Zhbllokohet rruga nga bora në një lagje në fshatin Bardh të Malishevës

Të gjitha rrugët kryesore në fshatrat e Komunës së Malishevës janë të hapura nga bora, por në viset malore, përkatësisht në fshatrat që shtrihen përgjatë Maleve të Berishës, ka pasur vështirësi në qarkullim, pasi erërat e kanë zhvendosur borën në disa vende, duke krijuar trashësi të borës deri në tri metra, si në Berishë e në Bardh. Pas shumë përpjekjeve, në fshatin Bardh, është liruar rruga për lagjet e Berishëve dhe Goden. Të gjitha fshatrat që shtrihen në Malet e Berishës, si Tërpezë, Fshat i Ri, Berishë, Lladrovc, Senik e Bardh, janë vizituar nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili së bashku me ekipet komunale, kanë inspektuar punën e kompanisë së kontraktuar për mirëmbajtjen e rrugëve, si dhe u janë përgjigjur thirrjeve të banorëve të këtyre fshatrave, në vendet ku ka pasur nevojë të intervenohet për largimin e borës. Në Berishë, trashësia e borës në disa vende arrinte lartësinë rreth tre metra, sidomos në rrugën që lidhet me fshatin Kleçkë, ku është bërë hapja e rrugës, ndërsa edhe në fshatin Bardh, sidomos në lagjen e Berishëve, është hapur rruga deri në brendi të lagjes, pasi nga e hëna në mbrëmje ka qenë e bllokuar nga bora. “Ne do të jemi në shërbim të banorëve 24 orë në ditë dhe do ti përgjigjemi të gjitha kërkesave të banorëve, për hapjen e rrugëve”, tha nënkryetari Berisha, gjatë hapjes së rrugëve në këto fshatra.

Kontrolloni gjithashtu

44 mësimdhënës të arsimit fillor (niveli 1-5) ndjekin trajnimin për karrierë

Nën organizim të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës, të mërkurën ka …