Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar me një mesazh emocionues pas vizitës katërditore të Jakup Krasniqit në Kosovë, duke shprehur shqetësimin për gjendjen e ish-kryeparlamentarit dhe trajtimin e tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Përmes një postimi në Facebook, Gucati e ka cilësuar Krasniqin si një figurë që ia kushtoi jetën Kosovës, lirisë dhe dinjitetit kombëtar, ndërsa ka kritikuar faktin që ai, edhe në rrethana të vështira familjare, vazhdon të jetë i privuar nga liria. Gucati ka vënë theks të veçantë te kufizimet me të cilat përballet Krasniqi në raportet me familjen, duke e cilësuar të dhimbshme situatën në të cilën ndodhet një njeri që, sipas tij, dha gjithçka për vendin. Ai ka bërë të ditur se vizita e fundit në Kosovë ishte mundësuar për të qëndruar pranë bashkëshortes së tij, Sevdije Krasniqi, e cila po përballet me probleme shëndetësore. Me këtë rast, kreu i OVL-UÇK-së i ka uruar asaj shërim të shpejtë, duke vlerësuar qëndresën dhe sakrificën e saj ndër vite. “Këto ditë ai ndodhet në Kosovë për vizitë pranë bashkëshortes së tij, zonjës Sevdije, e cila nuk është mirë me shëndet. Një grua e fortë, e palodhur dhe e devotshme, e cila ka mbajtur mbi supe peshën e sakrificave të pafundme. Me gjithë zemër i urojmë zonjës Sevdije shëndet të plotë dhe shërim sa më të shpejtë. Zoti e forcoftë dhe e mbroftë”, ka shkruar Gucati. Ai ka shprehur gjithashtu shpresën se proceset gjyqësore në Hagë do të përfundojnë dhe se, sipas tij, e vërteta e luftës çlirimtare të Kosovës nuk do të mbulohet nga padrejtësia. “Me të njëjtën shpresë e besim të palëkundur, urojmë dhe presim që padrejtësia ndaj Bacit Jakup dhe ndaj të gjithë çlirimtarëve tanë në Hagë të marrë fund sa më shpejt. E vërteta e luftës sonë të drejtë e të pastër nuk mund të mbulohet përgjithmonë nga padrejtësia!”, ka theksuar Gucati.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
