Adem Demaçi: Filozofia e jetës

Të shohim, kalimthi, çfarë kuptimi ka vetë fjala filozofi? “Filo“ në greqishte ka kuptimin anues, dashamirë. Te ne edhe sot dëgjohen shprehjet grekofil, rusofil, anglofil. Kjo shprehje u mëveshet atyre që i duan grekët, rusët, anglezët, etj. Fjala prapë greke “solos“, ose Sofia, si i themi ne, ka kuptimin e dijes. Në kombinim, del dashamirës i dijes. Pra, fjala filozofi, si e përdorim ne e shumë popuj të tjerë të botës, ka kuptimin e dashamirit të dijes. Fjalë shumë e bukur dhe për t’u admiruar. Pra, ne jemi dashamirës të dijes për jetën. Disa mund të pyesin: ç’i duhet filozofia gazetarit? Ky qëndrim e ky dyshim është kryekëput i pavend. Gazetaria është zanat intelektual dhe ka të bëjë me jetën, me botën dhe me njerëzit si faktorët më të rëndësishëm të planetit tonë. Pikërisht për këtë, për gazetarët, njohja e filozofisë, njohja e njohjes, njohja e jetës, njohja e botës, njohja e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, kanë rëndësi thelbësore. Nuk mjafton vetëm të dish të shkruash sipas rregullave të thata të gazetarisë. Shumë më e rëndësishme është se çfarë veprimi ka shkrimi ynë, çfarë porosie ka shkrimi ynë dhe si e sa mund t’u ndihmojë njerëzve shkrimi ynë. Është me rëndësi thelbësore që shkrimet tona ta përparojnë, ta përsosin, ta hijeshojnë dhe ta bëjnë të gëzueshme jetën e njerëzimit.

Ç’ËSHTË JETA?

Për jetën ka shumë e shumë definicione. Por, për këtë moment dhe në bazë të dijes që kam tash, më duket me vend ta them se, jeta është gjithçka që shfaqet duke lindur, lulëzuar, zhvilluar, zgjeruar dhe zhdukur në gjithësinë tonë. Kjo që thashë “gjithçka“ përbëhet prej faktorëve që janë të pandryshueshëm dhe prej faktorëve të ndryshueshëm. Faktorë të pandryshueshëm të jetës në gjithësi janë KUNATET. Faktorë të ndryshueshëm të jetës në gjithësi janë të gjitha gjësendet, gjallesat e krijesat e panumërta, me cilësi e forma të panumërta, që përbëhen nga atomet dhe molekulat. Pjesë përcjellëse e jetës janë edhe të gjithë PROCESET e panumërt që përcjellin lëvizjen, zhvillimin, tej trajtimin e përsosjen e FAKTORËVE të ndryshueshëm të jetës në gjithësi.

Ç’JANË KUANTET?

Kuantet janë grimca-valët më të holla, më të vogla, më të imta dhe të pandashme të energji-informatave. Kur gjeniu njeri arriti të zbërthente atomin dhe të lirohej nga robëria e materies që mund të konstatohet vetëm me anën e pesë shqisave të veta, atëherë ky njeri gjeni u gjet në pjesën e antimateries të gjithësisë. Kjo antimaterie përbëhet nga kuantet. Ekzistenca e kuanteve nuk mund të provohet me anën e pesë shqisave të njeriut dhe as nuk mund të maten e ndalohen me kurrfarë mjetesh a instrumentesh. Kuanti është FAKTOR i pandryshueshëm i gjithësisë dhe i jetës.

Ç’ËSHTË FAKTORI?

Çfarëdo që ekziston në botën materiale dhe jo materiale, në botën përmbajtësore dhe jo përmbajtësore e që është në gjendje të luaj çfarëdo roli, është faktor. Ka faktorë thelbësorë dhe jothelbësorë. Ka faktorë pozitivë e faktorë negativë. Ka faktorë të përhershëm dhe faktorë të përkohshëm, të rëndësishëm dhe më pak të rëndësishëm. Për shembull kuantet janë faktorë të përhershëm, të pandryshueshëm dhe thelbësorë. Gjithashtu lëvizja ose qarkullimi i kuanteve dhe i atomeve është e përhershme dhe me rëndësi thelbësore për jetën dhe ekzistencën në gjithësi. Zeroja, bie fjala është faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm në matematikë. Zeroja që simbolizon asgjë kur vihet pas numrit një, këtë njësh e zmadhon për dhjetë herë. Kur e njëjta zero vihet përpara numrit një, ajo e zvogëlon njëshin për dhjetë herë.

Ç’ËSHTË PROCESI?

