Adem Breznica

Adem Breznica: Krimi i organizuar, i paprekur individualisht!

Nepotizmi dhe korrupsioni mund të luftohen pa problem, por jo edhe krimi i organizuar. Prandaj për dy të parat, gjatë fushatës zgjedhore, u dhanë premtime se do të luftohen me sukses por nuk u garantua luftimi i fenomenit të tretë.

Kjo, për faktin se të gjithë nepotikët i kanë rehatuar familjarët e tyre; pastaj ata edhe mund t’i rezistojnë korrupsionit, sepse tashmë janë bërë milionerë dhe më nuk mund të blihen; ndërkohë, për t’i ruajtur pozitat, depozitat dhe patundshmëritë e tyre, të familjarizuarit e të keqes e kanë me të patjetër kultivimin e krimit. Vetëm se tash të organizuar në një shkallë më të gjerë “institucionale”; ndër-grupore dhe jo thjesht klanore.

Atyre u duhet ta vazhdojnë përkujdesen dhe mirëmbajtjen e krimit të organizuar, respektivisht ta kontrollojnë sistemin e drejtësisë dhe mos çkapjen e shtetit. Ndryshe nuk mund të bëjnë tutje dhe as të ruajnë atë që bënë.

Krimi i organizuar ka shumë dimensione dhe gjithsesi duhet të jetë institucional. Ai nuk mund të funksionojë individualisht, por vetëm në grup, në organizim; prandaj edhe quhet krim i organizuar. Po ndalemi në një dimension të tij të prekshëm, që po ri-freskohet thuajse çdo dy vjet: Zgjedhjet!

Krim i organizuar është edhe kur ne, fjala vjen, kemi gjykuar se mjafton për të votuar një, dy apo tre kandidatë, dhe për (dy) të tjerët kemi vendosur mos të votojmë, meqë nuk na bindën se e meritojnë; ndërkohë, në këtë rast, komisionerët dhe vëzhguesit e zgjedhjeve e keqpërdorin pozitën me të cilën janë ngarkuar duke plotësuar limitin e “tikave” në fletëvotime, në favor të “haverave” të tyre të preferuar.

Në këtë mënyrë, ata që ne i përzgjodhëm manufakturisht mbesin shumë mbrapa dhe humbin nën hijen e “gjigantëve” të refuzuar prej nesh, të cilët industrialisht kontrabandohen deputetë pa verdiktin tonë, dhe më pastaj rrugët e tendereve i zgjerojnë në autobanë, pikërisht në emër të sovranit.

Ky fenomen kriminal, i mirë organizuar qysh nga paslufta, duhet të marrë vëmendjen prioritare të hetimit dhe përndjekjes institucionale, para nepotizmit dhe korrupsionit. Ai duhet të stopohet, të mundet dhe të dënohet fuqishëm, ndërkaq “haverave” sponsorizues, që tash e sa kohë e ushqejnë atë, u duhet dhënë “shpërblimi” i merituar në organet e drejtësisë, gjithsesi të përkrahura dhe siguruara nga faktori ndërkombëtar. Sepse vetëm nuk mund t’ia dalim.

Krimi i organizuar nuk mund të preket individualisht dhe as të luftohet suksesshëm përveçse në mënyrë të organizuar dhe shumë dimensionale. Në këtë sfidë, secili duhet të luaj rolin e vet brenda organizimit. Sigurisht, duke filluar nga veta e parë.

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …