A. Fetahu: Hapja e Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë ishte një fitore e madhe për shqiptarët

Dita e Mësuesit është një festë e karakterit historik, arsimor e kulturor, që i kushtohet personelit arsimor-edukativ të të gjitha niveleve të arsimit, prej shkollës fillore, deri në universitet.


Në kalendarin e festave të ndryshme, në vende të ndryshme shënojnë e kremtojnë data të ndryshme nga historia e tyre. Dita e Mësuesit në më se njëqind shtete të botës kremtohet më 5 Nëntor. Këtë datë e ka caktuar UNESCO, si Ditën e Mësuesit, në vitin 1994. Në Shqipëri e në Kosovë, por edhe në të gjitha trojet e tjera shqiptare, Dita e Mësuesit kremtohet më 7 Mars, dhe kjo datë lidhet me datën kur në Korçë është hapur Mësonjëtorja e parë shqipe (më 7 Mars 1887).  Shteti shqiptar që nga viti 1960 ka vendosur që 7 Marsi të jetë ditë feste, në shenjë kujtimi të themelimit dhe fillimit të punës publike të Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë. Mësuesi dhe drejtori i parë i asaj Shkolle ishte Pandeli Sotiri. Për afro 15 vjet sa qëndroi e hapur Mësonjëtorja,  mësues e drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes sonë kombëtare, si: Pandeli Sotiri, Petro Ninin Luarasi, Nuci Naçi, Thoma Avrami, etj. Me mundësitë që kishin asokohe, përgatitën e botuan tekste shkollore dhe dokumentacion shkollor.


Hapja e Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar. Sepse, deri atëherë mësimi shqip mbahej vetëm në mënyrë të fshehtë, nëpër shtëpi private, ngase mësimi shqip ishte i ndaluar nga administrata e pushtuesit osman dhe i anatemuar, përndjekur e persekutuar nga propaganda dashakeqe klerofashiste greke e sllave (serbe, bullgare, ruse). Këta deri atëherë nuk lejonin mësimin në gjuhën shqipe, por vetëm në gjuhën greke ose turke, dhe atë kryesisht mësime fetare, me qëllim të asimilimit të shqiptarëve në grekë ose turqë


Fillimisht ajo Shkollë kishte 35 nxënës, por pas tre muajve numri i nxënësve arriti në 60, kurse në vitin e dytë ai numër arriti në 300 nxënës. Në te mësohej, lexohej, recitohej e këndohej vetëm shqip.  Në Mësonjëtoren e Korçës mësimi i të gjitha lëndëve zhvillohej në gjuhën shqipe, dhe ishte kjo shkollë laike e kombëtare, në të cilën mësimet i vijonin nxënës të të gjitha shtresave shoqërore dhe të të dy gjinive. Prandaj, ka mbetur simbol i ruajtjes së identitetit, dimensionit, lirisë dhe progresit kombëtar shqiptar.


Si arriti të hapej Mësonjëtorja e parë në gjuhën shqipe


Hapja e Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë u arrit në saje të nismës dhe angazhimit të një grupi të rilindësve, dhe me përkrahjen e masave patriotike të vendit e të mërgatës shqiptare. Kontribut të veçantë në këtë drejtim ka dhënë Shoqëria “Drita” e Bukureshtit, vëllezërit Naimi e Sami Frashëri, por edhe aktivistë e patriotë tjerë të shumtë. Korçari Mandi Tërpko e fali shtëpinë e tij për këtë shkollë.  


  (foto e Mësonjëtores)


 


 Në Mësonjëtore përdoreshin tekstet të cilat i kishin përgatitur Naimi e Sami Frashëri, e që ishin shtypur me ndihmën e Kolonisë dhe të Shqoqërisë “Drita” të Bukureshtit.


Disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe edhe në qytete tjera shqiptare, por nuk vonoi shumë kohë dhe në bazë të propagandës klerofashiste greke, administrata osmane i mbylli ato, ndërsa drejtorin e Mësonjëtores së parë shqipe, Petro Nino Luarasin e mbytën (helmuan) në Stamboll qarqet reaksionare të xhonturqve, në bashkëpunimin me klerofashizmin grek dhe me Patrikaën e Kishës Ortodokse të Stambollit.


