A. Qeriqi: Ali Pashë Tepelena dhe Enver Hoxha, dy personalitetet ndër më të fuqishmit të kombit dhe më të sulmuarit, veçmas nga bashkatdhetarët e tyre I

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Jeta nën robëri, skamje e varfëri, me mungesën e pothuajse të gjitha kushteve të një jete dosido normale të shqiptarëve në të kaluarën, është manifestuar me një gjendje të rëndë ekzistenciale, me refuzim të pushtimit dhe herë-herë me rezistencë të armatosur,  por edhe pajtim dhe bashkë-qeverisje me pushtuesin, sidomos në kohën e Perandorisë Osmane e më vonë në kohën e socializmit. Kështu disi është ruajtur dhe ka gjallëruar  ndër shekuj “bota shqiptare”, nga Iliria e dikurshme, Arbëria e më vonshme, te Shqipëria e Katër Vilajeteve, deri në vitin 1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë, por mbeten jashtë trungut kombëtar dy të tretat e trojeve që i pushtuan, serbët, malazezët, bullgarët e grekët.

Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, është një pasus ku thuhet: “E mira e përbashkët i paravihet dëmit (apo ndëshkimit) të veçantë”. Ndoshta ky konstatim i filozofisë popullore deri diku e përmbush tërësinë e gjykimit individual apo kolektiv të shqiptarëve, ndaj njëri tjetrit, në rrugëtimin e gjatë dhe shumë të përgjakshëm, si të asnjë kombi tjetër në këtë nën qiell, ballkanik-evropian, të përvëluar nga padrejtësitë, gjakosjet, vrasjet, inkuizicioni, fashizmi, përndjekjet, holokausti, spastrimet etnike, gjenocidi, etnocidi dhe tërë katrahura njerëzore, sikur në asnjë  nën qiell, apo kontinent tjetër të botës.

Roli dhe ndikimi i individit në histori është i njohur dhe shpeshherë ose është mbiçmuar e ekzagjeruar, ose është përbuzur e minimizuar, por bota njeh personalitete me rëndësi të veçantë që kanë bërë histori dhe janë futur në veriget e saj, për të mbetur aty sa të gjallojë njerëzimi. Të tillë janë Buda, Mojsiu, Jezusi, Muhamedi, të njohur në radhë të parë si misionarë dhe ndërtues të botëve të veçanta të kuptimit të jetës e universit, që ka rezultuar me degëzim dhe ndërthurje të qytetërimeve, në luftë pa kompromis, secili në të drejtën e vet, secili duke i besuar Zotit të vet dhe fuqisë së vetë vizionare, pastaj për ta zgjeruar atë doktrinë të tyre kanë ndërmarrë edhe veprime pushtuese. Bota ka pasur edhe pushtues e zaptues të mëdhenj, si Leka i Madh,  Jul Qesari, Oktavian Augusti, Pompeo, Xhingis Kani, Pizzarro, Sulltan Sylejmani e shumë sulltanë të tjerë, pastaj Napoleoni, Musolini, Hitleri e të tjerë.

Bota ka pasur edhe kryengritës e revolucionarë të njohur e të drejtë si Hektori, Spartaku, Robin Hudi, Skënderbeu, Halil Arnauti, Garibaldi, Ali Pashë Tepelena, Janosh Koshuti, Robespjeri, Farabundo Marti, Uashingtoni, Linkolni, Bolivari, Lenini, Ataturku, Mao Ce Duni, Çe Guevara, Enver Hoxha, e shumë  të tjerë.

Nga ky mes mendimtarësh, personalitetesh, komandantësh por edhe diktatorësh, kam marrë për të shqyrtuar  disa relacione në dy kohë të ndryshme në historinë shqiptare, shekullin 19-të me Ali Pashë Tepelenën, në kohën e Perandorisë Osmane dhe shekullin 20-të të revolucioneve me Enver Hoxhën, prijësin komunist shqiptar, që ka lënë gjurmët më të thella në historinë e kombit tonë.

Si dy personalitete shqiptare të një etnie, të jugut të Shqipërisë, të dy këta kanë hyrë në historinë tonë si  personalitete të veçanta, me një kohë sundimi të përafërt, me një ndikim të madh dhe të pakthyeshëm në historinë dhe memorien e kombit, me të mirat e dështimet, me guximin, trimërinë, vetëmohimin, strategjinë, zgjuarsinë,  pse jo edhe dinakërinë e dhelpërinë, por mbi të gjitha drejtësinë sipas kutit e kohës, strategjinë, hakmarrjen, nga një herë edhe mizore, por gjithnjë në suaza të kushteve dhe rrethanave  në të cilat kanë jetuar, vepruar dhe sunduar, Ali Pashë Tepelena dhe Enver Hoxha.

Çka kishin të përbashkët, Ali  Pashë Tepelena dhe Enver Hoxha?

Në radhë të parë, Ali Pashë Tepelena dhe Enver Hoxha të përbashkët kishin vendin që i lindi e i rriti, njërin në Tepelenë e tjetrin në Gjirokastër, dy qytete kështjella  të njohura qëndrese të  Shqipërisë, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Të dy jugorë, toskë, por kjo nuk i ka bërë fare përshtypje asnjërit, sepse asnjëherë nuk e kanë shënuar këtë prejardhje si të veçantë,  sikur themi ne në veri, si mirditor, dibran, kosovar drenicas, por gjithnjë janë deklaruar shqiptarë, që do të thotë se kanë përjashtuar ngushtimet krahinore e fisnore, sepse kanë pasur synime shumë më të mëdha.

Ali Pashë Tepelena rrjedhë nga një familje patriarkale, lindur nga një malësore, amazone, e cila ruante familjen me instinktin e shqiponjës dhe kacafytej me të papriturat e jetës, duke i qëndruar ballë për ballë çdo rreziku, pavarësisht se ishte një grua e dhunuar, e cenuar barbarisht  në nder, por e pamposhtur.

Enver Hoxha rrjedhë nga një familje e mesme tregtare, qytetare, patriarkale por edhe fetare, me një edukatë kombëtare e revolucionare.

Ali Pashë Tepelena nuk kishte vëllezër por kishte pasur një motër, po ashtu edhe Enveri nuk pati vëlla, por vetëm një motër. Aliu la pas tre bij dhe asnjë bijë, Enveri la dy bijë e një bijë.

Aliu jetoi 82 vjet. Enveri 78 vjet.  Aliu jetoi në shekullin e 18-të dhe të 19-të, Enveri vetëm në shekullin 20-të. Të dy kanë sunduar e qeverisur për afërisht  nga dyzet vjet.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …