leoni

Adil Fetahu

Adil Fetahu: Marrëveshja Kosovë-Serbi në Uashington dhe reflektimi i saj në Izrael e në Palestinë

Marrëveshja për çështje ekonomike, e lidhur në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, midis Kosovës e Serbisë, nën patronatin (lexo:diktatin) e ShBA-ve, sot e shumë kohë do të komentohet nga aspekte  dhe kënde të ndryshme, nga politikanë e analistë (dhe banalistë) të ndryshëm;  herë do ta quajnë  historike; herë në dobi të Kosovës e në dëm të askujt, herë në dobi të Serbisë e në dëm të Kosovës. Pak kujt do t’i shkojë mendja ta lidhin refleksionin e kësaj Marrëveshje në Izraelin, që duket se ka pasur përfitimin më të madh politik prej saj. Nëse në raport me Izraelin Kosova ka përfitua, pasi që Izraeli u obligua ta njohë pavarësinë e Kosovës, Serbia ka bërë një hap prapa në aspektin e diplomacisë ndërkombëtare. Sepse u obligua ta transferojë ambasadën e vet prej Telavivi, në Jerusalemin kontestues midis Izraelit e Palestinës. Statusi i Jerusalemit tërë kohën ka qenë tema më e nxehtë e konfliktit midis Izraelit e Palestinës, sepse të dy vendet e konsiderojnë si vend të shenjtë të tyre. Izraeli, me ndihmën e Amerikës, po përpiqet ta çimentojë sovranitetin e tij mbi Jerusalemin dhe po bënë përpjekje diplomatike që sa më shumë shtete, sidomos të Europës, t’i transferojnë ambasadat e tyre nga Tel Avivi në Jerusalem. Deri tash, asnjë shtet europian nuk e ka bërë këtë. Duket se Kosova dhe Serbia do të jenë të parat nga shtetet e Europës që do ta përmbushin këtë kërkesë izraelite. Trampi e lavdëroi gadishmërinë e Kosovës, që si shteti i parë me shumicë muslimane, do ta njoh Izraelin në kufitë aktual dhe do ta vendosë ambasadën në Jerusalem!

 Natyrisht, sapo të vihen marrëdhëniet diplomatike, ambasada e Kosovës do të vendoset në Jerusalem. Dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike e njohjen e Izraelit në kufijtë e tashëm, të përcaktuar njeanshëm me pushtim të tokave të Palestinës, dhe me vendosjen e ambasadës në Jerusalem, Kosova rrezikon të humbë miqësinë jo dhe aq të zhvilluar me shumë shtete tjera muslimane të Lindjes së Mesme dhe të Azisë, dhe veçmas me Turqinë, të cilat e përkrahin Palestinën. Ç’është më keq,  disa prej tyre mund të reagojnë me tërheqjen e njohjes së Kosovës? Nga ana tjetër, ky veprim i Kosovës do të jetë në kundërshtim me qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare, për të mos përkrahur aneksimin e Jerusalemit.

Kombet e Bashkuara me disa rezoluta nuk e njohin aneksimin  izraelit të tokave palestineze, duke theksuar se Palestina duhet të jetë e pavarur me kufijtë e vitit 1967, e me Jerusalemin Lindor si kryeqytet të saj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, qysh në shtatorin e vitit të kaluar pati deklaruar se nëse Izraeli e njeh pavarësinë e Kosovës, ambasada e Kosovës do të vendoset në Jerusalem. Deri më tash në Jerusalem  janë të vendosura vetëm ambasada e ShBA-ve dhe e Guatemales.

Dëmin më të madh lidhur me raportet e krijuara në trekëndëshin Kosova – Izraeli – Serbia, do ta pësojë Serbia. Jo vetëm për shkak se Izraeli do ta njeh pavarësinë e Kosovës, që është dhembja më e madhe e Serbisë, por edhe për shkak se mund të humbë shumë në marrëdhëniet bilaterale me miqtë e saj në shtetet arabe, me të cilat ka marrëdhënie të mira ekonomike dhe politike, të ndërtuara në saje të gënjeshtrave serbe që me aq shije i gëlltisin shtetet arabe. Turqia menjëherë ka reagua, duke shprehur keqardhjen e saj për marrëveshjen që Serbia ta transferojë ambasadën e saj nga Telavivi në Jerusalem. Edhe ambasadori i Palestinës në Beograd, ka thënë se transferimi i ambasadës së Serbisë nga Telavivi në Jerusalem, është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe do t’i dëmtojë marrëdhëniet tradicionalisht miqësore midis Serbisë e Palestinës.

Natyrisht, këtu nuk e kam fare hallin e Palestinës, e cila sot e kësaj dite është shumë e përkushtuar në përkrahjen e Serbisë kundër Kosovës, por sikur thotë urtia popullore: :”Rri shtrembët, e fol drejtë”.

Trampi me Marrëveshjen midis Kosovës e Serbisë, i ka bërë një shërbim të mirë Izraelit dhe sidomos këshilltarit e dhëndrit të tij hebrait,  Xherad Fisher, dhe ka përforcuar përkrahjen e  lobit hebrej të Amerikës për zgjedhjet e ardhshme.

Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që është i njohur një lavdëraç i pashembëllt, në fotografinë, në një karrige “të thjeshtë” përpara tavolinës së Trampit, dukej sikur një nxënës që është në provim para profesorit të mërrolur pa sens pedagogjik. Kjo fotografi e Vuçiqit,aq e paska nevrikosur Moskën zyrtare, sa që zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, në rrjetet sociale ruse e ka ofenduar Vuçiqin,duke i thënë qartë: “Sram vas bilo” (marre ju qoftë). Megafoni i Vuçiqit, Gjuriqi, i është përgjigjur me të njëjtën shprehje Zaharovës, duke u arsyetuar se Vuçiqi në Shtëpinë e Bardhë nuk ka folur asnjë fjalë të keqe kundër Rusisë!

Kështu është politika ndërkombëtare, tërheq një kashtë, dalin gjashtë; i tërheq penjtë në Uashington, lëvizin figurat në Telaviv, në Moskë e anembanë botës!.

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: MBAJTJA E AKADEMISË PËR GAZETËN E LËVIZJES -ZËRI I KOSOVËS

U konstatua në këtë Akademi se dy numrat e parë të kësaj gazete janë dalë …