Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, ka deklaruar se shtatë deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në seancën konstituive të Kuvendit, por nuk do të votojnë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe më pas të presidentit të vendit, nëse nuk përmbushen gjashtë kërkesat e Aleancës. Arifi akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po vepron me “arrogancën e numrave”, duke mos i marrë parasysh propozimet dhe kërkesat e AAK-së. “Sjellja e tyre ndaj gjashtë kërkesave të Aleancës paraqet një rast tipik të arrogancës së numrave. Nëse dëshirojnë të jetojnë me këtë arrogancë, është në rregull, por nuk i kanë shtatë deputetët tanë, prandaj le ta gjejnë kuorumin diku tjetër. Ne nuk kemi kërkuar favore apo përfshirje në Qeveri”, deklaroi Arifi. Me këtë qëndrim, AAK sinjalizon se mbështetja e saj për konstituimin e institucioneve mbetet e kushtëzuar, duke e bërë edhe më të vështirë sigurimin e shumicës së nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe vijimin e procesit të formimit të institucioneve të reja.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
