Lëndohet rëndë një tjetër ushtar i FSK-së, shpërthimi i municionit ngre pikëpyetje për sigurinë në ushtri

Një tjetër pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës është lënduar rëndë si pasojë e shpërthimit të municionit brenda armës, duke rikthyer shqetësimet për sigurinë gjatë përdorimit të armatimit dhe përgjegjësinë institucionale për mbrojtjen e jetës së ushtarëve. Sipas burimeve të VOX Kosova, incidenti ka ndodhurë hënën, në Babaj të Bokës, ku një pjesëtar i FSK-së ka pësuar lëndime të rënda. Fillimisht ai është dërguar për trajtim në Spitalin e Gjakovës, ndërsa për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë. Sipas të njëjtave informata, dy copa të gëzhojës i kanë mbetur në kofshë, si pasojë e shpërthimit të municionit brenda armës. Rasti i ri vjen në një kohë kur gjatë nëntorit janë raportuar edhe incidente të tjera të ngjashme me municionin e përdorur në ushtrimet e FSK-së. Më 11 nëntor, FSK-ja kishte konfirmuar se një pjesëtar i saj ishte lënduar gjatë një trajnimi, ndërsa raportimet mediale kishin ngritur dyshime për shpërthimin e municionit 40-milimetërsh brenda granatahedhësit amerikan MK-19.  Përsëritja e incidenteve, pavarësisht paralajmërimeve të raportuara, ngre pyetje serioze për kontrollin e cilësisë së municionit, përputhshmërinë e tij me armatimin, mbikëqyrjen e ushtrimeve dhe reagimin e zinxhirit komandues. Nëse institucionet kanë pasur informacione për defekte të mundshme dhe nuk kanë ndërmarrë masa parandaluese, përgjegjësia nuk mund të shmanget. Shteti që investon në armatosjen dhe modernizimin e ushtrisë ka detyrim të garantojë edhe sigurinë e atyre që e shërbejnë atë.

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria synon mbylljen e pesë kapitujve të tjerë të negociatave me BE-në deri më 15 dhjetor

Shqipëria synon të përmbyllë edhe pesë kapituj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri …