Isni Kilaj ka përshkruar mënyrën se si organizohej jeta e përditshme në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, duke zbuluar detaje për aktivitetet sportive, kohën e leximit dhe rutinën e të paraburgosurve, përfshirë edhe ish-krerët e UÇK-së. Kilaj ka treguar se të paraburgosurit kishin në dispozicion nga një orë për qëndrim në ajër të pastër dhe për aktivitete sportive në një sallë të posaçme, ku mund të ushtronin fitnes, të luanin basketboll ose tenis. Ai ka zbuluar se në mesin e bashkëlojtarëve të tij në tenis ishin edhe ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Sipas tij, grupet nuk ishin të përhershme, por ndryshonin varësisht nga organizimi i aktiviteteve. “Futboll nuk kemi luajtur. Shpesh kam luajtur bashkë me Thaçin, por edhe me Veselin. Haxhia ka qenë aty. Nuk kemi pasur një ekip të veçantë, kemi luajtur dhe jemi ndërruar herë pas here. Rexha dhe Cali kanë qenë të mirë në tenis”, ka deklaruar Kilaj. Përtej aktiviteteve fizike, leximi ishte një tjetër mënyrë për ta shfrytëzuar kohën e qëndrimit në paraburgim. Kilaj ka veçuar veçanërisht interesimin e Thaçit për librat, duke treguar se ai kishte krijuar një bibliotekë të vogël në qelinë e tij. “Thaçi e ka edhe një mini-bibliotekë të vetën, një dhomë në qendrën e paraburgimit, një qeli që e ka të mbushur me libra, sepse ka lexuar tërë kohën”, ka rrëfyer ai. Duke folur për orarin ditor, Kilaj ka bërë të ditur se nga ora 07:00 deri në 12:00 kishin kohë të lirë, gjatë së cilës mund të shfrytëzonin hapësirat sportive ose të qëndronin në ajër të pastër. Nga mesdita deri në orën 13:00 qëndronin të mbyllur në qelitë e tyre, ndërsa prej orës 13:00 deri në 17:00 kishin sërish mundësi për aktivitete jashtë qelive. Një pjesë e rutinës përfshinte edhe përgatitjen e ushqimit, të cilin të paraburgosurit e gatuanin vetë, herë së bashku e herë duke u ndarë me radhë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
