Adil Fetahu

Adil Fetahu: SISTEMI DHE INSTITCIONET E DREJTËSISË ISLAME (SHERIATIT)

‘’Më e vlefshme është një ditë drejtësi, sesa gjashtëdhjetë vjet adhurim”

E drejta është shprehje i ligjshmërive shoqërore që janë zbatuar (apo zbatohen) në shoqëri të caktuara dhe në kohë të caktuar. Prandaj, ajo është e ndryshme për shoqëri të caktuara dhe kohë të caktuar. Dhe, po të krahasohet e drejta e vjetër me konceptin e shtetit dhe  të drejtës së tashme, na duken absurde ato botëkuptime të të drejtave dhe obligimeve të qytetarëve (në sisteme të ndryshme: të skllavopronarëve dhe feudalizmit).

E drejta islame (Sheriati) ka nisë të zbatohet në shekullin VII të erës sonë. Ajo e drejtë ka karakter sakral dhe dogmatik.  Kjo është e kuptueshme, kur kemi parasysh se ajo e drejtë burimin e vet kryesor e ka në librin e shejtë Kur’anin, i cili siç e thonë dijetarët fetarë, ka zbritur dhe është publikuar në atë shekull, kur edhe e ka predikuar profeti Muhamed.

Kur’ani përbëhet nga një tekst voluminoz, i sistemuar në 114 sure (kapituj) dhe i shkoqitur në më se 6600 ajete (fjali, citate) me gjatësi të ndryshme. Janë mbi 550 ajete që kanë të bëjnë me  porosi për edukimin fetar dhe moral të besimtarëve islam, ndërsa rreth 500 ajete rregullojnë marrëdhënet juridike private dhe publike në shoqërinë islame. Dhe duhet sqaruar këtu se Sheriati është zbatuar për muslimanët, e jo për  të tjerët. Vetëm nëse jomulimanët kanë kërkuar që sheriati të zbatohet ndaj tyre, dhe nëse gjykata ka pranuar kërkesën e tillë, atëherë është zbatuar edhe ndaj jomuslimanëve.

Në shtetin islamik ndaj jomuslimanëve është zbatuar e drejta e tyre fetare dhe zakonore, por jo për të gjitha marrëdhëniet dhe situatat. Sepse, për çështjet administrative, fiskale (tatime, taksa), për çështjet penale dhe për çështje të pronave të tokave, është zbatuar e drejta dhe jurisdiksioni i Sheriatit edhe ndaj jomuslimanëve. Një specifikë për jomuslimanët në shtetin islamik ka qenë se ata nuk janë marrë ushtarë, nuk janë pranuar nëpunës shtetëror dhe nuk kanë mund të dëshmojnë kundër muslimanëve, për shkak të mosbesimit ndaj tyre, pasi ata nuk ishin besimtarë muslimanë.

Burimi kryesor i të drejtës së Sheriatit është Kur’ani, por në mungesë të dispozitave kuranore për çështje të ndryshme, si burime plotësuese kanë shërbyer Hadiset e profetit Muhamet, ‘’ixhmat’’- pikëpamjet konsesuale të ulemave (dijetarëve) juridik: ‘’kiasi’’ – zgjidhjet e dijetarëve juiridik sipas analogjisë, dhe më vonë edhe ‘’kanunet’’-dekretet e sulltanëve, me fuqi ligjore.  E drejta e Sheriatit është zbatuar në të gjitha shtetet islame, pra edhe në Perandorinë Osmane, e cila ka sunduar edhe në trojet tona.

Parim themelor i sundimit në shtetin islam  dhe  i zbatimit të Sheriatit, ka qenë drejtësia dhe barazia midis njerëzve, pa marrë parasysh shtresën shoqërore, statusin dhe pozitën e tyre. Në gjykimin për çështje penale, të gjithë qytetarët (muslimanë) kanë qenë të barabartë para ligjit, qofshin ata rob, apo zyrtarë të lartë të shtetit. Në shtetet joislame nuk ka ekzistuar barazia para ligjit e robit me qytetarët e lirë.  Në gjykimet sipas Sheriatit është zbatuar edhe parimi i talionit: ‘’sy për sy, dhëmb për dhëmb’’, parim ky që është caktuar në librin e shejtë hebraik, Tevratit, e që e akcepton edhe Kur’ani (El-Maide 45, dhe En-Nuh 126), përveç nëse pala e dëmtuar e ka falë fajtorin.

Në të drejtën islame (Sheriat) edhe administratorëve dhe qeveritarëve të shtetit u njihej e drejta e ndëshkimit administrativ, si masë korrektimi të sjelljes, për rastet për të cilat nuk ishte caktuar ndonjë dënim tjetër penal-juridik

Pushteti gjyqësor

Që nga sundimi i kalifit Omer, në shtetin islam ka ekzistuar dhe ka vazhduar njëfar tradite e ndarjes së pushtetit: në pushtetin administrativ dhe pushtetin gjyqësor. Kështu ka qenë edhe në Perandorinë osmane.

