Adil Fetahu

Adil Fetahu: Duke rilexuar ( ndryshe ) internacionalistin serb, Dimitrije Tucoviq

*“Me hyrjen e ushtrisë sonë në Kosovë, kemi hyrë në tokë të huaj. Deçani mund të mallëngjejë shpirtin e romantikëve nacionalë, veçse për stabilitetin e regjimit  të ri në këto anë kjo nuk do të thotë asgjë. Shkaku themelor i të gjitha të këqijave, prej të cilave vuajmë sot dhe do të vuajmë shumë në të ardhmen,  është se kemi hyrë në tokë të huaj dhe me paramendim është tentuar vrasja e një populli të tërë, gjë që është krim”.

 

* “Qeveria deklaroi përmes Ministrit të punëve të jashtme, se Shqiptarët do të dënohen në mënyrë shembullore, shtypi borgjez kërkonte shfarosjen e tyre të pamëshirshme, dhe ushtria këto i zbatonte” (DimitrijeTucoviq: “Serbija i Arbanija”/Serbia dhe Shqipëria, fq.84/.

 

*

Gjeneratat e mëhershme e njohin veprën dhe personalitetin e intelektualit të shquar serb, socialdemokratit Dimitrije Tucoviq (1881 – 1914), themelues dhe kryetar lëvizjes dhe Partisë Socialdemokrate në Serbi, redaktor i gazetës “Radniçke novine” (shq. Gazetë e Punëtorëve) dhe gazetës “Borba”. Shqiptarët e njohin Tucoviqin përmes librit/studimit të tij kryevepër, me vëllim të vogël, por me vlerë të madhe: “Srbija i Arbanija – jedan prilog kritici zavojevaçke politike srpske burzhoazije” (shq. Serbia dhe Shqipëria – një kontribut kritikës së politikës pushtuese të borgjezisë serbe), libër ky i botuar herën e parë në vitin 1914, ndërsa i përkthyer dhe botuar në shqip, në vitin 1968, me një “Pasthënie” të thuktë nga historiani ynë, Ali Hadri.

Ata që kanë pasur rastin ta lexojnë librin “Srbija i Arbanija”, kanë parë se me çfarë realizmi historik shkruan Tucoviqi për gjendjen e shqiptarëve dhe për mizoritë e soldateskës serbe kundër shqiptarëve në Luftën Ballkanike dhe në fillimet e Luftës së Parë Botërore.

Libri,  Serbia dhe Shqipëria është një studim mjaft i thellë, për kohën kur është shkruar, me përmbajtjen e sistemuar, pas një Parathënie të shkurtër të autorit,  në katër kapituj: (1) Nga jeta e shqiptarëve: – Atdheu dhe përhapja; – Organizimi fisnor dhe gjakmarrja; – Gjendja ekonomike; – Karakteri i popullit dhe jeta shpirtërore; (2) Autonomia e Shqipërisë: – Fillimi i lëvizjes për autonomi;  – Veriu dhe Jugu, Gegët dhe Toskët; – Perspektiva e së ardhshmes; (3) Luftërat për Detin Adriatik: – Deti Adriatik dhe luftat në Lindje. – Austrohungaria dhe Italia, – Deti Adriatik dhe Ballkani; (4) Serbia dhe Shqipëria (që është edhe titulli i librit): – Lakmitë imperialiste të borgjezisë sonë; – Të prirurit kah deti; – Disfata e ndërmarrjes imperialiste; – Okupimi ushtarak i Shqipërisë; – Përfundimet e politikës imperialiste.

Ne shqiptarët e njohim Tucoviqin kryesisht përmes librit të përmendur, “Serbia i Arbanija”, por  janë edhe dhjetë libra tjerë voluminozë, “Vepra të zgjedhua” (I-X) të Tucoviqit, afro 6000 faqe tekst: memoare, biografi, ditarë, letërshkëmbim me personalitete të njohura të lëvizjes punëtore, artikuj të botuar në gazeta, etj.

Nga Parathënia e librit “Serbija i Arbanija”

“Jemi marrë këtu me çështjen shqiptare në një mënyrë paksa më të plotë, më tepër nga nevoja praktike, se sa nga interesi teorik. Politika e qeverisë sonë ndaj Shqipërisë përfundoi me një disfatë që na kushtoi viktima të mëdha. Viktima edhe më të mëdha na presin në të ardhmën.  Me politikën imperialiste të qeverisë serbe kundër popullit shqiptar, në kufirin perëndimor të Serbisë, u krijuan marrëdhënie të tilla, sa që është vështirë të vendoset në një të ardhme të afërt paqja dhe gjendja normale. Njëkohësisht kjo politikë e hodhi Shqipërinë në krahët e dy fuqive të mëdha më të ineresuara për Balkkanin Perëndimor (Austrohungarisë dhe Italisë, v.j.), E pra, çdo forcim i influencës së cilitdo shtet kapitalist në Siujdhesën Ballkanike, është një rrezik serioz për Serbinë dhe zhvillimin normal të të gjithë popujve të Ballkanit.

Por, për t’iu përgjigjur këtij qëllimi praktik, na është dashur të merremi me gjendjën në Shqipëri. Kjo ka qenë aq më tepër e nevojshme, pasiqë, e para, shtypi ynë, në përpjekjen e destinuar për falimentim në ndihmën e një politike të gabuar e të mbrapshtë, me muaj e me vjet ka përhapë mendime tendencioze mbi popullin shqiptar; dhe e dyta, sepse me këto mendime edhe vetë qeveria u mundua ta justifikojë politikën e saj imperialiste kundër Shqipërisë.

Duke i njohur më mirë rrethanat dhe konfliktet e interesave në këtë pjesë të Ballkanit, mund të kuptohet më drejtë gjendja e Shqipërisë dhe të krijohen marrëdhënie më të mira në mes të popullit serb dhe atij shqiptar. Një njohje më e mirë nevojitet sidomos për proletariatin, mbi të cilin rëndon kryesisht misioni i lartë që ta luftojë rreptësisht politikën imperialiste të borgjezisë dhe të qarqeve sunduese dhe, në një problem aktual praktik, të tregojë se sa e shëndoshë dhe shpëtimtare është puna e socialdemokracisë së Ballkanit, për miqësinë, aleancën dhe bashkimin më të plotë të të gjithë popujve të Ballkanit.

Nëse ky libër i vogël do t’iu shërbejë si ndihmë partive socialdemokrate të Ballkanit në këtë mision historik, shpresat tona të përvuajtura nuk do të shkojnë kot.

Beograd, 1 janar 1914        D.T.”

* * *

Tucoviqi largpamës dhe vizionar

Me këtë rilexim të Tucoviqit, këtu nuk do të merremi me përshkrimiin  mizorive  që bënë ushtria serbe dhe ajo malazeze gjatë pushtimit të tokave shqiptare, gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, sepse ato tashmë janë të njohura e të publikuara edhe nga autorë tjerë:  Raporti i Komisionit Ndërkombëtar mbi Luftërat Ballkanike”(publikuar në vitin 1914);  Raporti i peshkopit të Shkupit e Prizrenit, Lazër Mjeda, për viktimat e popullsisë muslimane të Kosovës dhe Maqedonisë në Luftën Ballkanike, dërguar Vatikanit  më 24.01.1913; të dhënat prej atij  Raporti të Lazër Mjedes  i ka marrë Leo Freundlich kur e ka botuar librin e tij “Golgota Shqiptare”(1914). Nga ato raporte shihet gjithë mizoria dhe gjenocidi serb mbi shqiptarët, të kryera në vitet 1912-1913.

Ne këtu do të merremi me Tucoviqin nga një aspekt tjetër, se sa ishte ai largpamës kundër politikës nacional-shoviniste të borgjezisë serbe ndaj shqiptarëve, dhe si mendonte të krijoheshin raporte të shëndosha  dhe paqe midis popujve të Ballkanit. Tucoviqi me një dashamirësi të veçantë synonte bashkimin e popujve të Ballkanit në një lidhje federale apo konfederale, sipas shembullit të ShBA-ve. Synonte një bashkësi që do t’iu garantone të gjithë popujve liri, zhvillim e përparim. Ai e kishte kuptuar më së miri çështjen e ngatërruar të popujve të Ballkanit, gjithnjë të gatshëm për t’u therrë mes vete. Duke kritikuar politikën militariste të pushtetit, që po  hynte në borxhe dhe po shpenzonte buxhetin  për armatim, në një kohë kur ekonomia ishte e varfër dhe e prapambetur, Tucoviqi thoshte: “Në vendin tonë më së pari hyni makina e vrasjes, e mandej makina e punës… Kulmi i abuzimeve militariste është tentativa për daljen në det përmes okupimit të Shqipërisë…, e për të shtruar mbarë Shqipërinë e Veriut, së cilës i është vu syri, Serbia do të ishte e detyruar të mbajë garnizone të mëdha ushtarake dhe, pa dyshim, të derdhë gjak çdo vjet për rivendosjen e qetësisë.. Dalja në Detin Adriatik duke pushtuar Shqipërinë është gjë që kushton shtrejtë, është një absurditet ekonomik, ndërsa skllavërimi i popullit shqiptar, si mjet për dalje në det, u tregua edhe si absurditet politik… Politika grabitçare e Serbisë së vogël dhe ekonomikisht të pazhvilluar, duhej të përpiqej për t’i bashkuar e jo për t’i shtypur popujt e vegjël rreth vete. Ëndërra për dalje në Detin Adriatik, duke pushtuar Shqipërinë është gjë e kaluar, por hija e saj do ta errësojë për një kohë të gjatë diellin mbi krye të popullit serb…, do të mbetet në historinë e popullit serb si përmendorja më e përgjakshme e një viti regjimi lufte të borgjezisë…Mbas një gjysëm viti urie, vuajtje, shkatërrimi dhe flijimi të kotë të jetës së njerëzve, mbeturinat e shkreta t’aradhës bregdetare u kthyen, duke lënë pas vete, si shenjë, më se 5000 varre ushtarësh dhe urrejtjen e përgjithshme të popullsisë… Dhe dijeni se këto krime do mbahën mend brez pas brezi, siç mbahet mend Nata e Bartolomeut”, thoshte Tucoviqi në Kuvendin e Serbisë, derisa  deputetët e shikonin njeni-tjetrin dhe kthenin kokën në tjetrën anë.

Gjakova – qytezë e pastër shqiptare

Duke iu kundërvu propagandës së mediave për shqiptarët si racë më e ulët dhe dembelë,  Tucoviqi kishte shkruar një fejton në gazetën “Borba”, nga ç’kishte pa e vërejtë në Gjakovë. “Gjakova është qytezë e pastër shqiptare. Turqë nuk ka fare, e ata pak serbë, një grush sish, e kanë pjesën e vet që quhet “Lagjja e Serbëve”, në të cilën nuk kanë punëtori tjera përveç kafeneve. Tërë masën tjetër të popullsisë së Gjakovës e përbëjnë shqiptarët. Edhe rrethina e Gjakovës është pothuajse ekskluzivisht shqiptare. Në tërë këtë anë Serbia ka gjetur vetëm përmendore të mesjetës, mure të ftohta, të cilat kanë vlerë për arkeologët dhe artistët. Për shembëll, Deçani mund të mallëngjejë shpirtin e romantikëve nacionalë, veçse për stabilitetin e këtij regjimi në ato vise nuk do të thotë asgjë. Dhe shkaku i të gjitha të këqijave të cilat i vuajmë tash dhe nga të cilat do të vuajmë shumë në të ardhmen, konsiston në faktin se kemi hyrë në tokë të huaj. Dhe Gjakova nuk është qytezë shqiptare vetëm në raportin e popullsisë, por ajo është shqiptare me tërë jetën e jashtme dhe me ekonominë. Nuk janë aty vetëm minaret e xhamive të ngritura kah qielli, as vetëm shtëpitë në formë kullash me frenxhi dhe muret e përshtatura për luftë. Nuk është vetëm veshmbathja tipike shqiptare që shihet në rrugët e Gjakovës, veçse tërë zejtaria dhe tregtia është në duart  e shqiptarëve. Kështu, Gjakova, kjo qendër më e ashpër e shqiptarisë, çerdhe e kaçakëve, me jetën e vet ekonomike paraqet pamje krejtësisht tjetër të shqiptarëve, kundrejt asaj që llomotisin gazetat e Beogradit, qoftë nga mosdija  apo me qëllim. Rrugë të tëra janë përplot dyqane tregëtare e punëtori zejtare; në to sheh njerëz të rritur, me ato tirqit e tyre të ngushta të bardha dhe me plisat e bardhë mbi kokë; në punëtoritë e tyre punojnë nga 4-5, 6-8 punëtorë. Janë të shumta punëtori rrobaçepësie, në të cilat punohen rrobat e veshjes popullore shqiptare, zbukurimit të të cilave iu kushtohet vëmendje e madhe, sa që mund të kushtojnë disa qindra dinarë; ka edhe këpucëtarë, zdrukthtarë etj”.

Nuk kemi iluzione se Tucoviqi ishte një dashamirës i përzemërt i shqiptarëve, kur shkruante, botonte  e kritikonte regjimin për politikën kriminale dhe krimet e llahtarshme të ushtrisë serbe, apo kur i lavdëronte shqiptarët për vetitë pozitive. Por, ai ishte një internacionalist i thekur dhe ishte patriot i vendit dhe i popullit të vet,  donte ta ruante e përparonte me zhvillim ekonomik, arsimim, shëndetësi, me të drejta politike, civile e sociale dhe në paqe e marrëdhënie  të mira me popujt fqinjë.  Po të qohej nga varri e ta shihte Serbinë sot, do t’i duhej të vazhdonte punën aty ku e ka lënë para një shekulli, për ta ndryshuar mentalitetin “Tariguz” të regjimit aktual.

Libri i Tucoviqit: “Srbija i Arbanija” është një nga studimet e para dhe më të argumentuara, për ta luftuar nacional-shovinizmin serb i cili thirret në mite dhe histori të rrejshme. Pikëpamjet e Tucoviqit për imperializmin, shovinizmin, militarizmin dhe mentalitetin serb ndaj shqiptarëve,  janë  aktuale edhe sot, sikur para 105 vjetëve kur është botuar ai libër. Bile, në opnionin e një mase të madhe të serbëve, Tucoviqi sot konsiderohet si tradhtar i kombit, i cili me shkrimet dhe qëndrimet e tij ia qiti faqen e zezë politikës dhe shtetit të Serbisë së asaj kohe.

Pse, a mos është sot gjë më e mirë, do thoshte edhe vet Tucoviqi, po të zgjohej nga varri, të cilit ia kanë lëkundur eshtrat e ndërruar vendin e vorrimit gjashtë herë deri më tash!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …