ADIL FETAHU: SHKOLLA NORMALE ‘’SAMI FRASHËRI’’, PRISHTINË (1941-1944)

SHKOLLA NORMALE ‘’SAMI FRASHËRI’’, PRISHTINË (1941-1944)

Në historinë e shkollave normale për përgatitjen e mësuesve shqiptarë, duhet përmendur një varg shkolla të tilla, në të cilat u përgatitën mësues për shkollat shqipe,  duke filluar nga Shkolla Normale  Arbëreshe-Kroate në Arbresh të Zarës (1866-1956), shkolla normale (turke, ‘Darulmualim) në Shkup,  Manastir e Prizren deri në vitin 1912), Shkolla Normale Shqipe-Rumune në Bukuresht (1892), Shkolla Normale e Elbasanit (1909), Shkolla Normale e Beratit (1912), Shkolla Normale e Shkodrës (1917), Shkolla Normale Femërore e Tiranës (1930, ndërkaq në Kosovë për herë të parë një shkollë normale për përgatitjen e mësuesve shqiptarë u hap në vitin shkollor 1941/42, në kohën e okupimit fashist italian. 

Me Dekretin nr.317 të datës 12 nëntor 1941, të nënshkruar nga mëkëmbësi Françesko Jakomini dhe nga ministri i Arsimit të Shqipërisë, prof.Ernest Koliqi, ishte vendosur që rrjetit të shkollave të mesme të Shqipërisë t’iu shtohen edhe 14 shkolla të mesme në ‘’territoret e çliruara’’ nga ish-Jugosllavia. Ato shkolla ishin të profileve të ndryshme:  Shkolla Normale në Prishtinë,  9  shkolla profesionale për profesione të ndryshme në: Tetovë, Kërçovë, Dibër,  Strugë, Gostivar,  Gjilan, Ferizaj,  Prizren dhe Ulqin; dy gjimnaze (lyce), në Prizren e Tetovë, dy institute teknike, në Pejë dhe Gjakovë.

Vëmendja kryesore e Ministrisë dhe e ministrit Koliqi iu kushtua hapjes sa më parë dhe mbarëvajtjes  së punës të Shkollës Normale, për përgatitjen e mësuesve aq të nevojshëm për shkollat shqipe që po hapeshin gjithandej në ‘’viset e çliruara’’.

Në kuadër të Shkollës Normale, të cilës iu vu emri Shkolla Normale ‘’Sami Frashëri’’, vepronte edhe drejtimi liceal (gjimnazi). Drejtor (apo komesar) i Normales ishte emëruar dr.Rexhep Krasniqi, më vonë (1944) në atë post u emërua prof. Ahmet Gashi. Ministria kishte emëruar 12 mësimdhënës për kuadrin arsimor të Normales. Ishin zgjedhur kuadrot më të përgatitura, të cilët kishin kryer universitete të jashtme, në Austri, Itali, Rumani, Turqi e gjetkë.

Normalja filloi punën më 17 dhjetor 1941, por disa nga kuadrot e emëruara nuk erdhën me kohë,  kështu që mësimdhënësit e parë u ngarkuan me shumë lëndë dhe orë mësimi.

Mësimdhënësit e emëruar në vitin e parë shkollor (1941/42), kanë qenë: Dr.Rexhep Mitrovica (drejtor), Reuf Zaimi (zëv.drejtor), Lirak Dodbiba, Filip Ndocaj, Zenel Hekali, dr.Musa Dizdari, prof. Zeqir Spahiu, prof. Lazër Berisha, prof. Ymer Berisha, prof. Lorenc Antoni, prof. Fet-hi Dizdari. Në cilësi të bashkëpunëtorëve të jashtëm ishin angazhuar për të mbajtur orë mësimi edhe prof. Abdurrahman Buza, Kolë Parubi dhe Adem Bazhdari.

Edhe në vitin e dytë shkollor (1942/43), që filloi punën më 13 nëntor 1942, ndihej mungesa e mësimdhënësve. Gjatë atij viti shkollor mësimet i mbajtën: Dr Rexhep Krasniqi (drejtor), Reuf Zaimi (zëv.drejtor), prof.Lirak Dodbiba, Adem Bazhdari, Aqif Selfo, prof.Ibrahim Kelmendi, Eftim Deri, dr.Myftar Spahiu, prof.Ymer Berisha, Kolë Parubi, Fet-hi Dizdari, Zef Shpani, Vasil Toli, Xhevdet Harbuli, Xhavit Saraçi, Zeqir Bajrami, Eqrem Qano, Vasil Andoni, dr.Zef Kakarriqi, Niko Qafzezi, Xhelal Mitrovica, Adem Gllavica, Dervish Bejleri, Kolë Kozmai, Behxhet Jalldashi,  Kristaq Fundo

