Shqipëria synon të përmbyllë edhe pesë kapituj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri më 15 dhjetor, kur ministrat për çështjet evropiane do të takohen në Bruksel. Lajmi u bë i ditur gjatë takimit të miqve të Ballkanit Perëndimor në Athinë. Deri më tani, Shqipëria ka arritur të mbyllë katër kapituj të negociatave. Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka përgëzuar përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke i cilësuar këto dy vende si ndër shtetet që po udhëheqin procesin e zgjerimit të BE-së. Ajo theksoi se përparimi drejt anëtarësimit varet nga zbatimi i reformave, veçanërisht në fushat themelore. Ndërkaq, ministri i Jashtëm grek, Jerapetritis, vuri në pah rëndësinë e fqinjësisë së mirë dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare për integrimin evropian dhe stabilitetin rajonal. Greqia pritet të marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të vitit 2027, pas Lituanisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
