Agron Sejamini: Doli nga shtypi monografia, “Pleshti” e autorit, Gijem Balagè

Agron Sejamini: Doli nga shtypi monografia, “Pleshti” e autorit, Gijem Balagè

Monografia mbi Lionel Mesin, është shkruar me shumë frymëzim nga gazetari spanjoll, Gijem Balagè. Botim luksoz dhe voluminoz, ku mund të shfletosh me një frymë 553 faqe të ilustruara me fotografi nga jeta dhe karriera e tij futbollistike. Një dhuratë e çmuar për sportdashësit shqiptarë disi e vonuar, por e sjellë bukurmirë, në prag të çeljes së kampionatit të Amerikës së Jugut, ku Mesi do të shpalosë ndoshta për herë të fundit, mjeshtërinë e tij si gjeni i futbollit bashkëkohor, me dëshirën e madhe për t’i dhënë Argjentinës, kupën e 15-të të fituar në këtë kompeticion.

Fat që përkthimin nga italishtja në shqip e ka realizuar Fatmir Mëneri, një nga mjeshtrat e gazetarisë sportive, prej vitesh zotërues i kësaj gjuhe, “i detyruar” edhe nga nevoja për të mbushur me informacion nga sporti i huaj, faqet e “Sport Ekspresit”, gazetën e përditëshme, ku ishte edhe kryeredaktor.

Lionel Mesi është kaq i njohur, sa për një moment dikush mund të thotë se, me këtë futbollist, kemi bashkëjetuar çdo javë për gati 20 vite. Thënë ndryshe, ia dimë të gjitha. Po! E vërtetë është se kemi parë, kemi dëgjuar dhe kemi lexuar shumë për këtë gjeni të futbollit. Mirëpo, asnjëherë nuk shuhet dëshira dhe kureshtja për të mësuar edhe më shumë  për një person që adhurohet dhe dashurohet për madhështinë dhe bukurinë e shfaqur në fushën e blertë. Ndërkohë, me lexuesit vemë edhe bastin e fituar, se kur të mbërrijnë te faqja e fundit kanë për të thënë: “Nuk paskemi ditur asgjë për Lionel Mesin!”. Mirënjohje Balagesë që skaliti këtë mrekulli dhe faleminderit Mënerit që e jetësoi në Shqipëri!

Mrekulli dhe pasuri e vyer shpirtërore jo vetëm për ata që adhurojnë Mesin si futbollist, por akoma më shumë udhëzues dhe manifest besimi edhe për gjyshërit, prindërit, vëllezërit e motrat, kur duan që njeriu i tyre i dashur të bëhet futbollist. Edhe më i dobishëm dhe garantues bëhet ky jetëshkrim brilant, po të kujtojmë se Mesi e nisi dhe e vazhdoi udhëtimin me parametra jo premtues në aspektin fizik dhe shëndetësor. Në moshën 11 vjeçare ai u diagnostikua me një problem hormonal të rritjes. Kujtojmë se atëhere, ishte 132 cm i gjatë dhe peshonte 30 kilogram. Mirëpo, të qenit pa fat, ka raste që të transformon në njeri me fat! Mjafton të besosh dhe të punosh!

Besoi dhe punoi për këtë fat e gjithë familja Mesi. Familja e përsosur matriarkale argjentinase që bën ziliqare edhe familjen patriarkale shqiptare për mënyrën si ushqehet  dhe përcillet dashuria, si nxitet dhe mbështetet talenti, si këmbëngulet dhe besohet te suksesi.

“…gjyshe Celia, ka ardhur me vogëlushin Leo, për të parë nipin tjetër, Matiasin. Rodrigo, që ka veshur fanelën kuqebardhë të Grandolit. Grupi stërvitet nga Salvador Rikardo Aparisio, një burrë thatim, i përmbajtur, që punon si trajner prej dhjetë vitesh.

Atë ditë mungonte një lojtar.

“Merr atë, fute të luajë”, – thotë gjyshja, duke treguar me gisht për nga nipi pesëvjeçar, asokohe ende pa famën e ‘Pleshtit’.

“Është shumë i vogël, mund ta lëndojnë”, – përgjigjet Aparisio.

“Po provoje njëherë”, – këmbëngul Celia.

“E mirë, mirë, por nëse e sheh se hutohet, apo nis të qajë, do ta largosh menjëherë. Hap derën dhe largoje”.

Trajneri e fut në lojë edhe pse është një vit më i vogël nga të tjerët dhe ndryshimi, në atë moshë, është shumë i dukshëm. Gjyshe Celia nuk e ndiqte futbollin në Tv, as nuk e shihje në publikun e stadiumit. Për të, futboll ishte vetëm ai që luanin nipat e saj. Edhe për nipat, e gjithë bota rrotullohej rreth gjyshes: një pikë themelore referimi për një familje matriarkale me rrënjë italiane, bazuar në respektin e ndërsjellë dhe mbështetjen e grupit. Nëse e pyet Leon se, cilët kanë qenë momentet më të bukura të jetës, përgjigja është: “lindja e secilit prej nipave dhe mbesave të mia”. Natyrisht, para lindjes së djalit të vet.

Edhe më e afërt dhe e përkushtuar pas të birit ka qenë e ëma, e cila e çonte dhe e priste vogëlushin e saj, deri sa të mbaronte stërvitjen. Jo vetëm merak nëne, por edhe edukator dhe bartëse virtytesh. Mjafton të dëgjosh mësuesen, Monika Domina, që e ka patur nxënës Leon nga 6 deri në 8 vjeç, e cila tregon: “Një ëngjëll, por një ëngjëll me mish e kocka. E takoj shpesh nënën e tij në supermarketin këtu pranë. Ajo nuk del rrugëve për të thënë: “Jam nëna e Mesit!”. Sillet krejt normal, vishet thjesht, asgjë të tepruar. Njoh nëna të futbollistëve të tjerë që e kanë në majë të gjuhës: “Po, jam nënaaaa eeeee…”. Ajo është një zonjë e vërtetë, e qetë dhe e mirë. Dhe ai, atje ku është, kurrë nuk “tund milionat” para të tjerëve. Jeton sa më thjesht të jetë e mundur. Sepse, kështu ishte edhe fëmijë. Kështu e kanë edukuar. Në shtëpi e kanë mësuar me rregulla…”

Mesi u formua edhe nga vizioni i botës atërore. Që në krye të herës, Horge pat qenë baba, një pasqyrë, një mentor, një kundërpeshë, heroi i Leos, njeriu që i hapi perspektivën, burri që duhej të ndiqte, kundër të cilit duhej edhe të rebelohej, por dhe ai të cilin duhej ta konsideronte shokun e tij të këtij rrugëtimi. Një person tek i cili ke besim absolut dhe mbështetje të pacënueshme

“Në jetë kanë rëndësi tri gjëra: objektivi, vizioni për botën dhe vlerat”, – shton Liliana Grabin, një psikologe e njohur në sportin argjentinas.“Nga prindërit merret si trashëgimi mënyra se si duhet përshkuar rruga, vlerat që transmeton. Leo bart në vetvete personalitetin e fortë të së ëmës dhe qetësinë e të atit: një kombinim i çuditshëm. Por gjithçka është filtruar përmes përunjësisë, vetmohimit e këmbënguljes së tij”.

Përshkrim i mahnitshëm artistik me plot detaje jetësore, shpaloset në çdo faqe të këtij libri. Ajo që patëm dëshirë të thoshim në këto rreshta është se nuk kemi të bëjmë thjesht me një kampion të fushës së blertë, por në të gjitha aspektet e jetës. Mjafton ta lexoni…

Pak si vonë ky botim, por tashmë Lionel Mesi, ka për t’u ndjerë edhe më i adhuruar, edhe më i dashuruar nga shqiptarët.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …