Adil Fetahu

Adil Fetahu: Telashet e Vuçiqit me Velo “telashen”

Arrestimi i njëfarë krimineli të mirënjohur dhe të mbështetur e sponsoruar nga strukturat e shtetit të Serbisë, Velko Belivuk, i quajtur Vela Nevola (nevolje, serb: telashe), është në krye të lajmeve  të mediave e tabloideve serbe qysh prej fillimit të shkurtit të këtij viti. Bashkë me Vela “Telashën” u arrestuan edhe 19 kriminelë e bashkëpunëtorë të tij, nën akuzë për kryerjen e veprave penale të vrasjeve, kidnapimeve dhe trafikimit me narkotikë. Arrestimet kanë vazhduar dhe përditë lajmërojnë për arrestime të reja. Nëse ka seriozitet dhe guxim në zhvillimin e hetimeve, ato do të qojnë deri te vet kreu i shtetit. Deri tash i janë avitur, sepse edhe djali i madh i Vuçiqit (Danillo) është i implikuar si pjesëtar i atij grupi: të paktën është parë disa herë në shoqëri me grupin kriminal.

Vuçiqi vet e ka paralajmëruar opinionin dhe disa herë e ka përsëritur, se jo vetëm Serbia, por edhe Europa dhe bota do të shokohën kur të shohin se si ky grup i ka vrarë e masakruar kundërshtarët e vet, duke ua prerë kokat e lozur futball me kokat e prera. Bile, Vuçiqi porositi që fotografitë dhe inçizimet që do t’i tregojnë, të mos i shohin fëmijët dhe familjarët e viktimave, sepse do të tmerrohen!.

Për ta informuar opinionin mbi veprimet kriminale të grupit, Vuçiqi kishte parlajmëruar mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me të vetmën pikë: luftimi i krimit të organizuar.  Mbledhja e atij Këshilli u shty dy-tri herë,  dhe kur u mbajt më 4 mars, pika e krimit të organizuar ishte renditur në vendin e tretë, pas analizës së situatës në Kosovë dhe pas aksionit të vaksinimit kundër koronavirusit.  Po çka doli nga fotografitë dhe inçizimet “shokuese”: asgjë e veçantë ose e jashtëzakonshme për shoqërinë serbe; nuk u shokua askush në Serbi, e aq më pak në Europë dhe në botë, që kishte paralajmëruar Vuçiqi. Publikut iu treguan fotografi të armëve të konfiskuara, ndër të cilat më së tepërmi u fol për një pushkë snajperi special, të shtrejtë, për të cilin ministri i punëve të brendshme, A.Vulin, thotë se ka qenë i destinuar për të bërë atentat kundër Vuçiqit dhe se këtë detyrë është dashur ta kryejë njëfar Sllavisha Kokez, i cili nuk ka pranaur të përgjigjet në poligraf, kur është pyetur për këtë gjatë hetimeve. Në fotografitë tjera u treguan dy viktima; njëra me kokë të prerë. Nuk u përmend asnjë emër i zyrtarëve të lartë shtetërorë, se janë pjesë e grupit kriminal të arrestuar.  Ministri i policisë foli shumë për 1572 përgjime të bisedave telefonike të Vuçiqit dhe anëtarëve të familjes së tij, që i kanë përgjuar disa persona zyrtarë të policisë dhe të BIA-s (agjensioni i sigurisë dhe informacionit), dhe shtoi se të gjithë policët e pyetur në këtë temë gjatë hetimeve, kanë rënë në poligraf (detektorin e gënjeshtrës)!.

Edhepse gazetarët hulumtues disa herë kishin apostrofuar emrat e përveçëm të disa zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe partiakë, nga radhët e  partisë së Vuçiqit, të implikuar në veprimet kriminale me grupin e arrestuar, Vuçiqi nuk e përmendi asnjë prej tyre. Në pyetjen e gazetarëve, ku është   Nebojsha Stefanoviqi, ish-ministri i policisë,  tash ministër i ushtrisë, Vuçiqi tha se Stefanoviqi ishte në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe se aty do të jetë për sa koë që është në poziën e ministrit!

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, u fol për mënyrën e kryerjes së krimeve makabre që kanë bërë pjesëtarët e grupit kriminal: se kanë rrahur, maltretuar, kidnapuar e vrarë kundërshtarët e tyre; viktimave ua kanë prerë gjuhën, veshët, hundën, madje edhe kokën dhe kanë lozur “futball” me kokat e prera; ato sqena makabre i kanë fotografuar dhe inçizuar e ua kanë dërguar në telefonat e anëtarëave të familjes dhe kundërshtarëve të grupit. Ua kanë dërguar edhe ndonjë operativisti të policisë, për t’ua tërhequr vërejtjen se fati i njëjtë do t’i gjejë poqese përpiqen ta pengojnë aktivitetin e grupit. Ato foto dhe inçizime ua kanë dërguar edhe anëtarëve të grupit, duke i kërcënuar se kështu do të veprojnë edhe ndaj tyre, poqese nuk i kryejnë urdhërat që u jepen, apo nëse ndokush “gabon” t’i lajmërojë.

Vetëm gjatë vitit 2020 janë zhdukur pa shenj 12 veta. Në 44 telefona të dekoduar, janë gjetur prova dhe emra të personave të piketur për t’i likuiduar, më të shumtët nga radhët e operativistëve të policisë.

Nga hetimet e deritashme,  në opinion  kanë dalë dyshime se me grupin kriminal, të cilin e udhëheqë Vela Nevola, janë të lidhur zyrtarë të lartë të organeve të pushtetit, ndër të cilët përmenden:

Ish-ministri i policisë, Nebojsha Stefanoviq, tash, aktualisht ministër i ushtrisë së Serbisë,

Ish-sekretarja shtetërore në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Dijana Hërkalloviq (as kjo nuk ka pranuar të përgjigjet në poligraf),

Kryetari aktual i Gjykatës së Lartë të Beogradit, Aleksandar Stepanoviq,

Funksionari i lartë i Beogradit, Damir Handanoviq,

Kryetari i Lidhjes Futbollistike të Serbisë, Sllavisha Kokez,

Udhëheqësi i Klanit “Kavasi”, Radoje Zvicer (nga Mali Zi).

Për veprimet e grupit kriminal dhe personat e involvuar me grupin, mediat e pavarura kanë alarmuar opinion qe dhjetë vjet, por vet strukturat e shtetit i kanë penguar hetimet. Kur gazetarët e pyesnin Vuçiqin, përse djali i tij është parë disa herë në shoqëri me pjesëtarët e grupit kriminal, ky u është përgjigjur: “Pa sta? (ani çka); ju mund të më keni parë edhe mua në ndonjë fotografi bashkë me Dragan Gjillasin, që është krimineli më i madh prej të gjithëve”! Djali i Vuçiqit është parë  disa herë bashkë me pjesëtarët e grupit kriminal, në klubet dhe kafenetë e Beogradit, si dhe në Rusi, duke përcjellë ndeshjen e futbollit për kampionatin botëror midis Serbisë e Kostarikës  (qershor 2018), dhe në Banjallukë me rastin e festës së asaj kreaturë gjenocidale serbe, të quajtur Republika Srpska (2020).

Grupi criminal është kamufluar si grup i tifozëve të ekipit “Partizan” të Beogradit, por është marrë me gjithëfarë lloje krimesh, e më së paku me tifozeri futbolli. Anëtarët më të besueshëm të grupit, përbënin një formacion paraushtarak, të quajtur “Janiçari” (jeniçerët). Udhëheqja e grupit ka pasur objektet e veta të burgut, në të cilat i ka mbajtur të kidnapuarit, i ka torturuar dhe likuiduar e humbur gjurmët.

Ky grup kriminal ka pasur lidhje edhe me rrethe të caktuara të ushtrisë në kohën kur ministër i saj ka qenë A.Vullini, që tash është ministër i policisë. Sindikata e ushtrisë në vitin 2017 i kishte etikuar e kritikuar disa eprorë ushtarakë, se po bashkëpunojnë me Velo Nevolen, të cilit po ia mundësojnë ushtrimin e “janiçarëve” të tij në poligonet ushtarake të qitjes, duke shfrytëzuar armët dhe municionin luftarak të ushtrisë!

Mbrojtja e grupit kriminal nga regjimi i Vuçiqit  lidhet përms djalit të tij; edhe nëse Vuçiqi këtë nuk e ka bërë me dëshirë, do ta ketë bërë nga friga për djalin, për familjen dhe për vete. Arresitimin e Velo “Telashes”, konspiracioni në Serbi e sheh si shkak të tejkalimit të veprimeve të grupit, që ka dalur jashtë kontrollit të pushtetit. Duket se kupa ishte mbushur kur Vela Nevola e kishte rrahur Danillon, djalin e kryetarit të shtetit, në një nga klubet e Beogrdit, në prag të vitit të ri 2021. Dhe gjithnjë e më shpesh flitej se Vela Nevola ka dashur ta vrasë Vuçiin. Për këtë më së shumti flet vet ministri i policisë, Aleksandr Vullin, që është njeriu i cilii ka pasur dhe duhet të ketë informacione. Si provë për këtë Vullini e konsideron pushken speicale snajper, e gjetur me arsenalin e armëve tjera. “Mes rreshtve” lënë për të dyshuar edhe në diplomatë të ShBA-ve, si palë e interesuar për rrëzuarjen e Vuçiqit?! Dhe Vullini nuk do t’ishte ai që është, një poltroon i ulët i strukur në papanicën e Vuçiqit, sikur tërë meritën për zbulimin e këtij grupi kriminal të mos ia atribuonte vet kryetarit të shtetit, Aleksandar Vuçiqit, të cilit përpiqet t’ia rritë rejtingun përmes këtij zbulimi dhe arrestimi të kriminelëve, të cilët i kualiikon ma të rrezikshëm sesa klani i Zemunit, i cili e vrau me atentat ish-kryeministrin Zoran Gjingjiq, më 12 mars 2003.

Nga zhvillimi i mëtejshëm i ngarjeve, veçmas nga serioziteti, pavarsia dhe objektiviteti i organeve hetimore, mbetet të shihet se sa telashe ka pasur dhe do të ketë Vuçiqi dhe regjimi i tij me Velo “Telashen”, dhe deri ku do të arrijë vargu dhe rrjeti i bashkëpunëtorëve të grupit kriminal në struturat e pushtetit shtetëror? Apo, e gjithë kjo ujdurmë do të mbetet në atë fjalinë: “U dridh mali, polli një mi”, sikur ka ngjarë deeri më tash me disa afera tjera të krimit të organizuar në Serbi?

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …