leoni

Adil Fetahu

ADIL FETAHU: A E DINI SE NJË GJYKATË FRANCEZE E KA GJYKUAR KISHËN ORTODOKSE SERBE?

Nuk është lajm i ri, sepse kjo ka ndodhur në vitin 1995, por është interesant për faktin se është gjykimi i parë i Kishës Ortodokse për krime gjenocidi e pastrimi etnik. Dhe të jemi të qartë: ai aktgjykim nuk ishte  në bazë të ndonjë aktakuze të ngritur kundër KOS, por në mënyrë indirekte, në bazë të një akuze që kishte ngritur  vet KOS kundër tri gazetave franceze. Dhe ja si ishte zhvilluar lëmshi i kësaj ngjarje.

Unë këtë fakt, të gjykimit të KOS nga një gjykatë, bile prej një shteti që konsiderohet mik tradicional i Serbisë, nuk desha ta lë në heshtje e të mos dihet. Aq më tepër, se është një rast i vetëm që ka ndodhur në Europë, në mos edhe më gjerë, por nuk duhet të mbetet edhe i fundit! 

 

Ja si ishte zhvilluar lëmshi i kësaj ngjarjeje.

Në vitin 1994, gazetat franceze: ‘’Liberation’’, ‘’Le Monde’’ dhe ‘Le Figaro’’, kishin shkruar për krimet e luftës, pastrimin etnike dhe gjenocidin që kishin kryer forcat serbe në Bosnje-Hercegovinë. Në shkrimet e tyre, ato media kishin theksuar se Kisha Ortodokse Serbe dhe prelatët e saj po i përkrahin ato krime, duke e përmendur pikërisht edhe vet patriarkun e atëhershëm të KOS, Pavle, i cili në një turne nëpër rajonet e pastruara etnikisht në të ashtuquajturën Republika Srpska, ka mbajtur procesione kishtare, dhe ka takuar kriminelët kryesorë: Radovan Karaxhiqin e Ratko Mlladiqin, që bashkë me ta e kanë ‘’thyer pogaçën’, i ka bekuar ata për punën që po bënin për çështjen serbe, dhe i ka porositur të mos pranojnë kurrfarë plani të paqes, as të mos lejojnë kurrfarë kufiri midis vëllezërve serbë në të dy anët e Drinës. Dy javë pas atij takimi të patriarkut me ata kriminelë,  në referendumin e organizuar në pjesën serbe të Bosnjës (më 14 gusht 1994), me mbi 96% të votuesve ishte refuzuar Plani Paqësor i Grupit të Kontaktit. Gazetat e përmendura në Francë i kishin përhapur lajmet për involvimin e KOS në luftë dhe ia kishin atribuuar pjesën e fajit për kimet e kryera.

Kisha Ortodokse Serbe, e prekur nga faji që po ia ngarkonin kishës dhe vet patriarkut, përmes ekspoziturës së vet që e kishte në Paris, kishte ngritur padi kundër gazetave të përmendura, gjoja se me shkrimet e tyre e kanë dezinformuar opinionin me të pavërteta dhe e kanë fyer KOS dhe patriarkun e saj. Në procesin gjyqësor të zhvilluar në Paris,  kishën e kishte përfaqësuar vlladika Atanasije Jevtiq.

Për krimet e kryera në BH dhe kontributin e KOS që kishte dhënë në ato krime, kishin dëshmuar shumë gazetarë dhe ekspertë, ndër të cilët edhe historiani i njohur Paul Garde dhe bizantologu serb Ivan Gjuriq.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe vlerësimit të argumenteve të paraqitura ‘’për’’ dhe ‘’kundër’’ padisë, Gjykata e Parisit kishte marrë vendim, dhe në dispozitivin e aktgjykimit kishte konstatuar se: ‘’Gazetat e paditura… nuk janë fajtore, nuk e kanë dezinformuar opinionin ,  nuk kanë shpifur kundër KOS,  nuk kanë shkruar të pavërteta në lidhje me ngjarjet e luftës në Bosnje-Hercegovinë dhe në lidhje me veprimet e kishës serbe e të patriarkut Pavle. Gazetarët kanë shkruar të vërtetën, ndërsa KOS është bashkëfajtore për vuajtjet në masë të popullsisë civile, respektivisht për pastrimin etnik dhe gjenocidin në Bosnje-Hercegovinë. Faktet janë fakte dhe e vërteta franceze nuk mund të heshtet’’, ka shkruar në aktgjykimin e saj Gjykata e Parisit.

***

Por, këto fakte i ka heshtur dhe i heshtë Serbia, i ka heshtur edhe Tribunali i Hagës, i kanë heshtur edhe prokuroritë dhe gjykatat në Bosnje, në Kroaci e në Kosovë, ndonëse kanë pasur mjaft fakte e argumente për të ngritur padi penale kundër Kishës Ortodokse Serbe dhe ‘’prelatëve’ të saj, duke prej vet patriarkut Pavle e deri te niveli më i ulët në hierarkinë e kishës, të cilët i kanë bekuar, përkrahur, ndihmuar dhe disa edhe vet drejtpërdrejt kanë marrë pjesë në krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe pastrimet etnike. Sikur që sot ka argumente e fakte që organet e Kosovës të ngritin padi kundër Kishës Ortodokse Serbe dhe vet patriarkut aktual, Porfirije, për veprimet  që po bëjnë kundër  shtetit Kosovës, duke mbajtur armë e strehuar kriminelë, siç ishte rasti i Banjskë në shtator të këtij viti.

Unë këtë fakt, të gjykimit të KOS nga një gjykatë, bile prej një shteti që konsiderohet mik tradicional i Serbisë, nuk desha ta lë në heshtje e të mos dihet. Aq më tepër, se është një rast i vetëm që ka ndodhur në Europë, në mos edhe më gjerë, por nuk duhet të mbetet edhe i fundit!

Kontrolloni gjithashtu

Smajl Latifi: Me zemrën zjarr e me pushkë në dorë, Agroni nuk u ndal asnjëherë për çlirimin dhe të drejtat e popullit tonë të robëruar

Komandanti Agron Rrahmani – Naseri, Heroi i Kosovës dhe i tërë kombit tonë, mbetet pishtar …