Ishte ajo kohë e vlugut të aktiviteteve të gjithanshme të lëvizjes së Rilindjes kombëtare për krijimin e kushteve për çlirimin kombëtar, prandaj armiqtë tanë ishin të tërbuar nga kjo lëvizje. Me rastin e hapjes së Mësonjëtores së parë shqipe, Naim Frashëri shkroi këto vargje:


 


 


“Hapu, hapu errësirë,                                      Lumja ti moj Korçë o lule,


Pa jakë tëhu o dritë,                                          Q’i le pas shoqet e tua,


Se arriti kohë e mirë,                                       Si trime në ball u sule,


U gëdhi nata – u bë ditë.                                  Të paçim për jetë hua! “


 


 


 


Shkolla shqipe në shënjestër të regjimeve antishqiptare


Nuk është e rastësishme që të gjithë okupatorët dhe armiqtë tanë u vërsulën mbi arsimin. Shkolla shqipe dhe mësuesit qysh prej fillimit kanë qenë në shënjestër të regjimeve antishqiptare. Sepse e dinin ata, se po ta pengonin arsimimin e popullit, e ndalin zhvillimin e tij të gjithëmbarshëm dhe më lehtë e mbajnë të okupuar dhe asimilojnë popullin e paarsimuar. Për këtë qëllim, edhe okupatori serb gjatë gjithë periudhës së okupimit të Kosovës, prej vitit 1912 e deri më 1999, bëri përpjekje të mos lejojë e ta pengojë mësimin dhe arsimimin e popullit shqiptar në gjuhën amtare. Në historinë më të re, në periudhën 1990-1999, goditjet e para regjimi okupues i Serbisë i pat dhënë arsimit shqip në Kosovë, prej institucioneve parashkollore e deri në Universitet, duke i quajtur ato çerdhe të nacionalizmit. Ndërpreu financimin e arsimit,  pagat për personelin, persekutoi e vrau mësues, i përjashtoi prej objekteve të shkollave e fakulteteve. Por, duke ditur rëndësinë, se arsimimi është investimi më i mirë, populli hapi shtëpitë private dhe grumbulloi mjete vetëkontributi për të mbajtur arsimin në kushte e rrethana që të mos ndërpritej e shuhej. Në trevat shqiptare jashtë Shqipërisë e Kosovës, akoma bëhen trysni të ndryshme mbi arsimin shqip, si bie fjala në IRJ të Maqedonisë, ku e fusin me zor mësimin e gjuhës maqedone në shkollat shqipe, qysh prej klasës së parë të shkollës fillore, dhe kushtet në shkollat shqipe janë në gjendje të mjerueshme.  Apo, në Luginën e Preshevës pushteti serb nuk ua njeh diplomat nxënësve e studentëve shqiptarë  cilët i kanë kryetar shkollat në Kosovë. Madje, policia serbe hyn në klasë dhe ua konfiskon nxënësve shqiptarë abetaret dhe librat e tjera shqip! Gjendja e arsimimit në gjuhën shqipe nuk është asgjë më e mirë as për shqiptarët në Republikën e Malit të Zi.  E të mos flasim për Çamërinë, ku gjuha shqipe nuk guxon të dëgjohet as rrugë, as në autobus,as  në kafene…!


Gjendja e arsimit shqip sot


Edhepse nuk mund të jemi të kënaqur me gjendjen e përgjithshme të arsimit shqip, në të dy shtetet shqiptare në Ballkan: në Shqipëri e në Kosovë janë bërë hapa të rëndësishëm në reforma, modernim, pajime dhe përmirësim të kushteve të arsimit. Ndonëse arritjet janë të pamohueshme, edhe më tutje mbetet shumë për t’u dëshiruar në këtë drejtim, me shpresë se  krahas zhvillimit ekonomik dhe të përgjithshëm shoqëror, gjendja do përmirësohet. Vetëm në Kosovë, në vitin shkollor 2011/2012, kanë qenë të regjistruar, në arsimin fillor të ulët, të mesëm e të lartë, në shkollat publike, 404.844 nxënës, duke përfshirë këtu edhe arsimin special, ndërsa në universitetet publike 49844 studentë. Në këto shkolla dhe universitete po atë vit shkollor kanë punuar 26.552 mësimdhënës. Po sa nxënës e studentë dhe mësimdhënës janë sot në shkollat dhe universitetet e Shqipërisë dhe në trojet shqiptare në Maqedoni, Luginën e Preshevës, në Mal të Zi, por edhe në shtetet e Perëndimit. Kur këto shifra i krahasojmë më me shifrën e para 127 vjetëve, kur për herë të parë filloi publikisht Mësonjëtorja shqipe (në Korçë), këto na dalin shifra impozante, që nuk gjeni një shembull tjetër në botë që për një periudhë kaq të shkurtër të ketë arritur këtë nivel të masivizimit të arsimimit të popullit.


Ish-normalistët e Prishtinës  kremtojnë Ditën e Mësuesit


Gjenerata e normalistëve të ish-Shkollës Normale Shqipe të Prishtinës, të diplomuar  në vitin 1961, kur edhe kanë filluar punën si mësues të kualifikuar, janë gjenerata e vetme e asaj Shkolle më prestiçioze në Kosovë,  e ndoshta edhe nga të gjitha shkollat e tjera në trojet shqiptare, e cila ka mbajtur lidhje të pashkëputur prej asaj kohe deri më sot. Shokët dhe shoqet e asaj gjenerate mbajnë takime të rregullta, tradicionale vjetore, çdo vit, të shtunën e fundit të muajit maj. Takimet i mbajnë në sallën e ish-Normales së Prishtinës (tash: Shkolla e Mesme “Gjin Gazuli”), në Germinë piktoreske në periferi të Prishtinës, ku kanë qenë nxënës dhe konviktorë për pesë vjet rresht (sepse programi mësimor i asaj Shkolle për përgatitjen e mësuesve të kualifikuar ishte pesëvjeçar). Por, këta ish-normalistë, në grupe më të vogla takohen edhe shumë herë gjatë vitit për raste të ndryshme, e sidomos për Ditën e Flamurit (28 nëntor), dhe për Ditën e Mësuesit (7 Mars). Takimet për këto data historike i mbajnë në qytete të ndryshme, me një drekë a darke shoqërore. Për shënimin e Ditës së Mësuesit, sivjet do të takohen në Restorantin “Ujëvara”, afër Ferizajt. Në shtator të vitit 2009, kjo gjeneratë organizoi një ekskursion njëjavor në Shqipëri, në të cilin morën pjesë 36 shokë e shoqe, dhe përveç qyteteve e muzeumeve të vizituara në Krujë, Durrës, Tiranë, Kavajë e Elbasan, vizituan edhe Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi”, në Elbasan, ku i priti me dashamirësi e respekt drejtoresha e Shkollës, Dhurata Valera, dhe bashkë me Mësuesin e Merituar, Genci Trëndafili, në Muzeun e Shkollës u njoftuan me përgatitjen e dokumentacionit dhe fotografive për 100-vjetorin e ish-Normales së famshme të Elbasanit. Një fotografi e kësaj gjenerate të ish-normalistëve të Prishtinës, është përfshirë në Albumin e 100-vjetorit të Normales së Elbsasanit.


Këta ish-normalista e ish-mësues, arsimtarë, profesorë e të profesioneve tjera (mjekë, juristë, ekonomistë),  që u diplomuan para plot 53 vjetëve në Normalen e Prishtinës, dhe u shpërndanë si mësues të kualifikuar gjithandej në trojet shqiptare në ish-Jugosllavi, tani të gjithë pensionistë e me mbi 70 vjet moshe, nuk i shkëputën lidhjet e shoqërimit e takimeve. Në vitin 2011, botuan Monografinë e gjeneratës së vet, të titulluar: “Kujtimi për një gjeratë”.


Këta ish-mësues kanë një porosi për mësuesit aktual: që të jenë në nivel të profesionit e detyrës, në punë të angazhohen maksimalisht me zell,  me përkushtim, me profesionalizëm e me dashuri ndaj profesionit dhe ndaj fëmijëve, ta ngritin arsimin në nivelin e rëndësisë që ka dhe që meriton për gjeneratat dhe për shoqërinë. Njëherësh, apelojnë te faktorët kompetentë, që mësuesit (të gjitha niveleve të arsimit) t’i trajtojnë e stimulojnë sipas meritës.


Gëzuarshi Ditën e Mësuesit, mësues të dashur të shkollës shqipe, kudo që ndodheni!

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …