Adil Fetahu

Adil Fetahu: Një roman për dy tema sociale

(Halit Gashi:  “Gjurmë të tradhtisë”, botoi : “Faik Konica”, Prishtinë, 2007)

Romani “Gjurmë të tradhtisë” i autorit Halit Gashi, trajton në mënyrë artistike dy tema sociale sa aktuale aq dhe brengosëse ndër shqiptarët, jo vetëm të Kosovës. Fjala është për zakonin e mbrapshtë e primitiv të martesës së kunatit me kunaten, dhe për migrimin. Fjala është për martesën me gruan e vejë të vëllait të vdekur, ose me motrën e gruas së vdekur. Ndër shqiptarët ky është një zakon i lashtë fisnor, jo i rrallë, sidomos në Malësinë e Gallapit, prej nga është autori i romanit, i cili e njeh mirë këtë zakon dhe traditën e vendit, dhe e ka shtjelluar mirë në romanin e tij.

Është praktikuar dhe akoma praktikohet, ndonëse më rrallë, që kur vdes mashkulli i shtëpisë, nëse ka lënë gruan, të re ose me fëmijë a pa ta, të ndalet e kthehet e veja të martohet me vëllain e burrit të vdekur, apo me ndonjë mashkull tjetër të shtëpisë, qoftë ai beqar apo vejan. Ka pasur raste që është “kthyer” si grua e dytë e martuar si ortake, me burrin që kishte një grua. Kjo ka ndodhur sidomos nëse e veja kishte fëmijë, ndërsa burri i shtëpisë nuk kishte fëmijë me gruan e parë. Forma tjetër e “leviratit”, siç e quan autori, është martesa me motrën e gruas së vdekur, qoftë se motra ishte beqare apo e vejë. Të dyja këto forma të martesave, levirate, bëheshin dhe diku-diku akoma bëhen, për arsye dhe interesa të ndryshme, dhe shpeshherë pa dëshirën as pëlqimin e femrës. Dallimi në moshë nuk ishte me rëndësi. Ka ndodhur të martohej me nusën për të cilën ka qenë “bullan.” Arsyet më të shpeshta për të “përligjur” këto lloje të martesave janë: “jemi mësuar na me te, dhe ajo me ne”; “ që t’i rritë fëmijët e të mos mbetet e vejë”; etj. Por, këtu është edhe interesi material, sepse martesa e tillë kushton ma lirë si në përgatitjet për martesë, ashtu edhe për faktin se për këso martese, me të vejen e vëllait të vdekur, nuk bëheshin ceremoni martesore. Ndërkaq, martesa me motrën e gruas së vdekur, arsyetohej me ruajtjen e miqësisë dhe për interesin e fëmijëve, se: “Motra-tezja kujdeset për fëmijët e motrës më mirë se çdo njerkë tjetër”.

Nga aspekti fetar, në islam këto lloj martesash janë të lejueshme, ndërsa kisha katolike, edhe në kohën e zbatimit të Kanunit,  këto i ka quajtur konkubinate dhe i ka dënuar. Ligji aktual për familjen, nuk e ndalon një lloj të tillë martese, por me shkollimin dhe emancipimin e rinisë, të të dy gjinive, këto lloje martesash do zhdukën.

Ja si e shtjellon leviratin autori i romanit.

Vetëm dy javë pas martesës, Fatmiri i Lugështajës shkoi ushtar, në ushtrinë e Serbisë. Nusja, Sala, ishte e mirë, e bukur, e vyeshme dhe i respektonte vjehrrinë dhe kunatin, Talin. Siç dihet, në ushtrinë e Serbisë, janë vrarë shumë shqiptarë në rrethana të ndryshme, si para ashtu pas rastit të Paraçinit (Aziz Kelmendi). Ushtarët e vrarë shqiptarë ktheheshin në arkivole (autori i romanit i quan: arkëmorte) të mbyllur, me shpjegimin zyrtar se kishin bërë vetëvrasje, ndonëse në shumicën e rasteve ishin vrarë pas shpine. Kështu, pak para se ta kryente afatin e shërbimit ushtarak, Fatmiri u kthye në arkivol dhe u varros. Pas një kohe, nusën e Fatmirit deshën ta kthejnë, ta martojnë me Talin, vëllain e Fatmirit. Ditën që e “kthyen” nusen, Tali iku nga shtëpia, pa paralajmërim dhe kurrë nuk u kthye te ajo nuse. Nuk deshi të martohej me atë që deri dje e respektonte si ta kishte motër. Tali kishte ikur në Gjermani, dhe nuk ishte lajmëruar asnjëherë në shtëpi. Edhe i ati i Talit, kishte pas marrur për gra hallë e mbesë, por edhe xhaxhai e kishte“kthye” gruan e vëllait të madh, e më vonë e kishte marrë mbesën e saj. Kjo martesë “levirate” ishte bërë diçka e zakonshme në atë familje. Por, këtë praktikë e ndërpreu Tali në mënyrë të vendosur. Në ndërkohë, i vdiqën prindërit dhe Sala u kthye në gjini, më vonë u martua gjetkë, u rahatua dhe kishte një djalë. Kështu, me kundërshtimin e heshtur por të vendosur të Talit, dështoi martesa sipas zakonit të mbrapshtë. Sala nuk kurrë e fajsoi as nuk u hidhërua në Talin, Kur doli nga shtëpia, ajo në heshtje i dëshiroi fat atij.

Mërgimi i të rinjëve

Mërgimi është një plagë e rëndë jona. Shkaqet e mërgimit janë të natyrës politike dhe ekonomike-sociale. Të dyja të rënda, por nga shkaqe politike kanë migrua edhe shumë të rinj të cilët kishin gjendje të mirë ekonomike. Të rinjtë iknin për të mos shkuar ushtar të Serbisë, që të mos vriteshin në luftërat që ajo zhvillonte në Bosnje e Kroaci, apo të mos torturoheshin, maltretoheshin, burgoseshin ose vriteshin pas shpine gjatë shërbimit, në roje, në kazerma, në ushtrime, në llogorime apo në rrethana të ndryshme. Dhe kur migrojnë të rinjtë, kjo ka reperkusione sociale: bie potenciali i fuqisë punëtore në vend, rrallohen martesat dhe lindjet, të moshuarit mbesin pa kujdesin e duhur.

Në periudhën që shtrihet romani i Halit Gashit (1992-1998), shumë të rinj nga Kosova emigruan, për të ikur nga ushtria serbe. Ilir Thanishta, me disa autobus plot të rinj shqiptarë nga Kosova, por edhe shumë me gra e fëmijë, ia kishin mësy Evropës qendrore, kryesisht Gjermanisë. Autobusët i qonin deri diku, i lenin në Hungari ose në Çeki, prej nga duhej të udhëtonin këmbë, me javë a muaj, nëse mund të arrinin në Gjermani. Peripecitë e atij udhëtimi, nëpër mot të ftohtë, me acar e borë, nëpër male e për të kaluar lumenj, dinë t’i tregojnë vetëm ata që kanë kaluar ato rrugë, gjithnjë me frikën se do t’i zënë policia, t’i burgosin e pastaj t’i kthejnë, shumë prej të cilëve edhe iu ka ndodhur kjo.

Iliri me disa shokë, mezi kishte shpëtuar gjallë dhe kishte arritur në Gjermani. Kishte gjetur punë, për të kryer të gjitha punët e bujqësisë, në një familje gjermane. Si punëtor i zellshëm, që kryente mirë punët, ishte pritur mirë nga familja gjermane, paguhej nga 500 marka në muaj dhe kishte të siguruar ushqimin dhe dhomën e vet, me hyrje të veçantë, ku herë pas herë i shkonin edhe shokë. E kishte mësuar mirë gjuhën gjerman, por e kishte “humbur” emrin e mbiemrin, ata të shtëpisë e quanin: “Ihuaj”.Njëherë gati ishte mbytur në lumin Rajna. Romani nuk do ishte interesant po të mos kishte edhe një aventurë intime me zonjën e shtëpisë, Evën, të vejen e Adolfit që kishte vdekur para pak ditëve. Iliri qëndroi e punoi aty katër vjet. Me disa shokë takohej në qytet, e ndonjëherë edhe në banesën e tij. Një ditë, u morën vesh që të kthehen në Kosovë, dhe u tha e u bë. Rruga e kthimit ishte shumë më e lehtë, se ajo e shkuarjes në mërgim. U gëzua nëna Zylë për kthimin e të birit të vetëm, që shpresonte të martohej shpejt (me Tufën e Nazës), që ishte një vajzë e shkolluar nga qyteti dhe që e vizitonte shpeshherë nënën e Ilirit. Por pushteti serb kishte rrjetin e spiunëve të vet. Një i tillë (Dan Kryeziu. Ish-korier i komunës) e kishte lajmëruar policinë për arritjen e Ilirit dhe shokëve të tij. Nga gjurmët që kishte lënë nëpër borë, pranë shtëpisë së Ilirit, autori i ka dhënë emrin romanit: “Gjurmët të tradhtisë”. Polica dhe ushtria serbe të nesërmën e arrestuan Ilirin dhe shokët e tij, i dërguan në Nish, ku gjyqi ushtarak u shqiptoi dënime me burgim, dhe që pas vuajtjes së dënimit me burg, ishin të obliguar të shkonin në shërbimin ushtarak. Burgu i Nishit, sikurse edhe  të gjitha burgjet e tjera në Serbi, ishte plot me shqiptarë të dënuar për shkaqe e pretekste të ndryshme. Kur e vuajti dënimin dhe u kthye nga Nishi, Iliri nuk e gjeti nënën të gjallë, sapo e kishin varrosë. Dhe në marrëveshje me disa shokë të rinjë (Tali, Loni, Vali, Drini) vendosin t’i bashkohen UÇK-së, të luftojnë kundër ushtrisë e policisë serbe, e jo t’i shërbejnë asaj ushtrie e të vritën në luftë në Bosnje a Kroaci, si ushtarë të Serbisë.

Në temën e mërgimit, autori fshikullon edhe raste ekstreme të moskujdesit të të rinjve ndaj prindërve të moshuar që kanë lënë në Kosovë. Teta Sadia që kishte tre djemë, jetonte e vetme në fshat. Djemtë me gratë dhe fëmijët e tyre jetonin në Gjermani, Kishin ndërtuar e mbyllur tri shtëpi në Thanishtë. Ata gjashtë vjet e kishin lënë vetëm nënën plakë e të rraskapitur, cila tërë dashurinë e djemve dhe të nipave e mbesave ia kishte kushtuar një mace (Macuka), me të cilën jetonte. Ditën vizitoheshin shpesh me nënën e Ilirit. Por, kur kishte vdekur teta Sadia, tri ditë kishte mbetur në dhomën e mbyllur, dhe Macukja ia kishte hëngër tyryën, gjinjtë dhe këmbët, dhe ishte tërbuar që kur fqinjët e hapën derën e dhomës, Macukja i kisthe sulmuar ata!

Gjurmët të tradhtisë, është libri i gjashtë dhe romani i dytë i shkrimtarit Halit Gashi, anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Para këtij, ka botuar një roman dhe katër përmbledhje me poezi; dy për fëmijë e dy për të rritur.

Romani është i lehtë për ta lexuar. Shkrimtari ka një gjuhë të pasur e të rrjedhshme në përshkrimet që u bënë ngjarjeve e personazheve. Aq hollësisht përshkruan ngjarjet e vendet, sa herë-herë fitohet përshtypja se romani është një prozë poetike. Të lë përshtypje të mirë thellësia dhe gjerësia e njohurive të autorit për historinë, gjeografinë, traditën, kulturën dhe personalitetet kombëtare. Ai nuk le pa përmendur trojet shqiptare (edha to akoma të pushtuara) prej Çamërie deri në Tolicë. Në malësinë e Gallapit, edhe ashtu toponimet janë kryesisht shqiptare, ashtu sikur i përdorë shkrimtari: Kroi i Hajdutit, Shpella e Zanave, Gryka e Naletit, Varri i Nuses, Livadhi i Marisë, Lugu i Kishës, Strofka e Dhelprës, Rrastat e Gjarpërit, Lisi i Korbit, Guri i Haberit…etj. Në vend të fjalës vendlindje, autori përdorë: Dhelindja, Tokëlindja, Gurëlindja etj. Në vend të prangave, përdorë fjalën “bileçe”, kurse në vend të gajtanit të tirqëve – “spika”. Mund të thuhet se e tepron me përshkrimin poetik e të shpeshtë që bënë: “këmisha e hollë e natës e Rajnës” (fjala është për lumin Rajna, prandaj romani nuk duron këso përshkrime poetike). Ka edhe kapërcime të befta, të papritura, prej një ngjarje në tjetrën. Në dialogje, në vend të vizave para fjalive, fjalitë i futë në thonjëza. Mund të vërehet edhe ndonjë lëshim për kryerreshta. Por, porosia e romanit për temat që trajton, ia shton peshën specifike, ndërsa shtjellimi dhe gjuha e bëjnë leximin të lehtë e të këndshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …