Adil Fetahu

Adil Fetahu: Porositë e Vuçiqit për litar apo për çmim “nobel”?!

Pas fjalimit “historik” që kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbajti para një grumbulli serbësh në Mitrovicë, më 9 shtator k.v., pati shumë komente, vështrime e vlerësime, në Serbi (më së shumti), po edhe në Kosovë e jashtë saj. Vlerësimet ishin nga më të ndryshmet. Ithtarët e Vuçiqit e quajtën (dhe vazhdojnë ta quajnë) fjalim historik për përmirësimin e marrëdhënieve serbo-shqiptare dhe për mbrojtjen e Kosovës në kuadër të Serbisë e për qëndrimin e sigurt të serbëve në Kosovë. Opozita në Serbi e quajti fjalim bosh, që nuk tha asgjë të re, përveçse përsëriti floskulat e thëna sa e sa herë deri më tash. Politikanët, analistët dhe mediat në Kosovë  e quajtën propagandë dhe  lavdërim e rehabilitim  të Millosheviqit. Përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar ishin të kënaqur me fjalët jo “luftënxitëse” që dërgjuan nga Vuçiqi.

Shumica e atyre që dhanë vlerësime, as që e kanë lexuar tekstin e plotë integral të fjalimit. Dhe kjo ma kujton një thënie nga forumet partiake të komunistëve gjysmë-analfabetë jugosllavë, kur shqyrtonin ndonjë raport apo informatë, thoshin: “Materialin nuk e kam lexuar, por kam vërjejte serioze në te”!

Fjalimin e plotë të Vuçiqit, të botuar në  gazetën“Novosti” të Beogradit (dt.9 shtator), e lexova dy herë, prandaj i jap vetes të drejt ta vlerësoj e komentoj me kompetencë, jo të shkëputur nga konteksti, por në tërësinë e tekstit dhe kontekstit.

Pjesëmarrësit në “Miting”

Për dallim nga mitingu i Millosheviqit, në Gazimestan (1989), ku morën pjesë mbi njëqintmijë serbë nga e gjithë Jugosllavia (mediat serbe asokohe thoshin se ishin nje milion?!) dhe fitohej përshtypja se të gjithë klerikët e Kishës Ortodokse Serbe ishin tubuar aty, mitingu i Vuçiqit në Mitrovicë (2018), mezi arriti të tubonte nja 2-3 mijë vetë, dhe atë kryesisht punëtorë serbë, të cilët paguhen nga buxheti i Serbisë. Organizatorët paraprakisht kanë përpiluar listat me emrat dhe nënshkrimet e  atyre që do të marrin pjesë në miting, ndërsa nëse ka pasur asi që nuk janë nënshkrua si pjesëmarrës, është dashur të japin deklaratë me shkrim për shkakun e mospjesëmarrjes (rasti i profesorit të biologjisë në një shkollë të Kamenicës/Dardanës). Sheshi “Shumadia” në Mitrovicë ishte i mbushur me flamuj shtetëror e partiakë të Serbisë. Por, vëzhguesi i vëmendshëm ka mund të vërejë se as në vizitën në Gazivodë, as në  mitingun në Mitrovicë,  nuk u pa asnjë peshkop a klerik tjetër, me ikonografinë e tyre kishtare. Do të thotë se këtë herë Kisha e bojkotoi Vuçiqin, dhe kjo është mjaft simptomatike.

Vuçiqi ka një stil të veçantë të fjalimeve, me figura e kode, herë “të ëmbla” herë plot helm, të cilat mund t’i zbërthejnë vetëm njohësit e stilit dhe të politikës së tij. Pasi i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në miting dhe për ruajtjen dhe mbrojtjen serbe të Kosovë-Metohisë, plot patetikë i ankoi serbët e Kosovës, se nuk e di, nëse e kanë pasur më vështirë në vitet: ’98, ’99, 2000, 2004, 2008 apo sot?! Përkundër këtyre vështirësive, unë nuk mund as nuk guxoj të heshti, e aq më pak të gënjej. Prandaj, tha Vuçiq, po filloj nga pjesa më e rëndë, nga gjithë ajo që kemi besuar, gjithë ajo që kemi ëndërruar, nga iluzioni i madh që kishim për vete dhe për të tjerët, iluzioni se jami të mbiqufishëm, më të shumtë dhe pothuajse të përbotshëm, ndërsa të tjerët  janë më të dobët, më budallenjë dhe më të paaftë prej nesh. Në këtë kontekst, Vuçiqi përmendi mitingun e Gazimestanit (1989), ku të gjithë, si në kor, këndonin këngën: “Kush pot t hotë, kush po gënjen se Serbia është e vogël”. Në atë këngë përmedën tri luftëra, e pastaj patëm edhe disa (luftëra) tjera. Jo me fajin tonë, por jo as ekskluzivisht me fajin e të tjerëve. Zyrtarisht dhe jozyrtarisht, u kemi ndihmuar vëllezërve, Serbët vdisnin në Knin, në Sarajevë, në Prishtinë. Në ato vende tash ka pak serbë. Dhe kjo ka ndodhur jo se Kroatët, Myslimanët ose Shqiptarët ishin më të fortë apo më trima se na, veçse për shkak se nuk e kishim kuptuar pozicionin e Serbisë në botë (…). Në këtë kontekst, Vuçiqi e përmendi Millosheviqin, për të cilin tha se “ishte lider i madh serb, qëllimet gjithësesi i kishte më të mirat, por rezultatet i kishim shumë të këqija. Jo se ai i dëshironte ato, por për shkak se dëshirat nuk ishin reale, ndërsa interesat dhe përpjekjet e popujve tjerë i kemi neglizhuar dhe nënçmuar. Prandaj kemi paguar çmimin më të lartë dhe më të rëndë”, tha Vuçiq.

Në këtë pjesë të fjalimit të Vuçiqit, edhe pse e quan lider të madh dhe thotë se ka pasur qëllimet më të mira, unë nuk shoh se Vuçiqi ka ndonjë simpati të madhe ndaj Millosheviqit, por këtë e thotë për shkak të numrit të madh të serbëve të cilët cilët i pëlqejnë këto fjalë dhe politikën e Millosheviqit. Ajo që është me rëndësi në këtë pjesë të fjalimit të Vuçiqit, është se ai, si kryetar i Serbisë, për herë të parë pranoi se Serbia ka marrë pjesë drejtpërdrejt në luftërat e zhvilluara, “zyrtarisht e jo zyrtarisht”. Këtë deri më tash nuk e ka pranuar as nuk e ka thënë asnjë zyrtar i lartë i Serbisë. Ai nuk e elaboroi më tepër pjesëmarjen direkte të Serbisë në luftërat në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë,  me tërë personelin dhe arsenalin e ish-Armatës së Jugosllavisë, me njësitë paramilitare, policinë dhe bandat tjera kriminale, as përmendi gjenocidin dhe pastrimin etnik. Por, mos të harrojmë, se Vuçiqi është biri politik i kriminelit Sheshel, dhe ishte ministër në regjimin e Millosheviqit, prandaj nuk pritet ma tepër prej tij.

Kuptimi i realitetit

Për gjendjen aktuale në Kosovë, përveç atyre që tha, me keqardhje, se regjimi i Millosheviqit nuk e kishte kuptuar realitetin, për periudhën e pasluftës fajin ia vuri opozitës së sotme, e cila i vuri kufijt midis Kosovës e Serbisë, e cila kërkoi dhe mori nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmimin e legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës, që ishte përgjigjja më e keqe për Serbinë.

Ne Serbët kur fitojmë, këtë e bëjmë ndonjëherë me krenari, duke i respektuar të fituarit, por kur humbim dhe dështojmë, ne dhe politika jonë, nuk dimë ta pranojmë as të kuptojmë se çfarë ka ndryshuar. Luftoi Serbia në vitin 1999 kundër NATO-s, me nderë dhe guxim. Dhe humbi (…). Mbetëm pa territore të konsiderueshme; serbët lëshuan shumë vende të tyre, duke mos dashur të jetojnë nën pushtetin e shqiptarëve. Kur e humbë luftën, për këtë paguhet çmimi i lartë. Ndërsa ne Serbët edhe sot shtiremi sikur asgjë nuk ka ndodhur. Shtiremi se nuk jemi të vetmit në marrinat tona dhe nën presionin e botës perëndimore, morëm pjesë në dëshmimin e fajit tone për konfliktin në Kosovë.  A i dërguam na, apo dikush tjetër, në Tribunalin e Hagës ish-kryetarin e Serbisë, gjoja për shkak politikës kriminale në Kosovë; a i dërgum na edhe generalët e ushtrisë dhe të policisë: Ojdaniqin, Vlladimir Llazareviqin, Nebojsha Pavkoviqin dhe Sreten Llukiqin. E keqja më e madhe është se ata që bënë këtë, sot na mbajnë leksione patriotike. Shtiremi sikur asgjë nuk ka ndodhur në vitin 2008, që, ç’është e vërteta edhe me fajin tonë ndodhi shpallja e pavarësisë së Kosovës, të cilën e kanë njohur afro njëqint vende.  Mendoni se heqen lehtë ufijtë e vendosur në pikat doganore në Jarinje dhe Bërnjakë? Nuk ka heqje të lehtë kufijsh. […] A kemi ndonjë projekt të zgjidhjes në Bruksel? Nuk kemi, as që jemi afër. Por duhet të përpiqemi t’i rregullojmë marrëdhëniet. (…) Ideja është që ta ruajmë popullin tonë, ta ruajmë paqën dhe të paktën të përpiqemi të krijojmë ura besimi me Shqiptarët.

Dua dhe dëshiroj të besoj se pas luftërave dhe konflikteve shekullore, për nja pesëdhjetë vjet, mund të kemi shekuj marrëdhëniesh racionale, pse jo edhe miqësore me Shqiptarët. Ne duam të bëhemi pjesë të Europës, Shqiptarët duan liberalizimin e vizave. Edhe njeni edhe tjetri dëshirojmë jetë më të mirë për qytetarët tanë. Për të arritur jetë më të mirë nuk ka një rrugë të shkurtër, as për ne as për ata, përmes varrezave të të tjerëve. Duhet të jetojmë së bashku dhe njeni pranë tjetrit. Prandaj do të bisedojmë e negocojmë sa të mundemi. Dikush duhet të arrijë kompromis me Shqiptarët. Nuk do të ketë zgjidhje të lehtë as të thjeshtë, as për ata as për ne. Përrallat se në rrethana tjera botërore ne do t’ua kthejmë (hakmarrjen, a.f.), janë përralla për fëmijë, të treguara me përfundim tragjik. Nuk ka kufij mitik. Dua ata (kufij, a.f.),  aty ku jaetojnë njerëzit, me të gjitha të drejtat që iu takojnë.

Dua ata (kufij, a.f.) për të cilët askush nuk do të poshtërohet, veçmas jo Serbia. Duam kompromis, jo diktat. Së fundi, dhe para së gjithash, dua që ju të jetoni këtu dhe kjo të jetë e juaja. Nuk dua të ju gënjej. Nuk është kjo rrugë e lehtë as e shpejtë. Prej shumëçka duhet të heqim dorë, shumë duhet të sakrifikojmë, shumë duhet të punojmë për të arritur qëllimin. Unë synoj të fitojmë.Të fitojë Serbia, për herë të parë, s’di pas sa vjetëve. Pa gjak, pa të vdekur, pa tmerre e varreza. Qëllimin e kam që ky vend (Serbia, a.f.) të bëhet i madh, jo me atë që ta pushtojë Ballkanin, apo botën, veçse me atë që ta pushtojë ardhmërinë.