Për shkak të mungesës së kuadrit arsimor, viti shkollor 1943/44 filloi me vonesë edhe më të madhe (filloi tek më 10 janar 1944, ndërsa përfundoi më 10 qershor). Deri në prill 1944, drejtor i Normales ishte Reuf Zaimi, ndërsa prej 25 prill u emërua prof.Ahmet Gashi, i cili e drejtoi Normalen deri në mbylljen e saj, në nëntor të vitit 1944, për shkak të shpërthimit të luftës. Kuadri arsimor gjatë vitit shkollor 1943/44, ishin: Ahmet Gashi (drejtor), Reuf Zaimi, zëv.drejtor, Ibrahim Kelmendi, Zeqir Bajrami, Reshit Kashari, Ymer Berisha, Luigj Frano, Idriz Ajeti, Zef Shpani, Kolë Parubi, Ferudin Beli, Xhevdet Harbuli, Peter Elezi, Vasil Toli, Eftim Deri, Xhavit Saraçi, Fet-hi Dizdari, Liko Todhe, Xhemil Et-hemi, Adem Gllavica, Luan Gashi, Zef Kakarriqi. Ishin edhe tri femra italiane të angazhuara në procesin mësimor: Concenttina Rocco, që mbante mësimin e gjuhës italiane; Vittore Lulichi dhe Cornellina Fedosco, mbanin mësimin e punëdores.

Numri i nxënësve të regjistruar në Normale sa vinte e rritej. Këshhtu në vitin e parë shkollor (1941/42) ishin regjistruar afro 350, në vitin e dytë ky numër u kalua, ndërsa në vitin shkollor 1943/44 ishin regjistruar 446 nxënës. 

Normalja punonte në lokalet e Gjimnazit, ndërsa me adaptimin e një pjese të Gjimnazit për konvikt, dhe me rritjen e numrit të nxënsëve e kursistëve, u muar me qëra edhe shtëpia Ilaz Agushit.

Plani mësimor i shtetit shqiptar për shkollat normale përmbante këto   lëndë mësimore: Gjuhë shqip, gjuhë latine, gjuhë e huaj I, gjuhë e huaj II, Histori, Gjeografi, Pedagogji, Praktikë pedagogjike, Matematikë, Fizikë, Shkenca natyrore, Kimi, Higjenë, Vizatim, Muzikë-këngë, Muzikë instrumentale, Edukatë fizike, Edukatë morale, Bujqësi, Bukurshkrim, Punë dore (veçmas për djem e për vajza), Punë dore për vajza, Ekonomi shtëpiake (për vajza).

Kurset pedagogjike 

Me Dekret të Ministrisë së Arsimit (28.02.1942), u hapen dy kurse pedagogjike gjashtëmujore, për kualifikimin e mësuesve; njeni në Elbasan e tjetri në Prishtinë (pranë shkollave normale). Ishin përcaktuar kushtet që duhet t’i plotësonin kandidatët të cilët do pranoheshin në ato kurse: ata që kanë kryer ndonjë shkollë të mesme (përpos normales); ta kenë të kryer shkollën tetëvjeçare, semimaturën, apo t’i kenë kryer katër klasë të medreseve të njohura të Shkupit; t’i kenë kryer dy klasë të ndonjë shkolle të mesme, me ndonjë kurs specializimi,  dhe profile tjera, si dhe të kishin moshën prej 18 deri në 30 vjeçe. Disa prej tyre tashmë punonin si mësues të pakualifikuar. 

Për shkak të nevojave të mëdha për mësues në ‘’viset e çliruara’’, me ndryshimin e dekretit, u caktua që kursi pedagogjik në Prishtinë të jetë tremujor. Shteti u paguante kursistëve  bursën mujore, nga 200 franka shqiptare, aq sa ishte rroga e mësuesit, derisa  mësimdhënësit e tyre kishin rrogën 300 franka shqiptare. Numri i kandidatëve që pranoheshin në kurs ishte i kufizuar, në 100 vetë.

Plani mësimor për kurset ishte:

Gjuhë shqipe 3+6 orë në javë,

Histori dhe gjeografi e Shqipërisë, 4 orë

Këngë, 2 orë

Psikologji, 4 orë

Didaktikë dhe metodikë, 5 orë

Ushtrime praktike, 12 orë.

Në kurs punohej në dy ndërrime ditore: para dhe pas dreke. Mësimet i mbanin profesorët e Normales. Në fund të kursit mbaheshin provimet kualifikuese para 4 komisioneve të cilat i kishte caktuar Ministria e Arsimit.

Kursi i parë u mbajt prej 8 korrik deri më 5 tetor 1942, të cilin e kryen me sukses 74 kursistë.

Kursi i dytë u hap prej 1 korrik deri më 30 shtator 1943, të cilin e vijuan 94 kandidatë. Për kandidatët e kursit të dytë ishte ngritur niveli i moshës deri në 40 vjeçë. Kursin e dytë e kryen me sukses 90 kandidat.

Udhëheqës i të dy kurseve pedagogjike në Prishtinë ishte Kolë Margjini, që ishte edhe mësimdhënës i Normales. Pasi që mësimi mbahej në dy turne ditore, shumica e kursistëve ishin të vendosur në Konviktin e Normales.

Konvikti i Normales

Shkolla Normale  e kishte konviktin, në të cilin banonin shumica e nxënësve, disa nga personeli mësimor dhe personeli i konviktit. Profesorët që banonin në konvikt ishin angazhuar në rolin e edukatorëve dhe udhëheqjes së mësimit-studimit të obligueshëm. Për konvikt ishin adaptuar disa hapësira të Gjimnazit, por me rritjen e numrit të nxënësve, u muar me qëra edhe një shtëpi private (e Mustafa Agushit, për 30 konviktorë). Vitin e parë në konvikt ishin vendosur 200 konviktorë, prej të cilëve 160 ishin me bursa të shtetit, ndërsa 40 me pagesë. Në vitin shkollor 1942/43 në konvikt kishte 300 konviktorë. Mbahej kujdes që në konvikt të pranohen nxënësit të cilët kishin ardhur na viset jashtë kufijve të shtetit, të cilat ishin në pushtimin gjerman: Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Preshevë, Shkup, Kumanovë, etj. Ngrohja dhe ushqimi në konvikt ishte i mirë, por kishte probleme për ujin. Në menzën e konviktit ushqeheshin edhe disa bursistë, të cilët banonin jashtë konviktit. Në vitin shkollor 1943/44 ishin edhe 38 vajza bursiste, të cilat u vendosën në konviktin e përgatitur për to, në objektin e shkollës së Hallijave, në Prishtinë. Në konviktin mashkullor organizoheshin disa aktivitete sportive: futboll, volejboll, basketboll, hendboll, etj.

Rektori (drejtori) i parë i Konviktit të Normales ishte emëruar prof.Vasil Andoni, nga Elbasani, ndërsa prof.Ibrahim Kelmendi ishte emëruar zëvendës-rektori. Rektori që nga fillimi organizoi dhe u kujdes maksimalisht për punën e mbarë dhe kushtet në konvikt. Ishte aq i dashur për nxënësit konviktorë, sa që ata e quanin ‘’Baba’’. Po ky fitoi simpati edhe në mesin e qytetarëve të Prishtinës, të cilët e quanin ‘’Efendi Veseli’’. Është rast karakteristik, që ky si i krishterë ortodoks, për respektin ndaj qytetarëve të Prishtinës, e kishte agjëruar Ramazanin e vitit 1943! 

Gjatë tri viteve shkollore, në Konviktin e Normales së Prishtinës punuen ky personel: Vasil Andoni, rektor i Konviktit, prof..Ibrahim Kelmendi, zëv.rektori, Isa Omeragiq, ekonom, Hevzi Shemsiu, institutor,  dhe edukatorët: Abdullah Osmani, Filip Pena,  Thimio Deda, Ali Agushi, Emil Miloti (edukator në konvikt dhe seretar i shkollës), Kiço Kasapi, Abdulla Moteçi, Petrit Voshtina, Luan Gashi, Lutfije Zejnullahu, Androniqi Koça, Hysnije Ymer Ahmeti, Mensur Kodra, Shefik Dehallisi, Ymer Ahmeti, Skender Gostivari, Skender Shehu. 

Mbyllja e Shkollës Normale ‘’Sami Frashëri’’

Edhepse Italia fashite kapitulloi në shtator të vitit 1943, dhe ‘’viset e çliruara’’ u vunë nën okupimin e Gjermanisë, ushtria gjermane nuk i mbylli shkollat. Ato vazhduan, bile tash  më shlirshëm edhe në viset e zonës së okupacionit gjerman që ka qenë  e ndarë nga zona e okupacionit italian.

Por me shpërthimin e luftës partizane kundër ushtrisë gjermane edhe në këto vise, Shkolla Normale Shqipe ‘’Sami Frashëri’’ e Prishtinës ndërpreu punën e saj trivjeçare mjaft të suksesshme, falë ministrit Ernest Koliqi, personelit arsimor-edukativ të zgjedhur e të përkushtuar dhe enthusiazmit të popullit të etur për arsimim.

Pas mbarimit të luftës (1945), në vitin shkollor 1946/67 u çel Shkolla Normale në Gjakovë, e cila pas shtatë vjet pune atje, u transferua në Prishtinë në vitin shkollor 1953/54, ku punoi e veproi si shkollë normale deri në vitin 1974, pastaj u shndërrua në Akademi Pedagogjike, për t’u shndërrua më vonë në Shkollë të Lartë Pedagogjike.

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit - këngëtari, Nikollë Nikprelaj

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit – këngëtari, Nikollë Nikprelaj

Këngëtari, i mirënjohur, Nikollë Nikprelaj, me origjinë nga Trieshi i Malësisë së Madhe, radhitet në mesin …