Behxhet Bajgora: Trajtimi i Jakup Krasniqit gjatë vizitës familjare në Kosovë ishte nën çdo dinjitet

Opinionisti politik Behxhet  Shala, në një opinion të titulluar “Dinjiteti i shembur”, ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale për mënyrën e trajtimit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë vizitës së tij të përkohshme pranë familjes në Kosovë.
Shala e ka cilësuar trajtimin e Krasniqit si diskriminues dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut, duke vënë në pikëpyetje zbatimin e standardeve të njohura si Rregullat e Nelson Mandelës, të cilave u referohet sistemi i burgjeve i Kombeve të Bashkuara.
Duke kujtuar arrestimin e Krasniqit më 4 nëntor 2020 në Prishtinë, autori ka rikthyer edhe deklaratën e tij para gjykatës, në të cilën kishte krahasuar mënyrën e arrestimit nga pjesëtarët e Gjykatës Speciale me përvojën e mëparshme të arrestimit nga policia jugosllave.
Një pjesë të veçantë të opinionit, Shala ia ka kushtuar vizitës së Krasniqit te familja, duke kritikuar mbikëqyrjen e vazhdueshme të takimit dhe pamundësinë e tij për t’u përshëndetur me vëllain. Ai ka vënë në pah edhe gjendjen shëndetësore të bashkëshortes së Krasniqit, duke e cilësuar vizitën si të zhvilluar në kushte poshtëruese.
Në opinionin e tij, Shala ka kritikuar edhe institucionet politike të Kosovës dhe subjektet opozitare, të cilat, sipas tij, nuk kanë ndërmarrë veprime të mjaftueshme për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin në Hagë.
Ai ka kërkuar angazhim më konkret për mbrojtjen juridike dhe lobimin, si dhe rifillimin e protestave, duke vlerësuar se deklaratat politike nuk janë të mjaftueshme.
Në përfundim të opinionit, Shala ka theksuar se, sipas tij, Jakup Krasniqi nuk është ai që duhet të ndiejë turp për situatën në të cilën ndodhet, por shoqëria dhe institucionet që nuk kanë bërë sa duhet për të.
“Jakup Krasniqi nuk është turpëruar e as ligështuar sepse është në mesin e të turpëruarve, të ligjëve dhe të dorëzuarve. Ata jemi ne!”, ka shkruar Shala.

Kontrolloni gjithashtu

Me plagë në zemër, por me krenari që nuk e mposht asnjë largësi, vajza e Jakup Krasniqit falënderon të gjithë ata që qëndruan pranë familjes

Një fotografi e nënës së saj, e veshur me bluzën e bashkëshortit, Jakup Krasniqit, gjatë …