Proces është ndërveprimi midis dy ose më shumë faktorëve. Për shembull, kur nxehtësia dhe ftohtësia veprojnë mbi gurin ai çahet. Si rrjedhim i këtij procesi të gjatë sot kemi shkretëtirat e mëdha në Afrikë, në Azi, në Australi e gjetkë. Ftohtësia e netëve ka bërë që shkrepat e shkëmbinjtë e maleve të zhveshura, gjatë natës të tkurren, kurse nxehtësia përvëluese e ditës ka bërë që shkrepat e shkëmbinjtë të bymehen. Nën këtë proces, dalëngadalë ka ardhur, në fillim, deri te plasaritja, pastaj deri te çarja, copëtimi e në fund deri te grimcimi i plotë i shkëmbinjve dhe shndërrimi i tyre në zallë. Ose nxehja e hekurit nga thëngjilli i ndezur i cytur nga rrësheku bën që ai të skuqet dhe të zbutet, ndërsa goditjet e çekanit të farkëtarit përfundojnë procesin duke i dhënë formën e dëshiruar copës së caktuar të hekurit. Në procesin e shndërrimi të hekurit të butë në çelikun e fortë merr pjesë farkëtari ose metalurgu me dijen e vet, flaka, ose temperatura e larët dhe karboni, ose siliciumi që i shtohen hekurit të butë. Procesi i shkrimit të një artikulli ose të një lajmi është shumë më i ndërlikuar dhe më i rëndë. Këtu janë në ndërveprim të përbashkët dija për të shkruar lajme, si faktor i rëndësishëm, lapsi dhe letra; ose dija për të shkruar lajmë, makina e shkrimit dhe dija për ta përdorur makinën e shkrimit dhe letra; ose dija për të shkruar lajmë dhe kompjuteri e dija për të punuar me kompjuter e etj. Kur përzihen kripa, ose sheqeri me ujin kemi të bëjmë me procesin e shkrirjes. Kur akullin e fusim në një vend me temperaturë më të lartë se zeroja, ai fillon të shkrihet dhe, atëherë kemi të bëjmë me procesin shkrirjes. Kur ujin e vëmë në një temperaturë nën zero, atëherë uji fillon e ngrihet dhe kësaj here kemi të bëjmë me procesin e ngrirjes. Vetë trupi i njeriut është një tërësi procesesh. Për të pasur një proces duhen, më së paku, dy faktorë që janë në ndërveprim me njëri-tjetrin. Pra, për të pasur ne sot mësim këtu duhen minimum, dy faktorë: ju që dëgjoni për të mësuar se si të bëheni gazetarë sa më të mirë dhe unë që po e luaj rolin e mësuesit, me qëllim që ju të bëheni gazetarë sa më të mirë. Mirëpo, a mjafton që ju vetëm të dëgjoni dhe unë të flas që ju të bëheni gazetarë të dorës së parë? Jo, nuk mjafton. Për të arritur qëllimin tonë, ne, edhe mua edhe juve, na duhet edhe një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm. Na duhet, që me tërë forcën, të përqëndrojmë vëmendjen tonë në procesin tonë të mësimit. Unë, nga ana ime, duhet t’i kushtoj vëmendje ligjëratës sime që ajo të jetë sa më e kuptueshme, sa më e thjeshtë, sa më e drejtpërdrejtë, por edhe sa më përmbajtësore. Kurse ju, nga ana juaj, duhet sa më shumë të përqëndroni vëmendjen dhe në procesin e mësimit të jeni sa më aktivë, në mënyrë që sa më shpejt ta përvetësoni dijen time të vogël dhe përvojën time të vogël. Nga të gjitha mjetet me të cilat ne shërbehemi në jetën tonë më e rëndësishmja është MENDJA, ose si i thonë shpesh edhe intelekti.

Ç’ËSHTË MENDJA?

Prapë me anën e mendjes dinamike kemi zbuluar se mendja, ose intelekti, është një rrjet i posaçëm energjetik e informatik ose kuantik me të cilin është i pajisur vetëm njeriu. Me anën e mendjes njeriu përjeton, në mënyrë subjektive, gjithësinë e cila, gjithashtu, është një tërësi e pafund energjetike e informatike ose kuantike. Njeriu, falë mendjes ose intelektit të vet, përjeton gjithësinë duke shfaqur mendimet, ndjenjat, dëshirat e synimet e veta. Mendimet, ndjenjat, dëshirat e synimet tona, pra, përjetimet tona subjektive të gjithësisë, as nuk shihen, as nuk preken, as nuk dëgjohen, as nuk shijohen, as nuk nuhaten. Pra, pesë shqisat tona janë të pafuqishme që të depërtojnë në sferën e mendimeve, ndjenjave, të dëshirave tona, synimeve tona. Mendimet, ndjenjat e dëshirat tona as nuk mund të kapen, as nuk mund të maten, as nuk mund të përcaktohen me kurrfarë mjetesh a instrumentesh as sot, as kurrë. Nga kjo del fare e qartë se mendimet, ndjenjat, dëshirat e synimet tona, janë jomateriale sepse edhe mendja jonë është jomateriale. Mirëpo, është shumë e qartë, gjithashtu, se edhe mendja jonë edhe mendimet, ndjenjat, dëshirat e synimet tona – ekzistojnë. Ekzistojnë, sepse veprimi i tyre përjetohet prore në jetën tonë të përditshme. Mirëpo, zbulimet e reja shkencore provojnë se nuk mendon vetëm mendja, por mendon edhe çdo qelizë e trupit tonë.

