A. Qeriqi: Veton Surroi nëpër “këmbët e gjarprit”

Pamfleti publicistik i Veton Surroit, “Këmbët e gjarprit”, i pretenduar për të qenë një roman triler, nuk është më shumë se një pamflet politik, qoftë me përmbajtjen, qoftë me pretendimet e tij letrare për ta diskredituar “gjarprin” e UÇK-së, Hashim Thaçin, shënjestra kryesore dhe jetësore e Veton Surroit. Ai pamfletin e tij publicistik e ka  përuruar pikërisht në prag të zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, me qëllim për ta diskredituar kryetarin e PDK-së, duke paragjykuar se ai do të humbiste zgjedhjet, me qëllim që pastaj ta festonte fitoren e tij jetësore kundër Thaçit.


Përpjeka për të triumfuar edhe kësaj radhe i shkoi huq Surroit, ashtu sikur i kishte shkuar përpjekja për  ruajtjen e RSFJ-së së babait të tij ambasador i Ranokoviqit dhe i Titos, ashtu sikur i kishte shkuar huq UJDI pan-jugosllav për  ruajtjen me çdo kusht të Jugosllavisë, në kohën kur kishte filluar mortja e pakthyeshme e saj  drejt humnerës, ashtu sikur kishte dështuar me ORË-n e tij të famshme të markës “made in Yugoslavia” duke mos e kaluar pragun zgjedhor, ashtu sikur ka pësuar në përpjekjet  e pareshtura duke aktivizuar krejt kapitalin fizik e mendor, krejt kompaninë Koha dhe filialet e saj në rrugëtimin e gjatë dhe tërësisht  të pasuksesshëm  për ta përmbysur Qeverinë Thaçi. Ky angazhim sizifian, Surroit dhe Kompanisë së tij i ka kushtuar miliona euro, por Surroi i fiksuar pas fiksionit të tij donkishotesk, ka vetëm një qëllim në jetë, fundosjen e Thaçit, sepse me fundosjen e tij ai parasheh kthimin e ORË-s së bashkim vëllazërimit dhe rikthimin e së kaluarës, tashmë të ngordhur.


 


Inati, urrejtja dhe shprehja e çoroditjes së tij kundër Thaçit  kishte pëlcitur në kohën kur ai, në zgjedhjet e parafundit, në prani të Thaçit dhe ambasadorit Dell iu kishte lutur “gjarprit” të UÇK-së, për një vend në Qeveri. Burimet e njerëzve të afërt me Thaçin, kanë bërë me dije se “gjarpri” e kishte joshur me qëllim që ta detyronte ta kërkonte një vend, të cilin edhe ia kishte premtuar, por në momentin e fundit, mu para ambasadorit amerikan, ia kishte refuzuar. Për hir të së vërtetës duhet pranuar faktin se Delli nuk e honepste dot Surroin, për shkak të prejardhjes ideologjike, titiste-rankoviqiste, sepse po t’ia propozonte Thaçit, ai do t’ia kishte lëshuar çdo vend në qeveri, për veç posti të vet. Prej asaj kohe, mbase pesë gjashtë vjet më parë, Surroi ishte mobilizuar me tërë forcat për ta diskredituar Thaçin, UÇK-në, SHIK-un, Drenicën dhe tërë atë që lidhej  dhe lidhet me “gjarprin” e UÇK-së, këmbët  dhe leshin e të cilit askush nuk i njeh, as nuk e ka provuar në trupin e tij më mirë se Surroi, sepse kanë pasur edhe një kohë të gjatë  “jaranisë” politike, sidomos prej  bisedimeve  në Rambuje e deri në përfundim të bisedimeve në Vjenë. Më vonë doli se jarania kishte qenë e pabesë, meqë në garën politike për ta shtrirë pushtetin në Kosovë, Surroi arriti të tubojë rreth ORË-s vetëm një pjesë të jugonostalgjikëve, ish titistëve pa prokopi, që i kishte blerë me para, por që nuk mjaftuan as sa për t’i kaluar krejt shkallët e Kuvendit, ndërsa Thaçi tri herë deri tani ka fituar zgjedhjet e përgjithshme dhe dy herë zgjedhjet vendore.


 


Surroi, sidomos në pesë gjashtë vitet e  fundit me tërë Kompaninë e tij, pastaj me Je-ta Bi-rnin dhe ish nostalgjikët e jugosllavizmit, nuk ka lënë gur pa lëvizur kundër Thaçit, UÇK-së, PDK-së dhe tërë  Drenicës. Nuk ka lënë hile e rrenë pa kurdisur e  pa vënë në jetë me tërë  klanin e tij të gazetarëve serbë, shqiptarë e të huaj, me qëllim të diskreditimit të luftës së UÇK-së. Ai është edhe ideatori i parë i shpikjes së të ashtuquajturit “trafikim të organeve të serbëve nga UÇK-ja”, është shqiptari, pse jo edhe shqipfolësi e shqip-shkronjësi  i vetëm deri tani, i cili luftëtarët e lirisë i ka quajtur revanshistë-fashistë.


