leoni

Adil Fetahu

Adil Fetahu: NDËSHKIMET DRAKONIKE SIPAS KODIT TË HAMURABIT

*E drejta dhe drejtësia janë dy anë të të njëjtës medale, apo dy skaje të një ure (A.F.)

*Njerëzit nuk do ta kuptonin çka është drejtësia, po të mos kishte padrejtësi (Herakliti)

Jo vetëm laikët e kësaj fushe, por edhe shumë profesionistë e ngatërrojnë kuptimin e të drejtës dhe drejtësisë, duke mos bërë dallimin e duke i konsideruar këto si sinonime, por këto nuk  kanë kuptim të njëjtë. E drejta është një sistem rregullash, normash dhe masash  (sanksionesh), që shërben si aparat i dhunës së shtetit kundër arbitrarizmit dhe keqbërjes së individëve, grupeve, subjekteve. Ndërkaq, drejtësia si kategori morale është kuptimi më i ndritshëm por më abstrakt i univerzumit shpirtëror. Në drejtësi thirren edhe besimtarët edhe pabesimarët, edhe konservativët edhe revoluconarët, por janë të rrallë ata që  e zbatojnë në praktikë. Në kuptimin bashkëkohor, me nocionin e së drejtës përfshihen parimet, normat dhe rregullat e përcaktuara dhe institucionet e autorizuara për zbatimin e tyre dhe ky quhet sistemi apo rendi juridik.

Shoqëria njerëzore qysh nga antikiteti ka bërë përpjekje që t’i rregullojë marrëdhëniet dhe sjelljet e njerëzve sipas nevojave, interesave, traditës, rregullave dhe normave të caktuara, për ta luftuar arbitraritetin, sjelljen dhe veprimet e këqija të individëve, grupeve e subjekteve të cilat veprojnë kundër interesave të shoqërisë së caktuar. Gjatë historisë janë zhvilluar sisteme të shumta juridike, për të krijuar njëfar baraspeshe të drejtësisë hyjnore dhe asaj tokësore. Ato sisteme janë zhvilluar e përparuar krahas zhvillimit të civilizimeve, traditave dhe kulturave në periudha të ndryshme. Këtu gjithësesi duhet ta përmendim edhe Kanunin e Lekë Dukagjinit që ishte një përmbledhje e të drejtës zakonore, dokeve dhe traditës shqiptare dhe paraqet një autorregullim shqiptar të marrëdhënieve  sociale në Mesjetë, për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme , duke afirmuar nderin dhe besën si  vlera të veçanta.

Në historinë e shtetit dhe së drejtës njihen sisteme e norma juridike qysh prej lashtësisë dhe në kuadër të tyre përmendën dhjetë kode e ligje të lashta më të njohura: Kodi  Ur-Naumit (i Dinastisë Ur të Sumerëve, shekulli 21 e 20 para erës sonë); Kodi i Hamurabit (sundimtarit të Babilonisë, viti 1792 – 1750 para Krishtit); Kodi Nesilim (i Hititëve të lashtë, 1600-1500 p.e.s.); Kodi Egjiptian (i 42 pranimeve negative, sipas Librit të përgjigjeve pas vdekjes); Ligji Kang Gao (i dinastisë së lashtë kineze, Xhou); Ligjet e Drakonit (ligjvenësit Drakoni, të Athinës, 621 p.e.s, sipas të cilit për dënime të ashpra edhe sot e kësaj dite ka mbetur shprehja: “ndëshkim drakonik”); Darmashastri (kod i sjelljes dhe obligimeve religjioze në Indinë e lashtë); Ligji i 12 Tabelave (baza e së drejtës romake, e vitit 451 p.e.s.); Kodi Omi (i Japonisë së shekullit të shtatë e.s.). Prej të gjitha këtyre, për historinë e lashtë të së drejtës, më i njohuri është Kodi i Hamurabit.