VËMENDJA

Fjala “Vëmendje“ është një fjalë e mrekullueshme e gjuhës sonë. Kjo, nëse e analizojmë më hollësisht, do të thotë ta vëmë mendjen, ta vendosim mendjen, ta përqendrojmë mendjen tonë mbi një gjë apo send, mbi një problem, ose mbi një çështje. Kjo do të thotë ta vëmë ose ta përqendrojmë mendjen tonë mbi çfarëdo fenomeni, qoftë real, material përmbajtjesor, ose qoftë ai joreal, jo material dhe jo përmbajtjesor. Më pak fjalë, vëmendje do të thotë përqendrim i mendjes sonë në çfarëdo procesi në të cilin marrim pjesë, qoftë si pjesë aktive ose pasive e atij procesi. Nga të gjitha që njohim deri tash, vetëm mëndja e njeriut mund të vihet ose të përqendrohet mbi të gjitha. Vetëm për një moment, mendja e njeriut mund të përshkojë gjithësinë anë e përtej. Vetëm mendja e njeriut mund të përshkojë edhe asgjësinë anë e tej dhe, përsëri pa vështirësi e pa u vonuar, t’i kthehet vetvetes. Ja tash, ne pasi menduam për të gjitha, kthehemi dhe, me anë të mendjes sonë, mendojmë për mendjen tonë. Vetëm mendja e njeriut mund të mendojë për vetveten. Vetëm njeriu, nga të gjitha krijesat e gjithësisë e ka këtë privilegj. Prandaj, le të vëmë mendjen, le të përqendrojmë mendjen fort nëse duam që të zbulojmë kush jemi, çka jemi dhe përse jemi në këtë gjithësi. Duke pasur këtë parasysh, rëndësia e vëmendjes, në jetën tonë, në veprimet tona, në mësimet tona, është e jashtëzakonshme. Në jetën tonë të përditshme, sa e sa herë na ka ndodhur që edhe shqisat tona nuk na kanë ndihmuar nëse nuk e kemi pasur të përqendruar mendjen tonë. Sa e sa herë na ka ndodhur që nuk kemi vërejtur njerëzit që kanë kaluar krejt afër nesh dhe mbi të cilët e kemi pasur të drejtuar madje edhe shikimin. Kjo na ka ndodhur sepse mendjen e kemi pasur diku tjetër. Po kështu na ka ndodhur edhe na ndodhë që nuk kemi dëgjuar dhe nuk i dëgjojmë, as fjalët që na i kanë thënë dhe që na i thonë të tjerët, sepse mendjen e kemi pasur diku tjetër. Kjo na ka ndodhur dhe na ndodhë edhe me fjalët që kemi lexuar e lexojmë në jetën tonë të përditshme. Përse ? Për të vetmen arsye se mendjen tonë e kemi pasur, ose e kemi diku tjetër. Kjo, provon thënien se njeriu, në të vërtetë, është atje ku e ka mendjen.

Njeriu me vëmendje të shpërqëndruar edhe vetë është njeri i shpërqëndruar.

Njeriu me vëmendje të copëtuar edhe vetë është njeri i copëtuar.

Njeriu me vëmendje të përciptë është edhe njeri i përciptë.

Njeriu me vëmendje të plotë është edhe njeri i plotë.

Njeriu me vëmendje të fortë është edhe njeri i fortë.

Në fund të fundit, çdo përjetim i njeriut është rezultat i cilësisë së vëmendjes së vet. Nëse njeriu me tërë vëmendjen e vet përjeton një muzikë, ai edhe vetë shndërrohet në muzikë. Nëse njeriu me krejt vëmendjen e vet përjeton një pamje të bukur bregdetare ose malore, ai edhe vetë shndërrohet në bregdetin ose malin e bukur. Prandaj, le ta përqendrojmë mendjen tonë këtu që të mund të mësojmë. Për rëndësinë e jashtëzakonshme të vëmendjes do të bindeni gjatë mësimeve tona, por edhe më shumë do të bindeni gjatë jetës e punës suaj gazetareske.

