Von der Leyen paralajmëron rishpërndarjen e fondeve të BE-së, Kosova rrezikon të humbë më shumë mundësi financiare

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar rishpërndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në favor të vendeve që kanë shënuar përparim më të madh në zbatimin e reformave të dakorduara me Bashkimin Evropian. Njoftimi është bërë në përfundim të samitit BE-Ballkani Perëndimor, të mbajtur të mërkurën në Bruksel. Von der Leyen ka theksuar se fondet janë në dispozicion dhe duhet të shfrytëzohen përmes rezultateve konkrete, duke nënvizuar se rajoni nuk duhet ta humbë këtë mundësi financiare. Ndonëse nuk i ka përmendur publikisht vendet përfituese, burime të Radios Evropa e Lirë brenda Bashkimit Evropian kanë konfirmuar jozyrtarisht se fondet shtesë pritet t’u kalojnë Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në anën tjetër, Kosova, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina kanë humbur një pjesë të mjeteve për shkak të mosrespektimit të afateve për zbatimin e reformave. Shumat e sakta të humbjeve dhe të fondeve që do të rishpërndahen ende nuk janë bërë të ditura. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor kap vlerën e gjashtë miliardë eurove, prej të cilave dy miliardë janë grante dhe katër miliardë kredi me kushte të favorshme. Mjetet ndahen në bazë të përmbushjes së reformave të përcaktuara dhe afateve përkatëse. Për Kosovën, ky zhvillim përbën një paralajmërim serioz. Humbja e fondeve nuk është vetëm çështje financiare, por edhe tregues i vështirësive në përmbushjen e obligimeve institucionale.

Kontrolloni gjithashtu

Dardan Molliqaj: Ligji për Specialen është mashtrimi më i madh politik që nga paslufta, nuk ndryshon asgjë

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, e ka cilësuar nismën për Ligjin për Dhomat e …