Gjermania ka konfirmuar se është në koordinim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s për të ardhmen e misionit paqeruajtës KFOR, por nuk ka sqaruar nëse është diskutuar mundësia e reduktimit të kontingjentit amerikan në Kosovë.
Një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se forcat amerikane luajnë rol të rëndësishëm në KFOR, ndërsa hollësitë e planifikimit nuk mund të bëhen publike për arsye sigurie. Çështja është rikthyer në vëmendje pas konsultimeve të 17 nëntorit në Bruksel, ku aleatët e NATO-s diskutuan me zyrtarin e lartë të Pentagonit, Elbridge Colby, për rishikimin e pranisë ushtarake amerikane në Evropë. Colby ka thënë se procesi pritet të përfundojë deri më 1 dhjetor, duke theksuar se rishpërndarja e forcave amerikane në përputhje me nevojat globale nuk nënkupton tërheqjen e SHBA-së nga Evropa. Sipas një burimi anonim të REL-it, ekziston një plan për reduktimin e ndjeshëm të pranisë amerikane në Kosovë, nga rreth 650 ushtarë aktualisht në afërsisht 50 deri në shkurt të vitit 2028. Megjithatë, REL thekson se nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë informacion, ndërsa SHBA-ja dhe NATO-ja nuk kanë njoftuar publikisht për një plan të tillë.
Në qershor, Komanda Evropiane e SHBA-së kishte konfirmuar se kontributi amerikan në KFOR do të përshtatet gradualisht, në përputhje me planet e NATO-s dhe vlerësimet e rrezikut, pa specifikuar numrin e trupave që mund të preken.
Ndërkohë, NATO-ja ka paralajmëruar përshtatjen graduale të pranisë së saj në Kosovë, me synimin e kthimit në nivelet e para vitit 2023. Në tetor, misioni kishte rreth 4.600 ushtarë nga vendet anëtare dhe partnere. Aleanca ka theksuar se çdo ndryshim do të varet nga situata e sigurisë dhe se trupat mund të përforcohen sërish nëse rrethanat e kërkojnë.
Gjermania, e pyetur nëse do ta shtonte praninë e saj në rast të reduktimit amerikan, nuk ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë. Aktualisht, Parlamenti gjerman ka autorizuar dislokimin e deri në 400 ushtarëve në kuadër të KFOR-it.
Shtetet e Bashkuara janë të pranishme në Kosovë që nga viti 1999 dhe udhëheqin Komandën Rajonale Lindje të KFOR-it, me seli në kampin Bondsteel, afër Ferizajt. Pavarësisht rishikimit të pranisë ushtarake, NATO-ja ka deklaruar se mandati i KFOR-it dhe angazhimi i saj për sigurinë e Kosovës mbeten të pandryshuara. /REL
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