Aq vëmendje sa do t’i kushtonin partnerit tuaj aq vëmendje do t’ju kushtojë ai juve. Sa më shumë vëmendje që do t’i kushtoni një objekti, një dukurie, ose çfarëdo problemi qoftë, ai objekt, ajo dukuri, ose ai problem do të vijë gjithnjë e më tepër duke u rritur, duke u zgjeruar dhe duke u thelluar para jush; ai do të vijë duke shpalosur para jush pjesët e veta përbërëse deri te detalet e veta.Vëmendja e juaj e përqendruar rreth pikës së interesimit tuaj do ta bëjë që, rreth asaj pike, të përqendrohet sasi gjithnjë e më e madhe e energjisë suaj. Kjo do të jetë energjia që do të ushqejë me forcë vullnetin tuaj dhe do të shndërrohet në energji shtytëse, kurse kjo energji me anën e synimit do të transferohet në forma të shumta aksionesh të cilat do të ndihmojnë realizimin e dëshirave e qëllimeve tona. Nga përvoja juaj e deritashme, keni pasur mundësi që të bindeni se kurdoherë që keni pasur vëmendjen tuaj të përqendruar në punën tuaj keni pasur dy përfitime të mëdha. Nëse, me vëmendje keni lexuar një libër të mirë, përmbajtja e tij ju është thadruar në kujtesë dhe në fund e keni ndier veten të lumtur. Nëse, me vëmendje, keni dëgjuar ndonjë këngë ose melodi të bukur, ju e keni kapur menjëherë melodinë dhe e keni ndier veten të gëzuar. Nëse, me vëmendje, keni dëgjuar ndonjë bisedë, fjalim ose intervistë interesante ju e keni ndier veten të pasuruar, të lehtësuar dhe të lumtur.

Por, kur e kemi fjalën për vëmendjen, rëndësia e saj më e madhe dhe përfitimi më i madh prej saj është se me anën e vëmendjes, jo vetëm që thellohemi dhe njihemi më së miri me objektin mbi të cilin jemi përqendruar, por me anën e vëmendjes mbledhim edh energjinë e duhur për të zgjidhur problemin. Sa më e madhe që të jetë vëmendja e përqendruar aq me e madhe ka për të qenë energjia e mbledhur. Sa më e fortë që të jetë përqendruar vëmendja jonë, aq më e fortë do të jetë energjia e mbledhur. Sa më e madhe dhe sa më e fortë të jetë vëmendja aq më e madhe dhe aq më e fortë do të jetë energjia që përmes synimit do të transformohet në aksione e procese që do të ndihmojnë sendërtimin e dëshirave e të qëllimeve tona. Të marrim ndonjë shembull konkret. Nëse populli ynë do t’ia kushtonte vëmendjen e duhur diturisë do ta kishte diturinë; nëse do t’ia kushtonte vëmendjen e duhur lirisë, ai, qysh moti, do ta fitonte lirinë. Me këtë shembull nuk më shkon as mendja që, për gjendjen që jemi, ta fajësoj popullin tonë. Jo, sepse ky, për këtë nuk e ka as më të voglin faj. Dua vetëm të them disa fjalë, pikërisht, për të sqaruar më mirë arsyet përse populli ynë nuk i kushtoi vëmendjen e duhur diturisë e lirisë. Sepse i mungoi faktori i parë: d i j a .

Ç’ËSHTË DIJA?

Edhe për dijen ka definicione të panumërt. Një definicion, fort i pranuar, thotë se dija është aftësia për të parashikuar të ardhmen. Por, në bazë të dijes që disponoj në këtë moment mendoj se dija është njohja e thelbit ose esencës së të gjitha forcave, objekteve e fenomeneve që na imponohen e që na rrethojnë. Zgjerimi i njohurive varet nga prirjet e trashëguara përmes gjeneve dhe nga rrethi ku lindet, rritet e edukohet individi i caktuar. S’ka nevojë të jemi shumë të zgjuar për ta marrë me mend se me çfarë njohurish e aftësish mund të pajiset një fëmi i lindur me të meta piko-fizike edhe nëse lindet në një rreth fort të përparuar. Po ashtu, mund të marrim me mend se, me çfarë njohurish e aftësish dhe me çfarë dije mund të pajiset edhe fëmiu më i talentuar nëse lindet e rritet në një rreth të prapambetur.

Shumica dërmuese e të parëve tanë të lashtë e më pak të lashtë, u lindën dhe u rritën në rrethe tejet të varfra e të prapambetura. U lindën e u rritën në rrethe tejet të izoluara bjeshkatare, malore e fshatare. Izolimi i brendshëm ndër ilirë e ndër shqiptarë, ishte shumë i theksuar. Nga Historia dimë për fiset e shumta e për shtete e shumta ilire, të shkapërderdhura hapësinore të siujdhesës ilirike. Këto ishin shtete të vogla, të prapambetura, të varfra dhe, të shumtën e herës, pa marrëdhënie të ngushta me njëra-tjetrën. Mund të merret me mend se me çfarë dije të mangët mund të pajiseshin ilirët që lindeshin e rriteshin në ato ambiente të egra malore. Ne, nuk patëm asnjë qytet të madh ilir, qoftë në kontinent, qoftë në Adriatik, ku do të mblidheshin dijetarët ilirë dhe ku do të kultivonin dituritë ilire. Disa historianë kanë dëshirë që të mburren me disa qytete të mëdha bregdetare të dikurshme, në trojet ilire. Mirëpo, e vërteta është se ato qytete, në kohën e vet ishin nën pushtetin grek, ose romak, kurse ilirët ishin gjithsesi jashtë tyre. Në ato qytete lulëzonin dituritë greke e romake, të shumtën, ilirët mund të ishin argatë, ose konsumatorë të këtyre diturive.

Përndryshe, si të shpjegohet e vërteta se ne, nuk trashëguam kurrfarë shkrimesh, kurrfarë mbishkrimesh, kurrfarë shënimesh për dituritë e lëvruara nga ana e të pareve tanë të lashtë? Ne dimë për të parët tanë nga shënimet dhe shkrimet e të tjerëve për ta. Pas pushtimit të plotë të Ilirisë e të Arbërisë, ne ruajtëm ekzistencën tonë fizike, ne ruajtëm gjuhën e mëvetësinë tonë etnike e kombëtare, duke ikur e duke u vendosur bjeshkëve e maleve e duke zbritur, kur mundeshim, në rrafshina. Gjatë krejt kohës së robërive tona, pushtuesit tanë, na rrëmbyen mbipunën tonë, na e muarën me dhunë mbiprodhimin tonë, na e përvetësuan, me hile, mbivlerën tonë. Por, mbi të gjitha, na privuan nga dija. Sepse, dija ishte dhe është më e rëndësishmja nga të gjitha.

Mund të merret me mend se me çfarë dije e aftësish mund të pajiseshim ne, në rrethanat e dominimit, diskriminimit e destruksionit të huaj. Me këtë dije shumë të vogël e me këto aftësi shumë të kufizuara, ne, nuk qemë në gjendje që të zbulonim esencën e forcave, objekteve e dukurive që na rrethonin e që na imponoheshin. Prandaj edhe u pushtua Iliria, prandaj u pushtua Arbëria, prandaj edhe u copëtuan, në gjashtë pjesë, tokat e mbetura shqiptare, sepse, pa dije s’ka vetëdije, pa vetëdije s’ka organizim, pa, organizim s’ka forcë as për t’u mbrojtur, as për t’u liruar as për të ecur përpara. Dija ishte faktori i parë që na mungonte që të mund të mbroheshim nga pushtimet greke, romake, sllave, otomane e prapë sllave. Dija është faktori i parë që po na mungon edhe sot, që të mund të shndërrohemi në faktor të respektueshëm në hapësirat e Evropës juglindore.

Le të sqarojmë edhe më për së afërmi rolin e dijes. Dija e njeriut lind, rritet e zgjerohet duke mbledhur njohuri e informata gjithnjë e më shumë për esencën e të gjitha forcave, objektive e dukurive që na rrethojnë. Dija rritet e thellohet duke zbuluar sa më shumë nga ato që tashmë ekzistojnë në rrethin tonë të afërt dhe të largët. Sa më i varfër dhe sa më i prapambetur që të jetë rrethi ku lindet, rritet e edukohet njeriu, aq më të pakta janë forcat, objektet e dukuritë që e rrethojnë. Dhe, sa më të pakta të jenë forcat, objektet e dukuritë që e rrethojnë, aq më të mangëta do të jenë njohuritë e njeriut përkatës për jetën. Dhe, sa më të pakta të jenë njohuritë, aq më e vogël do të jetë dija. Dhe sa më e vogël që është dija, aq më e vogël është aftësia ose zotësia për të zbuluar ose konsultuar esencën e forcave, objekteve e të dukurive që na imponohen ose që na rrethojnë. Dija e vogël nuk mund të thithë ose të grumbullojë shumë informata e njohuri sepse nuk ka kapacitet për një gjë të tillë. Sikurse, bie fjala, njeriu që di vetëm pesë germa të alfabetit, çfarë mund të lexojë ai? Kur njeriu di vetëm një gjuhë, gjuhën e vet, çfarë mund të dijë ai për dijen që akumulohet në hapësirat e gjuhëve të tjera? Kur dija e vogël vendnumëron, ajo, më në fund, stërkeqet dhe prirjet për talentet e individëve shuhen. Dija e vogël mjaftohet me sa më pak informata e njohuri. I keni parë, injorantët më të mëdhenj, mendojnë se janë më të mençurit e botës.

Njeriu me dije të vogël, shqyrton objektet në mënyrë të njëanshme sepse ai, nuk ka kapacitet për të bërë shqyrtimin e objekteve në mënyrë të gjithanshme. Njeriu me dije të vogël, shqyrton dukuritë në mënyrë të përciptë sepse ai, nuk ka kapacitet për t’i shqyrtuar ato në mënyrë të thelluar. Njeriu me dije të vogël, shqyrton objektet e dukuritë në mënyrë formale sepse ai, nuk ka aftësi për t’i shqyrtuar ato në mënyrë përmbajtësore.

Njeriu me dije të vogël, nuk ka zotësi që të kridhet në brendinë e forcave, objekteve e dukurive që e rrethojnë dhe atje të zbulojë kundërthëniet e brendshme që i vënë në lëvizje ato forca, objektet e dukuri. Në këtë mënyrë njeriu me dije të vogël, vazhdimisht mashtrohet dhe humbet rrugën në kërkim të lirisë. Prandaj, njeriu me dije të vogël, prore mbetet objekt inferior i forcave që e rrethojnë.

Njeriu me dije të vogël, është porsi përçuesi i hollë i rrymës. Ai nuk e duron dot rrymën e tensionit të lartë. Nëse, megjithatë, do ta ngarkojmë me rrymë të tensionit të lartë, atëherë teli do të digjet dhe procesi do të dështojë. Prandaj, me punë të përditshme, ngadalë, por në mënyrë këmbëngulëse, le ta rrisim, le ta zgjerojmë dhe le ta thellojmë dijen tonë. Sot, populli ynë, me gjithë vështirësitë e mëdha që e rrethojnë, merr frymë lirisht dhe nuk është i vetmuar në botë. Sot, falë dijes së madhe, edhe bota është bërë e vogël. Sot, dija na afrohet në çdo hap. Duhet vetëm ta dimë rëndësinë e dijes dhe duhet ta kemi plotësisht të qartë se dija e kufizuar ka si rrjedhim edhe vetëdijen e kufizuar.

Ç’ËSHTË VETËDIJA?

Vetëdija, ç’fjalë e mrekullueshme shqipe. Por këtë fjalë nuk duhet ngatërruar me atë fjalën e thjeshtë të përditshme kur kemi të bëjmë me situatat kur njerëzit, për shkak se u bie të fikët, humbin vetëdijen. Ose, pasi që këndellen kthehet vetëdija. Në përdorimin tonë kjo fjalë ka kuptimin e fjalës së huaj koshiencë, ose edhe të fjalës tjetër shqipe ndërgjegje. Vetëdija, pra është dija e përvetësuar, dija e asimiluar, dija e metabolizuar. Nuk mjafton, për shembull, njeriu të thotë se di që shëndeti është themeli i lumturisë. Nëse njeriu, me mendjen e vet, me mënyrën e ushqimit të vet dhe me sjelljet e vet e dëmton shëndetin e vet, ai, në të vërtetë nuk e di se shëndeti është themeli i lumturisë. Nëse atë që e thotë, nuk e zbaton në jetë, atëherë kjo do të thotë se ajo dije nuk është dije e përvetësuar nga ai, por është dije jashtë vetes së tij.

Populli ynë e thotë bukur se po s’e pate shëndetin, ta kesh edhe krejt botën nuk të vlen asgjë. Mirëpo, po qe se kjo dije nuk përvetësohet, por vetëm përfolët e shkruhet, atëherë mbetet vetëm dijne e fjetur, për më tepër, mbetet dije e vdekur, e mbështjellur në fjalë e në letër. Vetëm dija, të cilën njeriu e përdorë, vetëm dija të cilën njeriu e vë në jetë,vetëm dija, të cilën njeriu e zbaton në jetë, bëhet dije e tij, bëhet dije e gjallë. Në shembullin tonë, vetëm ai që në tersi, i përmbahet dijes për ruajtjen, mbrojtjen e forcimin e shëndetit është shëndetësisht i vetëdijshëm. Të tjerët që pjesërisht ose përgjysmë zbatojnë dijen për ruajtjen, mbrojtjen e forcimin e shëndetit, ata janë shëndetësisht pjesërisht ose përgjysmë të vetëdijshëm.

VETËDIJA KOMBËTARE

Dija që përvetësohet e zbatohet në frymën e vënies së interesave kombëtare përpara e mbi interesat individuale, familjare, grupore, fisnore, krahinore, fetare, ideologjike a partiake, është vetëdija kombëtare.Kjo nënkupton marrjen për sipër dhe kryerjes sipas aftësisë, të çdo detyre që është bë funksion të ruajtjes, mbrojtjes e forcimit kombit.Kombi ruhet më së miri duke frenuar dhe pamundësuar lakmitë e ambiciet e padrejta të kombeve të kombeve tjera ndaj nesh, por njëkohësisht edhe duke frenuar e pamundësuar ambiciet e lakmitë tona të padrejta ndaj kombeve tjera.

Kombi mbrohet duke mbrojtur të gjitha të drejtat e çdo bashkëkombësi, por, pa dëmtuar të drejtat e pjesëtarëve të kombeve tjera. Kombi mbrohet duke qenë të hapur për bashkëpunim me të gjitha kombet liridashëse në botë. Kombi mbrohet duke mbrojtur lirinë e kombeve të kërcënuara e duke ndihmuar aktivisht lirimin e kombeve të robëruara. Kombi forcohet duke rritur e zgjeruar dijen e duke ngritur vetëdijen shkencore, artistike e politike si forca të domosdoshme organizuese. Kombi forcohet duke garantuar me këmbëngulje lirinë e mendimit dinamik, lirinë e krijimit përparimtar dhe të veprimit produktiv. Kombi forcohet duke identifikuar dhe neutralizuar mashtruesit, hilexhinjtë, manipulatorët dhe kriminelët e të gjitha llojeve. Kombi forcohet duke e përsosur identitetin e veçoritë e vetë pozitive që, duke ngritur cilësinë e vet, të pasurojë larushinë e të forcojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin ndërkombëtar.

VETËDIJA DEMOKRATIKE

Vetëdija demokratike është dija e përvetësuar e cila përkrah ose i nënshtrohet vullnetit të shumicës së qytetarëve për të ushtruar pushtetin politik, ose për të marrë vendime lidhur me interesin kolektiv. Përndryshe fjala DEMOKRACI vjen nga fjalët greke “ demos “ që do me thënë popull dhe “ kation “ ose “kraci“ që do të thotë pushtet. Mënyra më efikase dhe më e përhapur për shprehjen e vullnetit të lirë të qytetarëve janë zgjedhjet e lira. Si shembull për vetëdijen e lartë demokratike, ka mbetur e shkruar dhe përmendet shpesh sjellja me vetëdije të plotë demokratike të një burrështeti të shtetit të lashtë të Athinës. Ky burrë ishte duke shkuar rrugës së qytetit, papritmas i afrohet një qytetar me rrasën e votimit në dorë dhe e lutë që t’ia plotësojë rrasën e votimit sepse ai kishte pas qenë analfabet. Kur e pyet bujari se për kë përcaktohet qytetari i lirë, pa ditur se me kë kishte punë, qytetari i lirë i thotë që të shënojë emrin e atij i cili pikërisht, ishte kundërshtari i bujarit që plotësonte rrasën. Ai, buzëqeshi dhe ia plotësoi rrasën sipas dëshirës së qytetarit analfabet. Është e ditur nga të gjithë se historia e njerëzimit është plot periudha gjatë të cilave, me anë e dhunës, pushtetin e tyre, shumicës së popullit , ua kanë imponuar klasa, shtresa, grupe dhe individë të ndryshëm. Kjo ka qenë dhe është e mundur për shkak të kapacitetit të vogël të dijes dhe për shkak të shkallës së ulët të vetëdijes së qytetarëve. Mungesa e dijes dhe vetëdijes së duhur ka si rrjedhim paaftësinë organizuese të qytetarëve për të mbrojtur, ose për të imponuar vullnetin e tyre politik.

VETËDIJA QYTETARE

Për shkak se ishim për një kohët tepër të gjatë të privuar nga dija e plotë dhe e vërtetë edhe vetëdija jonë përparoi me ritme shumë të ngadalësuara. Prandaj, në shumë drejtime, a i takon vetëdijes,jemi të vonuar. Ende nuk e kemi arriture shkallën e duhur të vetëdijes kombëtare e ne na imponohet nevoja e krijimit të vetëdijes qytetare. Populli ynë duke qenë kohë të gjatë i shtypur, i ndjekur e nën dyshim nga pushtues të ndryshëm, e ka të vështirë që, sa çel e mbyll sytë të harrojë të kaluarën e vet të hidhur dhe të jetë i afërt me pjesëtarë të kombeve pushtuese që na shtypën me dhunë ose ndaj pjesëtarëve të grupeve etnike që në disa raste të vështira me veprimet e tyre muarën anën e pushtuesit.

Në Kosovë, bashkë me shumicën dërmuese shqiptare gjithmonë jetuan edhe pjesëtarë të popujve pushtues si edhe pjesëtarë të bashkësive tjera etnike. Por, ajo bashkëjetesë, sidomos me popujt pushtues e shtypës, prore ishte e imponuar. Ende, aty këtu, ka shqiptarë të gjallë që mbajnë mend zullumet otomane ndaj shqiptarëve. Edhe sot ka mbetur një ftohtësi ndaj pjesëtarëve të bashkësisë së vigël turke për shkak të përvojës së hidhur, me sjelljet e një pjese të vogël të tyre që , në të kaluarën e afërt, për disa privilegje të vogla, patën marrë anën e pushtuesve tanë.

Sa i takon ftohtësisë e dyshimit ndaj pakicës serbe është e tepërt të flitet. Regjimi serb me politikën e vet kolonizuese një numër të madh të popullatës serbe e shndërroi në administratë të drejtpërdrejtë të politikës së vet. Shumë prej tyre ishin qytetarë të privilegjuar dhe madje muarën pjesë edhe në krimet shfarosëse ndaj shqiptarëve ndaj shqiptarëve. Kjo ka bërë sot bukur të vështirë dallimin midis regjimit dhe popullatës së thjeshtë serbe. Edhe disa grupe etnike më të vogla, për shkak të dijes së vogël e të vetëdijes së ulët, si një numër iu romëve për shembull, u njollosën keq me qëndrimin e tyre të turpshëm ndaj shqiptarëve në situata të vështira.

Të gjitha këto janë pengesa serioze në rrugën e krijimit të shpejtë të vetëdijes qytetare. Mirëpo, edhe pse ngadalë, shqiptarët po e kuptojnë se nga e kaluara mund të jetohet dhe se nuk duhet të lejojmë që e kaluar të na zërë peng dhe të na verbojë deri në atë shkallë s atë mos shohim se e sotmja dhe e ardhmja, megjithatë janë fort më të rëndësishme se e djeshmja e hidhur. Duhet ta përvetësojmë dijen e vërtetë se shpenzimi i energjisë duke u marrë me të kaluarën do të thotë të bjerrim energjinë tonë kot. Sepse, sado që të përpiqemi, ne nuk do të mund ta ndryshojmë të kaluarën. Sepse energjia jonë është në të tashmen. Prandaj, duhet të përqendrohemi në të tashmen dhe ta ndryshojmë në kahe pozitive të tashmen. Sepse, vetëm duke ndryshuar e ndërtojmë të tashmen, ne përgatisim të ardhmen tonë më të mirë.

Prandaj, porsa t’i hedhim themelet e shtetit të Kosovës dhe porsa të “ ngopemi “ me shqiptarizmin tonë , do ta kuptojmë se bashkëjetesa me të gjithë pjesëtarët e pakicave kombëtare dhe të grupeve tjera etnike që duan të jetojnë me ne, në barazi të plotë qytetare, nuk është pengesë, por është përparësi. Gjithnjë e më tepër, kriter për t;i vlerësuar qytetarët, nuk duhet të jetë dhe nuk do të jetë kush cilit komb, ose cilës bashkësi etnike i takon, por kush, si e sa bën për përparimin e gjithanshëm të Kosovës.

Vetëdija qytetarë është proces i gjatë, por i domosdoshëm nëse duam që tyë lirohemi nga filozofia provincialiste e mbylljes ën vetvete. Sepse, mbyllja në vetvete është e keqja më e madhe dhe gabimi më i madh, si për individin si për kolektivet më të mëdha. Ajo është në kundërshtim të plotë me të vërtetën jetësore. Shembulli i Serbisë, është shembulli m,ë i qartë dhe shembulli më i madh për këtë që thamë.

Baza më e mirë për kulturën e vetëdijes qytetare, është krijimi i rrethanave të atilla të bashkëjetesës ku të gjithë qytetarët, pavarësisht nga origjina e përkatësia e tyre, do të kenë mundësi të barabarta të punës, të mësimit, të përparimit dhe të gëzimit të jetës dhe të fryteve të punës së tyre. Vetëdija qytetarë është dija e përvetësuar dhe e zbatuar për atë se interesi i çdo qytetari, se interesat e pjesërishme të qetarëve janë të pandashme dhe të pamundshme pa kultivimin , ruajtjen dhe forcimin e të gjitha interesave të të gjithë qytetareve, pa përjashtim.Vetëdija qytetare është hyrje në një vetëdije edhe më të lartë, në vetëdijen njerëzore.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …