Bashkëpunimi ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë po zgjerohet, me theks të veçantë në edukimin ushtarak, stërvitjen dhe zhvillimin profesional të pjesëtarëve të të dyja forcave. Në këtë kuadër, delegacioni i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, i udhëhequr nga gjeneralmajor Ferdinant Dimo, ka përfunduar një vizitë zyrtare dyditore në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së. Delegacioni shqiptar është pritur nga komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, dhe përfaqësues të tjerë të kësaj komande. Gjatë takimeve janë diskutuar rezultatet e bashkëpunimit të deritanishëm, si dhe mundësitë për zgjerimin e tij përmes shkëmbimit të përvojave, programeve të përbashkëta të edukimit dhe avancimit të kapaciteteve profesionale. Sipas njoftimit të FSK-së, të dyja palët kanë riafirmuar përkushtimin për forcimin e partneritetit institucional dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy forcave ushtarake shqiptare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