Kodi i Hamurabit

Prej shumë sundimtarëve të Babilonisë dhe Mesopotamisë së lashtë, Hamurabi  mbahet mend jo vetëm se ishte sundimtar 42 vjet (1792 – 1750 p.e.s.) dhe e zgjëroi shtetin e tij përgjatë lumit Eufrat, por më tepër për përmbledhjen e ligjeve, me të cilat rregulloheshin marrëdhëniet juridike në fusha të ndryshme: pronësore, civile, penale, detyrime, familjare, trashëgimore, e që të përmbledhura dhe sistemuara në një vend quhen Kodi i Hamurabit.  Kodi i Hamurabit, që paraqet një ndër përmendoret më të vjetra të legjislacionit, përmbanë Prologun (hyrjen), Dispozitat (282 paragrafe) dhe Epilogun. Kodi është shkruar  në vitin 1754 p.e.s., me alfabetin me kuja, në një tabelë (rrasë tungji) e lartë 2,5 metra dhe e rëndë 4,5 tonë. Është zbuluar e gjetur, pjesë-pjesë, në vitin 1901 e 1902, dhe sot ruhet në Muzeun e Luvrit, Paris. Nuk janë gjetur dhe pllakës i mungojnë paragrafet 65 – 99, por ato janë ruajtur në vende tjera, pasiqë Kodi është kopjuar e rishkruar shumë herë, në numër të pacaktuar. Në Prolog (Hyrje) të Kodit shkruan se Hamurabin e dërguan zotërat, për të vu në tokën e Babilonisë paqe, rregull dhe drejtësi, për të zhdukur njerëzit e këqij e të prishur dhe për t’i mbrojtur të dobëtit nga arbitrarizmi i të fortëve. Në pjesën e dytë janë radhitur  Dispozitat (të shkurtëra), sipas njëfar sistematizimi të rregullimit të marrëdhënieve të caktuara, ndërsa në Epilog theksohen meritat e Hamurabit dhe premtimi për shpërblime hyjënore atyre që u përmbahen dispozitave si dhe mallkimin për ata që nuk i respektojnë. Kodi është zbatuar në tërë Mesopotaminë edhe  shumë vjet pas vdekjes së Hamurabit, dhe është përshkruar e kopjuar edhe njëmijë vjet pastaj. Po t’i sistematizojmë dispozitat e Kodit sipas materjes që rregullojnë, do të fitonim një tabelë me këtë pasqyrë:

Nenet (paragrafet) 1 – 5 veprat e dënueshme për mohimin e të drejtave të tjetrit

Nenet 6 – 25 veprat penale kundër pasurisë

Nenet 26- 87 toka dhe shtëpia

Neniet 88 – 107 punët kreditore dhe tregtare

Nenet 108 – 111 punët hoteliere (të kafeneve)

Nenet 112 – 126 arrestimi për shkak të borxheve

Nenet 127 – 194 martesa, familja, prona

Nenet 195 -214  shpifjet, fyerjet dhe ligji i hakmarrjes (“talionit”)

Nenet 215 – 233 puna e mjekëve dhe arkitektëve

Nenet 234 – 240  detarët dhe barkat

Nenet 241 – 271  bujqësia

Nenet 272 –  277 tarifat (pagat minimale) për nëpunësit dhe tregtarët, dhe

Nenet 278 – 282 skllavët,

Ndëshkimet që parasheh Kodi i Hamurabit janë të ashpra. Për shembëll,”Nëse dikush i shpifë tjetrit për ndonjë të bëme, sidomos për vrasje, por nuk ofron prova për fajin e tij, meriton vdekjen” (par.1). Dënim i njëjtë kërcënohej edhe për dëshmi të rrejshme për raste të vrasjes ( par.3).

Në Babiloni asokohe ekzistonte prona kolektive dhe private-individuale. Pronë kolektive kishte shteti, tempulli i sundimarit, tempulli i besimit, fshati. Individët kishin pronën e tyre private: shtëpi, kopësht, tokë, dyqane zejtare, robër (skllavë), kafshë, barka, anije, mjete të punës e të prodhimit dhe nuk ekzistonte ndonjë kufizim në pronë. Krahas të drejtave reale mbi pronat, ekzistonte e drejta e detyrimeve (obligatave) në qarkullimin e pronave dhe të mirave materiale, e drejta e huazimit, pengut, qirasë, kredisë, depozitit, kamatës, kontratës, dëftesës. Prona gëzonte mbrojtjen e shtetit. Cënimi i pronës së dikujt ndëshkohej ashpër. Për shembëll, “Nëse shtëpia e dikujt është kallë  dhe dikush që ka shkua të ndihmojë shuarjen e zjarrit vjedh diçka prej asaj shtëpie, do të hudhej në të njëjtin zjarrë” (par.25). Shtëpia,kopështi, fusha (toka) e nëpunësit apo ushtarit dhe pasuria që i është dhënë dikujt si shpërblim, nuk mund të shitej, nuk mund t’i bartëj në pronësi (regjistrohej) gruas apo vajzës, as të jepej për të shlyer një borxh (par.36 dhe 38). Nëse tregtari ia ka besuar ndihmësit të vet shitjen mallit (drith,susam, lesh, vaj, hurme apo çfarëdo malli tjetër), për paratë që ia dorëzon tregtarit nga malli i shitur ndihmësi duhet ta merrte dëftesën. Paratë e marrura pa dëftesë, nuk mund të regjistroheshin në pasuri-pronë (par.104-105). Depoziti i parasë, arit, argjendit apo çfarëdo malli tjetër që i është dhënë dikujt për ta ruajtur, duhej të jepej me kontratë dhe/ose me dëshmitarë; nëse është dhënë pa kontratë ose pa dëshmitarë, nuk kishte mundësi ta rikthejë (par.122-123); e kështu me radhë dispozitat prej paragrafit 6 – 126 rregullonin marrëdhëniet, të drejtat, obligimet dhe mbrojtjen e të drejtave reale. Moskthimi i borxhit të marrur, sillte deri te skllavërimi jo vetëm i borxhliut (debitorit),por edhe të grues dhe fëmijëve të tij, veçse ky status i skllavit për borxhin ishte i kufizuar deri në tri vjet.

Kodi i Hamurabit e kishte rregulluar mjaft detajisht të drejtën familjare dhe trashëgimore. Vajza nuk ishte trashëgimtare, por ajo kishte të drejtën e Sheriktit (mirazit). Vetëm vajzat klerike gëzonin të drejtën e trashëgimisë, pasi ato nuk martoheshin as kishin pasardhës, prandaj trashëgimia e tyre iu mbetej vëllezërve.  Për martesën kërkohej pëlqimi i prindërve, ndërsa martesa lidhej me kontratë me të cilën përcaktoheshin të drejtat dhe obligimet. “Nëse dikush është martuar, por nuk i ka caktuar obligimet e grues së tij, ajo nuk konsiderohej se është e martuar” (par.128). Shtëpia e dhëndërrit i ka dërguar babait të nusës një shumë të caktuar, qoftë para, ari, argjend, drith apo mallëra tjera, për të përballuar shpenzimet e martesës së vajzës (“Tirhata”). Nusja ka sjell miraz (“Sherikta”) në shtëpinë e burrit. Mirazi mbetej në pronësi të grues, por administrohej nga burri. Pas vdekjes së gruas, mirazin kanë mund ta trashëgojnë fëmijët, por jo burri. Nëse nuk ka lënë fëmijë, sherikta (mirazi) i është kthyer babait, apo vëllaut të gruas së vdekur. Me të ardhurat nga mirazi dhe “nuduna”  (dhuratat që ka marrë pas martesës), gruaja ka mund të vazhdojë të jetojë në të njëjtën shtëpi pas vdekjes së burrit. Djemtë që ka lindur skllavja bëhën trashëgimtarë vetëm poqese i ati i ka quajtur dhe trajtuar si djemë të tij. Fëmijët e adoptuar gëzonin të drejtën e trashëgimisë te adoptuesi, por e humbnin këtë të drejtë te familja prej nga janë marrë. Babai ka mund ta përzejë prej shtëpisë djalin e tij vetëm me lejen e gjykatës, e cila e ka vërtetuar shkakun. Sidoqoftë, faji i parë i është falur, e për fajin e dytë ka mund ta përzejë.

Diskriminimi i grues është shprehur në mundësinë e ndëshkimit fizik, ndërsa për mosbesnikëri burri ka mund ta hedhë në lum ose ta shet si skllave. Burri ka mund ta merrte edhe një grua (konkubinë), sidomos nëse gruja e parë nuk ka lindë fëmi ose është sëmurë. Por, konkubina nuk ishte e barabartë me gruan e parë (ortaken) . Nëse gruaja nuk ishte amvise e mirë veçse një shetitëse dhe shpenzuese  pa kursim, e nuk kujdesej për burrin, do të hidhej në lum (mendohet në lumin Eufrat,v.j.). Përndryshe, hedhja në lum ishte një praktikë e shpeshtë, si provë për t’u larë nga fajsia që i ngarkohej dikujt; nëse mund të lundonte dhe  shpëtonte nga mbytja shfajsohej për çfarëdo faji që ishte ngarkuar, e nëse mbytej në lum, shkonte si fajtor, dhe jo vetëm gratë, por edhe burrat për raste të caktuara. Incesti ndëshkohej ashpër: me përzënije prej shtëpie e prej vendbanimi, me hedhje në lum apo në zjarrë, varësisht se për çfarë rasti bëhej fjalë.

Politika ndëshkimore e caktuar në Kodin e Hamurabit, ishte brutale dhe bazohej në parimin e hakmarrjes ( lat.“Lex Talionis”=Ligji i hakmarrjes) dhe gjymtimit, për të shërbyer si shembëll për të tjerët:  “sy për sy, dhëmb për dhëmb”. “Nëse dikush ia ka nxjerrë syrin tjetrit, edhe atij do t’i nxirret syri” (par.196); “Nëse dikush ia ka thyer dhëmbin tjetrit, do t’i thyhet edhe atij” (par.200). Ky ishte parim i proporcionalitetit dhe reciprocitetit midis kryesit të krimit dhe palës së dëmtur. Do të thotë, të njëjtin lëndim që i kishte shkaktuar dikujt, shkaktari duhej ta pësonte për vetën e tij.  Kështu veprohej edhe me dëmtimin e pjesëve apo organeve tjera, por kjo vlente vetëm kur shkaktari dhe i dëmtuari i përkisnin të të njëjtit rang shoqëror. Sepse lëndimi i shkaktuar personit të rangut më të ulët shoqëror ndëshkohej me dënim më të lehtë. “Nëse djali apo vajza e godet babain e vet, do t’i pritet dora” (par.195); “Nëse fëmiu i adoptuar i thotë adoptuesit  që e ka rritur ‘ti nuk je babai im, apo  ti nuk je nëna ime’, do t’i pritet gjuha (par.192). Ligji i talionit është zbatuar  pothuajse në të gjitha shtetet skllavopronare, dhe ai ligj edhe sot ka shumë ithtarë, por doktrina juridike ka pranuar tjera ide dhe tjera vlera humanitare për risocializimin e kryesve të veprave penale, duke i izoluar ata në burg për kohë të caktuar.

Kodi përmbanë shumë dispozita nga lëmi i të drejtës së detyrimeve, nga fusha të ndryshme të veprimtarisë. Për shembëll, ishte caktuar çmimi që duhej paguar mjeshtrit për ndërtimin e shtëpisë, varësisht nga  sipërfaqja e ndërtuar. Por, nëse ndërtimi ishte kryer dobët dhe nëse shembja e shtëpisë apo e murit ka mbytur të zotin e shtëpisë, do të mbytej ndërtuesi. Nëse nga shembja ishte mbytur djali i pronarit të shtëpisë, do të mbytej djali i ndërtuesit (par.228 -230), por nëse është mbytur skllavi i pronarit, atëherë ndërtuesi duhej t’ia blejë një skllav tjetër! Kodi kishte caktuar pagat minimale edhe për kategori tjera të punëve dhe shërbimeve: për punët në bujqësi; për barinjtë që ruajnë kafshët (qoftë me ditë, me javë apo me vjet); për ndërtuesit ose meremetuesit e qerreve,  barkave dhe anijeve; për mjekët. Paga mund të bëhej me ar, argjend apo me artikuj bujqësor (drith, susam, hurma etj.) në sasi të caktuara sipas Kodit. Krahas të drejtës në pagë, ishte caktuar edhe përgjegjësia për kryerjen me ndërgjegje të punëve dhe shërbimeve. Për shembëll, nëse kishte humbur ndonjë kafshë (lopë, dele apo tjetër) nga tufa, bariu ishte i detyruar t’ia kompensojë pronarit me kafshë të njëjtë. Nga përgjegjësia do të lirohej vetëm poqese kafshën ia ka rrëmbyer ndonjë egërsirë (luani,ariu). Nëse dikush  ka blerë apo ka marrë në ruajtje ar, argjend, mall, kafshë apo çkado tjetër prej djalit apo prej  skllavit të tjetrit, pa pasur dëshmitarë ose pa kontratë, konsiderohej hajn dhe meritonte vdekjen (par.7). Ishin caktuar poashtu pagat për marrjen me qëra të barkave, anijeve, qerreve, qeve, kuajve, mjeteve për ujitjen e tokës, si dhe përgjegjësia për ruajtjen dhe kthimin e tyre.

Kodi i Hamurabit përmbanë edhe dispozita për gjykimet dhe gjykatat. Procedurën para gjykatës,qoftë për çështje civile apo aso penale, e ka filluar pala e dëmtuar.  Kodi njeh prezumimin e pafajsisë, derisa të jetë vërtetuar ndryshe. Edhe palët edhe dëshmitarët është dashur të betohen për pretendimet e tyre. Prova për gjykatën kanë qenë deklaratat e palëve dhe të dëshmitarëve të dhëna para gjykatës, por si prove për vërtetimin e pafajsisë, në shumë raste është praktikuar edhe hedhja në lum, duke besuar se të pafajshmin do ta shpëtojë zoti. Gjykatësi e ka shkruar aktgjykimin në pllakë të argjilit, me të gjitha elementet e përmbajtjës:  emrat dhe deklaratat e palëve, emrat dhe deklaratat e dëshmitarëve dhe meritumin (dispozitivin).  Gjykatësit ishin të detyruar të jenë maksimalisht të ndërgjegjshëm në punën e tyre. Nëse ndonjë gjykatës e ka shqiptuar një aktgjykim, e ka formuluar dhe shkruar në tabelë (pllakë) e pastaj e ka anuluar, do të detyrohej të paraqitet para gjykatës, ta përmbushë vet aktgjykimin dymbëdhjetëfish dhe publikisht do të largohet e kurrë më nuk do të kthehej në pozitën e gjykatësit  (par.5).

Kodi i Hamurabit si një nga artefaktet më të rëndësishme të historisë së njerëzimit, është me interes për juristët dhe historianët, për historinë e lashtë të shtetit dhe së drejtës, sepse civilizimet botërore vlerësohen (edhe) nga aspekti se çfarë ligje ka pasur dhe si janë zbatuar ato. Aty tregohet struktura dhe jeta shoqërore e Babilonisë së lashtë.  Kodi i gdhendur në pllakë, ishte vendosur në sheshin e qytetit të Babilonisë, në mënyrë që qytetarët të njihen me përmbajtjen, të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre. Nga Kodi i Hamurabit shihet se dënimi me vdekje ka qenë shumë i përhapur. Përshtypja e parë që fitohet nga përmbajtja e këtij dokumenti të lashtë të së drejtës është se palët në gjykatë i trajton të barabarta dhe me prezumimin e pafajsisë. Ligji  kishte karakter të theksuar klasor, por njerëzit e rangut të njëjtë shoqëror, i trajtonte në mënyrë të barabartë. Dënimi me vdekje ishte i shpeshtë edhe për vepra banale.

Kontrolloni gjithashtu

Shote Galica

Mehmet Bislimi: Shotë Galica – Qerime Halili (1895 – 1927)

Femra shqiptare në vazhdimësi është përballur me vrazhdësitë dhe ashpërsitë e jetës, mbi të rëndoi …