Koalicioni PDK-AAK-NISMA nuk do ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, pavarësisht se Kadri Veseli nuk po përkrahet nga deputetët e Vetëvendosjes dhe të koalicionit LAA. Deputeti i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës kishte ftuar koalicionin PAN që emërojë një kandidati tjetër për kryeparlamentar, pasi Kadri Veseli nuk po arrin t’i sigurojë së paku 61 vota të deputetëve. Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, i cili njëherësh është deputet i PDK-së në Kuvend, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se koalicioni është i vendosur që ta vazhdojë me kandidaturën e Veselit. “Ne kemi vendosur për një kandidat për kryeparlamentar dhe nuk do ta ndërrojmë”, ka thënë Haliti, duke shtuar se tashmë kanë filluar bisedimet politike për t’i siguruar së paku 61 vota në Kuvend.