 


Në luftën e tij kundër Thaçit, Surroi është treguar i pa kompromis, por çuditërisht, në asnjë segment të angazhimit të tij nuk ka arritur ta dëmtojë atë, përkundrazi ka dëmtuar rëndë vetveten dhe klanin e tij.


Thaçi vazhdon të mbetet një “Gjarpër” i pabesë, ashtu sikur është tërë soji i gjarpërinjve, jo vetëm i këmbëve të padukshme, por edhe i shtatit ‘tarak” ashtu sikur kobër e zezë, sidomos për Surroin dhe surrojet  kripto-jugoviqë, të cilët nuk kanë asgjë të sigurt për të ardhmen,  pos mortajës së bardhë në  politike. Ashtu sikur e kishte thimthuar Surroin, në lojën fer  të konkurrencës, gjatë procesit të zgjedhjeve, ‘gjarpri” i UÇK-së e ka thimthuar edhe Bacën e vet  të “jaranisë” në politikë, Behxhet Pacollin, për të cilin duket se po derdh lot krokodili. Gjarpri, si qenie zvarranike, në shumë raste nuk ka kursyer as edhe sojin e vet e lërë më sojin e sorrashkave, hardhucave dhe zhapinjve, pse jo edhe të bretkosave e zhabave.


Përpjekjet e Veton Surroit për ta mundur Thaçin në fushën e pamfleteve  publicistike, janë përpjekjet e fundit tejet  dëshpëruese, janë arma e fundit, që ia ka drejtuar kundër Thaçit, por nuk janë më shumë se armët e Bali Katravellës, personazhit stigmatizues të legjendave shqiptare për Mujin e Halilin.


Surroi mallkon ngritjen në politikë të  Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit dhe të krerëve të tjerë të luftës, sidomos ata me origjinë nga Drenica, të cilët, sipas rezonit të tij,  në vend se pas luftës ta linin kallashin e të merrnin ditarët për të ligjëruar historinë nëpër shkollat e mesme, ata morën në duar pushtetin, që duhej t i takonte atij, sipas tapisë së babait ambasador, dhe mikut të përjetshëm të Serbisë. Surroi nuk e pranon dot faktin se një drenicas, nga një fshat i humbur i Drenicës, ku nuk kishte as shkollë fillore, kryen shkollën në një fshat fqinj dhe pas një kohe vjen e bëhet i pari në Prishtinë, dhe shkel pa pardon bijtë e ambasadorëve  të Rankoviqit e të Titos dhe pjellën e sorrashkave të ngjizur ku di ku nëpër hotelet e bordelet  botës.


 


Luftën e tij kundër “gjarprit” të UÇK-së, Veton Surroi nuk do të pushojë, krejt derisa të jetë gjallë, sepse inati i tij i sëmurë kundër shkatërruesve të Jugosllavisë, ka qenë dhe është i  njëjtë me inatin, pezmin dhe urrejtjen e Milosheviqit, Tadiqit, Daçiqit dhe i shumë iqëve të tjerë, që ende shohin ëndërr Kosovën e dikurshme të bashkim vëllazërimit, ku bijtë e bijat e ambasadorëve dhe puthadorëve të kriminelëve të Beogradit i gëzonin të gjitha favoret. Realisht Vetoni ka gëzuar dhe ka vjelë favore nga të  gjitha pushtetet e deritanishme. Ai ka vjelë të gjitha burimet, nga ku është shpërndarë paraja me qëllim të diskreditimit të vlerave kombëtare shqiptare, dhe në këtë drejtim është bëre milioner, apo miliarder. Por kjo nuk e kënaq dot Surroin, i cili  ka një makth gjithnjë në rritje,e ku është  një gjarpër i zi dhe tejet i rrezikshëm, këmbët e të cilit nuk po i  zbulon as Dodik Martinoviqi, as italiani proserb, Salustro, as UNMIK-u,  as EULEX-i, të cilit Vetoni i ka shërbyer dhe i shërben me mish e shpirt.


 


Veton Surroit gjatë tërë jetës  do t’i ngelin në mendje “këmbët e gjarprit”, këmbët e shumta dhe të padukshme, por edhe koka e gjarprit, të cilat tani e tutje do t’ia shtojnë edhe më tej makthin e bezdinë, sepse në fushë të betejës politike, Hashim Thaçi ka kalëruar më mirë, jo vetëm se Veton Surroi, por edhe se të gjithë surrojët e sorrëshkinat bashkë.


Thaçi tashmë nuk është vetëm “gjarpri” i UÇK-së. Atë e pret beteja vendimtare. Pavarësisht se çka do të ndodh me të, Surroi  i kompleksuar kokë e këmbë. kurrë nuk do t’ i harrojë këmbët e padukshme të gjarprit të UÇK-së, ndërsa pamfleti i tij do t’i ngel në kujtesë, si përpjekja e fundit për t’ i liruar valvulat e shpirt të tij të zijosur, të ndragur e të djallosur.

Kontrolloni gjithashtu

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, vizitoi ish-kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçi, në burgun e Hagës të Gjykatës Speciale

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani ka kryer një vizitë në Gjykatën Speciale në …