Organet origjinale për zbatimin e drejtësisë, për çfarëdo lloj kontradikte a delikti, ishin gjykatat  e drejtësisë dhe ato administrative. Në botëkuptimin islam të shtetit juridik, rregullat juridike (islame) nuk janë produkt i vullnetit njerëzor, por kanë burimin hyjnor. Sunetet (praktika) dhe tradita profetike kanë qenë shpjegim i detajuar dhe shtjellim i rregullave hyjnore. Në këtë kuptim, ishte mendimi se ‘’Më e vlefshme është një ditë drejtësi (në gjykim), se gjashtëdhjetë vjet adhurim (lutje)’’, të cilën e thoshte Dejlemiu, sahabi i Profetit.

Elemente kryesore për parandalimin e subjektivizmit, apo të padrejtësisë në gjykime, ishin metoda dhe procedura e gjykimit dhe zgjedhja e kadive (gjykatësve). Në shqyrtimin e çështjeve dhe marrjen e vendimeve në sistemin juridik të Sheriatit, në rolin e gjykatësve paraqiten kadiu (gjykatësi) dhe myftiu (dijetari juridik për Sheriatin). Kadiu zhvillon procedurën, administron provat materiale dhe mbledh  deklaratat e palëve dhe dëshmitë e dëshmitarëve. Në bazë të provave të administruara, kadiu e vërteton gjendjen faktike për rastin konkret.  Kur kadiu ta ketë vërtetuar gjendjen faktike, atë ia referon myftiut,  pa ia treguar emrat e palëve. Myftiu, i cili nuk ka marrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor as nuk i njeh palët, nuk ka asnjë  ngarkesë, përshtypje apo ndikimin  nga skena e zhvilluar në shqyrtim, prandaj me qetësi të plotë nxjerr konkluzionin më të përshtatshëm për konfliktin e caktuar dhe për këtë e njofton kadiun, i cili ia komunikon palëve vendimin. Kanë ekzistuar organe të shkallës së dytë, për të shqyrtuar ankesat e palëve. Palët, në raste të caktuara, kanë mundur të paraqesin ankesë edhe te vet sulltanit, si zbatues i drejtësisë së Zotit për njerëzit në tokë.  Në rast të tillë, sulltani ka mund të vendosë vet, apo çështjen t’ia përcjell personave të autorizuar prej tij për të vendosur.

Kushtet (cilësitë) e gjykatësit

Për t’u zgjedhur kadi (gjykatës) në sistemin gjyqësor të Sheriatit, kërkoheshin  kushte dhe kritere të larta profesionale dhe morale. Nga pikëpamja profesionale kadiu duhej të ketë kryer shkollën (medresën) për të drejtën e Sheriatit, do të thotë të ketë kompetencë profesionale të drejtës juridike, të traditës profetike dhe të zakoneve e traditave të komunitetit. Përveç kompetencës profesionale, kadiu duhej të jetë i mençur, i drejtë, paqësor, serioz, i besueshëm, i pa komprometuar, i njohur për ndershmëri, i pa korruptuar. Natyrisht, në postin e kadiut apo të  myftiut nuk mund të ishin femra. Këto cilësi të gjykatësit Sheriati i lidhë me ajetet kuranore për veprim me drejtësi, pavarësisht se për cilin gjykon.  Për shembëll, në ajetin 8 të sures Al Maide, thuhet: ‘’O ju që keni besuar! Bëhuni nga ata (gjykatësit) që e mbajnë në këmbë drejtësinë për hirë të All-llahut, bëhuni dëshmitarë model drejtësie! Urrejtja që mund të ndjeni ndaj një populli, le të mos ju shtyjë për t’u shmangur nga drejtësia! Silluni me drejtësi se ajo është edhe më pranë takvasë (devocionit)…’’. Dhe jo vetëm për gjykatësit, por edhe për dëshmitarët kërkoheshin kushte e kritere të një ndërgjegjeje e virtyti të lartë,  sa që rrallë ndonjë i plotësonte ato kushte për të qenë dëshmitarë. Jomuslimanët nuk mund të ishin dëshmitarë për kontestet midis muslimanëve.

Jo vetëm për shkak të kushteve dhe kritereve që kërkoheshin për gjykatës (kadi), por edhe për shkak të përgjegjësisë që ata ndjenin vet para njeriut dhe para Zotit për gjykimet që do të bënin, shumë kandidatë të propozuar për ato poste nuk pranonin emërimin. Tregohet se një i tillë, Husein B.Mansuri, të cilin e kishin propozuar për kadi në vendlindjen e tij, ai ishe fshehur tri ditë, e kishte lutur Zotin që t’ia merr shpirtin, dhe kështu ditën e tretë  kishte vdekur. Juristi i njohur Makhul kishte thënë: ‘’Në qoftë se lihem i lirë të zgjedh ose detyrën e gjykatësit ose të ezkekutohem me vdekje, pranoj vdekjen’’.  Këto shmangëje nga detyra e gjykatësit në të drejtën islame, përveç specifikave të paraqitura më sipër  të përgjegjësisë për garantimin e drejtësisë, janë bërë edhe për një shkak tjetër ndikues – frika nga përgjegjësia hyjnore në botën tjetër.  

Kaditë dhe myftitë i emëronte sulltani (kalifi), për territore të caktuara.  Nga aspekti i kompetencës territoriale, territori i kadillakut nuk ishte e domosdoshme të përputhej me territorin e ndarjes administrative (sanxhaqeve). Në kompetencën reale gjyqësore të kadive ishin çështjet individuale të palëve, martesat, divorcet, trashëgimia, kontestet pronësore, taksat dhe tatimet,  shërbimet noteriale,  çështjet penale, etj.

Mbikadiu apo kadiu i kadillukut ishte kadi i rangut më të lartë, i cili gjykonte në shkallë të dytë, apo si shkallë e parë në çështjet më të ndërlikuara. Ka ekzistuar edhe një nivel tjetër mbi kaditë, që ishin kaditë mufetishë, të cilët kishin kompetencë dhe detyrë të shqyrtonin profesionalizmin dhe përshtatshmërinë e kadive.

Si njerëz të lidhur me besimin fetar dhe të ndërgjegjëshëm për përgjegjësinë para njeriut dhe para Zotit për çështjet që do të gjykonin, shteti kishte vështirësi të gjente të tillë për t’i emëruar kadi.

Perandoria Osmane që ishte shtet i përbërë prej dy shtresave: shtresa ushtarake dhe raja (shtresa e bujqëve), edhe sistemin gjyqësor e kishte të veçantë për shtresën ushtarake. Në shtresën ushtarake, si shtresë më e lartë,  bënin pjesë edhe të gjithë nëpunësit e shtetit dhe udhëheqësit fetarë. Prandaj ata kishin edhe grada ushtarake.

Në Perandorinë Osmane ekzistonte sistemi i mileteve (popujve të përkatësive të ndryshme fetare, si bashkësi të popullsisë jomuslimane: hebrejë, katolikë, ortodoksë). Ata kishin të drejtë që në kuadër të bashkësive  t’i rregullonin dhe gjykonin çështjet e tyre të brendshme, siç janë çështjet familjare, trashëgimore dhe marrëdhëniet brenda bashkësisë dhe kishës së tyre. Organet e atyre bashkësive  (kryesisht kishtare-fetare) i zgjidhnin çështjet sipas rregullave, traditës dhe zakoneve të tyre, por ato nuk mund të vendosnin për çështjet të karakterit publik, ose në çështje penale.

E tërë drejtësia e Sheriatit lidhet me urdhërat e Zotit, të botuara në Kur’an, për të zbatuar drejtësi maksimale në tokë, ndonëse ajo nuk mund të jetë drejtësi absolute. Këtë e ka predikuar edhe profeti Muhamed dhe drejtësinë e tij e kanë pranuar edhe personalitete të besimeve tjera. Lafajet, njeni nga autorët e Deklaratës për të Drejtat e Njeriut (1879) pas Revolucionit Francez, para se ta miratonin atë Deklaratë e kishte shqyrtuar të Drejtën Islame, bashkë me sistemet e tjera të drejtësisë, dhe kishte thënë për Muhamedin: ‘’Lavdi ty o arab i shkëlqyer, që paske gjetur vetë drejtësinë e vërtetë’’ (Kadir Misirogllu: BOTKUPTIMI ISLAM, fq.343), ndërsa kancelari gjerman, Bizmarku, kishte thënë: ‘’Jam i pafat që s’munda të jem bashkëkohësi yt o Muhamed’’ (po aty, fq.344).

Tërë këtë shtjellim i bëra, për të potencuar rëndësinë e drejtësisë që duhet të mbahet midis njerëzve, jo sipas të drejtës së Sheriatit, por sipas të drejtës pozitive,  e që mjerisht nuk po mbahet. Virtytet e njeriut janë të shumta, por drejtësia është virtyti më i lartë i njeriut; ajo është mbretëresha e virtyteve, është hyjnore. Platoni, para më se 2500 vjetëve, ka thënë: ‘’Drejtësia është virtyti më i lartë; gjithë ari i botës që gjendet nën tokë dhe mbi tokë, nuk është i mjaftueshëm për ta dhënë në këmbim të këtij virtyti’’.

Le të jetë ky shkrim imi apel për drejtësi mes njerëzve, drejtësi në të gjitha segmentet e shtetit, veçmas në organet e drejtësisë. Sepse drejtësia e lartëson kombin.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …