemi me Gjykatën Speciale. Përtej ligjit, duhet të kemi edhe veprime konkrete diplomatike, ta vizitojmë Washingtonin, Londrën, Berlinin, Brukselin, Parisin dhe Romën. Lufta jonë e UÇK-së është e pastër dhe e drejtë. Liria jonë nuk është krim dhe pavarësia jonë nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale”, ka deklaruar Hoxhaj. Ai ka rikujtuar se qëndrimi i shprehur përmes votimit të para disa javëve ishte se Gjykata Speciale ka tejkaluar mandatin e saj, duke kërkuar që ky qëndrim të mos mbetet vetëm në nivel deklarativ. “Nga 16 shtatori deri më sot kanë kaluar dy muaj dhe krejt çka është efikase dhe në fuqi është Deklarata e Kuvendit. Kemi humbur shumë kohë. Unitetin që e kemi treguar me 88 vota, atë unitet duhet ta ruajmë”, ka theksuar ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