Me punë, me dije, me fëmijë, ashtu fitohet ardhmëria. Beteja të tilla janë para nesh. Jo aso që shtijnë (vrasin) ardhmërinë e pastaj me nderime e vorrosin. Mos e kërkoni këtë prej meje, as prej vetes suaj. Heqeni këtë si pikëpamje, si opsion, si zgjidhje. (…) Do të zhdukemi poqese këtë e bëjmë përsëri. (…) Na ka mbytë shekulli i njëzet. Kemi humbur njerëz sa që as në shekullin e ardhshëm nuk do të mund t’i kompenzojmë. Nuk kemi më njerëz për t’i quar posht. (…) Kjo është ajo që desha t’ua them. Ndoshta ishte pak, ndoshta nuk ju pëlqeu, por unë nuk mundëm ndryshe. Nuk dua ta di për atë Serbinë e Madhe, e cila hecë me çizme e me pushkë në dorë. Di atë që është me libër, me laps, me laptop. Me punë dhe me dije. (…) Se çfarë pëgjegje do të jepni, është punë e juaj. Në Serbi, çdo njeri duhet të hapë sytë e të shohë atë që duhe të parë, dhe të vendosë se a e ka të ardhmën të kaluar, apo të kaluarën të ardhme,- u tha Vuçiqi serbëve në Mitrovicë. Ata që kanë përcjellë fjalimin, kanë mund të vërejnë fytyra jo shumë të zgërdhira dhe duartrokitje të pakta. Dikujt nuk i ka pëlqye realizmi, dikush nuk I ka kuptuar metaforat dhe kodet e Vuçiqit.

Për çudi, me asnjë fjalë nuk i përmendi marrëveshjet e nënshkruara deri më tash në Bruksel, midis Kosovës e Serbisë, për të cilat nuk lë rast pa u ankua kinse Kosova nuk po i respekton, e në të vërtetë vet Serbia nuk e ka respektur asnjë. Madje nuk e përmendi as “Zajednicën”, por nuk harroi të thotë atë mantrën bajate të stërpërsëritur, se pavarësinë e Kosovës nuk do ta pranojë kurrë.

Sidoqoftë, në atë galimatijas fjalësh, kishte edhe racizëm, edhe kërcënime. Në një pjesë të diskutimit, Vuçiqi tha “Po, po, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është shqiptar, dhe unë duhet të flas me te”. Me këtë sikur deshi të shotë, se shqiparët nuk janë njerëz të denjë për të biseduar me ta, por  jemi të detyruar të bisedojmë. Në kontekst të fjalimit tha: nuk po ju premtoj pushkë dhe municion, edhepse është e kuptueshme se askujt nuk do t’i lejojmë të përdorë armë e municion kundër jush, ndërsa nga fundi i fjalimit, ua tregoi një mbishkrim në një mur aty (të Urës së Ibrit, a.f.), dhe iu premtoi: “Siç po shkruan në atë mur në Mitrovicë, prej këtu nuk ka prapa, ndërsa më të fortit kurrë nuk lëshojnë pozicionin”. Kjo nënkupton se minimum i kompromisit që kërkon  Vuçiqi,  prej atij muri e tutje, nuk ka kthim prapa! Ai u premtoi serbëve të Kosovës edhe mbështetje të madhe financiare, ekonomike e sociale, me investime të reja.

Sidoqoftë, fjalimi  i Vuçiqit ka edhe disa tone realiste, për një shkëputje nga mitet. Por sikur ka thënë kardinali e politikani francez, Richelieu (shek.16), “më nxjerr cilëndo fjali prej cilitdo libër, dhe autorin mund ta dërgoj në litar”. Edhe nga fjalimi i Vuçiqit, mund të gjesh fjali që ta dërgosh në litar, sikur edhe fjali tjera që mund ta propozosh për Çmimin Nobel për paqe! Këto të fundit, nuk di nëse i ka thënë me sinçeritet, apo për opinionin e jashtëm.

Po ta kishe sinqerisht vullnetin e mirë dhe synimin për paqe, ai duhej t’u thoshte serbëve të Kosovës, se kryeqyteti i tyre është Prishtina e jo Beogradi, shteti i tyre është Kosova e jo Serbia, dhe se duhet të respektojnë ligjet dhe intitucionet e shtetit ku jetojnë, të integrohen plotësisht, të realizojnë të drejtat që u janë garantuar me kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës, me standarde që s’i ka asnjë minoritet në botë, të bashkëjetojnë e bashkëpunojnë me shqiptarët. Ata nuk i rrezikon asgjë dhe askush në Kosovë, por e rrezikojnë vetvetën dhe i rrezikon politika e Beogradit, që i shërbejnë si kali Trojës, për të manipuluar për qëllimet e saj.  Po t’u jepte serbëve këso porosi paqe, dhe si kryetar i Serbisë të kërkonte falje për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, pozita dhe gjendja e serbëve në Kosovë do ishte e lakmueshme për të gjithë.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …