Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Çeta e komitëve të Ramë Kozmaqit, fragment nga romani në dorëshkrim: Jani Çupi dhe Tal Shema

Në kohën e Lidhjes Shqiptare të  Prizrenit, prej vitit 1878 e deri në vitin 1881, kishte ndodhur një kthesë me shumë rëndësi për jetën e shqiptarëve në përgjithësi. Grupet e vogla të komitëve dhe të individëve, që kishin rënë në konflikt me pushtetin, tanimë  ndodheshin në rrugë të pajtimit, në rrugë të afrimit njëri me tjetrin, meqë ishte hetuar një klimë më e volitshme e lëvizjes dhe kishte rënë dukshëm represioni i pushtetit kundër tyre. 

Asokohe ishin bërë të njohur emrat e udhëheqësve që nuk ishin njohur më parë por koha i kishte nxjerrë në sipërfaqen e vilajeteve shqiptare, si: Avdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi, Avdullah Dreni, Ali Ibra, Mic Sokoli, Sefë Kosharja e shumë të tjerë. Ata konsideroheshin kreu i forcave shqiptare, që po përgatiteshin për t’i mbrojtur trojet nga copëtimi i shteteve sllave të Ballkanit, në kohën kur Perandoria Osmane po dobësohej në fontet e luftës me Rusinë dhe shtetet e Evropës.

Në një gjendje të tillë, shtrohej si nevojë e domosdoshme krijimi i forcës ushtarake të Lidhjes, e cila po bënte përpjekje të vinte në zbatim platformën e saj. Me qëllim për të konsoliduar radhët, grupet e armatosura tashmë po kontaktonin me kreun, sidomos me Sylejman Vokshin dhe përgjithësisht me parinë e qyteteve dhe fshatrave. Paria e qyteteve ishte në dilemë, meqë parimisht ishte pro turke dhe mbronte interesat e Portës, ndërsa paria e fshatrave, përveç në raste të veçanta kishte disponim anti turk, meqë taksat, të dhjetat,  xhizja thellonin edhe më shumë varfërinë e tyre.

Grupet në zë të komitëve si çeta e Ramë Kozmaqit, Halil Hamzës, Dan Zatriqit, Ahmet Delisë, Man Radishit, Tal Shemës, Rrustë Kabashit e të tjerë, tashmë kishin vënë kontaktet me kreun e Lidhjes dhe kishin pranuar autoritetin e saj.

Asokohe ishin kthyer nga Stambolli edhe disa personalitete të njohura, me qëllim  që të  ushtronin ndikim në ngjarjet që pritej të zhvilloheshin. në pjesën jugore të Drenisës Ishte kthyer mulla Nura i Sadranit, Azem Efendiu i Malmirit, Mulla Vesel Vesa  i Javurit, e të tjerë.

Mulla Nura, ishte porositur nga Stambolli luante një rol të dyfishtë. I lidhur ngushtë me Danish Beun e Prishtinës, ai do të futej në mesin e kreut të Lidhjes në Prizren, me qëllim që nga afër të përcillte zhvillimet dhe të afrohej sa më shumë me krahun autonomist, për të hulumtuar lëvizjet dhe forcën e përgjithshme. Prania e tij në Lidhje, kishte zemëruar sidomos Jani Çupin, i cili nuk kishte hequr dorë nga hakmarrja, edhe pse kreu i Lidhjes kishte kërkuar nga të gjitha grupet e armatosura, që të pajtoheshin dhe të mos hakmerreshin kundër njëri tjetrit.

Edhe Ramë Kozmaqi dyshonte në veprimet e mullait, i cili po bënte përpjekje që përmes Ymer Prizrenit, që ishte zgjedhur kryetari i Lidhjes, të merrte përsipër detyrën e kreut të Drenisës, e cila njihej si vatra më e fuqishme e rezistencës.

Duke qenë i mençur dhe i rryer në kurdisjen e kurtheve, mulla Nura kishte filluar ta ushtronte pushtetin në pjesën më të madhe të Drenisës, duke vepruar me shumë maturi. Ai, në kontaktet që mbante sidomos me imamët, hoxhallarët dhe kryepleqtë e fshatrave reflektonte krahun e pajtimit. Nuk fliste kundër Lidhjes, por shprehte simpati sidomos për rezistencën, që po iu bëhej zbatimit të vendimeve të Kongresit të Berlinit, edhe pse Porta kishte marrë përsipër zbatimin e tyre. Po ashtu, mbante një qëndrim  të fortë për Portën, që sipas  tij ishte e vetmja shpresë, e vetmja digë mbështetëse për myslimanët në Ballkan, sepse po të shkatërrohej  Perandoria,  myslimanët do të shpartalloheshin përfundimisht.

Grupet e armatosura të Drenisës nuk ia kishin besën mullait, meqë ia njihnin veprimtarinë paraprake dhe qëndrimin e tij fanatik pro turk, por habiteshin që ai kishte marrë përkrahje pa rezervë nga vetë kreu i Lidhjes. Pozita e tillë kishte filluar ta degradonte edhe besimin në kreun e Lidhjes, meqë në shumë poste ishin postuar njerëzit që i kishin shërbyer me besnikëri perandorisë. Veprimet e tilla kishin zbehur ndikimin. Edhe në Shtime kreu i Lidhjes kishte caktuar, të parë, mulla Sylën, një përkrahës i fuqishëm i regjimit. Edhe besimi që iu kishte dhënë Rrustë Kabashit, Mulla Ibrahimit e të tjerëve kishte hutuar njerëzit, meqë ata  nuk kishin pozicion të caktuar, për apo kundër Lidhjes.

Në kushte dhe rrethana të tilla të pamundësisë së konsolidimit të duhur, ishin krijuar shumë boshllëqe, të cilat do të hakmerreshin.

Përderisa Ramë Kozmaqi kishte ruajtur asnjanësinë e çetës së tij, edhe pse përkrahte krahun e Sylejman Vokshit, të cilit i kishte premtuar se në rast nevoje të llogariste në qindra trima nga Drenisa, Tal Shema ishte bashkuar me trimat e Rrustë Kabashit, një ajan i njohur por shumë kontravers në veprime dhe qëndrime. Pas ftohjes së marrëdhënieve me mulla Nurën dhe Jani Çupin, kishte vendosur të largohej për të përcjellë zhvillimet nga një kënd tjetër, derisa të krijonte forcë për veprim.

Mulla Nura, duke njohur  cilësitë  luftarake  dhe dinakërinë e Talit përmes njerëzve të tij kishte kontaktuar me të dhe e kishte bindur se ishte në të mirë të tij, të familjes dhe Drenisës të kthehej në Malmir. Mullai i kishte premtuar, që për fillim  ta bënte sërish  përgjegjës për Këshillin e mbledhjes së tagrave e të dhjetave, duke i besuar edhe detyra të tjera me rëndësi. Tali fillimisht kishte dyshuar  në ofertën e mullait, por kur merr vesh se ai qe caktuar i parë i vendit edhe nga kreu i Lidhjes, pranon ofertën dhe së bashku me Dan Dakën dhe vëllanë, Dinin, kthehen në Malmir. Pjesa tjetër e çetës, sipas vendimit të tij, kishte mbetur në radhët e Rrustë Kabashit.

Gjatë kohës së Lidhjes, mulla Nura kishte përforcuar pozitat. Duke marrë pozitën e njeriut shumë të sprovuar, dhe duke u mbështetur fuqimisht në rrugën e mesit “as para pushkës, as prapa mushkës”, ai kishte konsoliduar radhët, kishte ofruar shumë njerëz me autoritet dhe gëzonte besimin e Lidhjes por edhe të Danish beut të Prishtinës. Ishte njeriu që tërhiqte nga të dyja anët dhe përcillte me vëmendje se në cilën anë do të kalonte përfundimisht. Në shënimet e tij të kohës dhe sipas rrëfimeve të kanë treguar bashkëkohësit, mulla Nura, për një kohë kishte fituar reputacionin e njeriut të pajtimit, rreth së cilit ishin tubuar qindra burra dhe trima në zë. Forca e tij e sigurisë ishte një ordi e tërë. Kudo ku shkonte shihej  hipur  mbi kalë të shalës, i përcjellë nga shumë sejmenë para e prapa. Vazhdimisht merrte me vete edhe daullexhinjtë e curlaxhinjtë për ta argëtuar atë dhe për t’ iu mbajtur moralin sejmenëve. Kur brambullonte daullja dhe kur përhapeshin thekshëm tingujt e curleve, i dukej vetja trim mbi trimat. Mullai, si njeri i ditur kishte hetuar me kohë ndikimin mobilizues të muzikës. Jo më kot pashallarët në ekspeditat e tyre kundër “kryçalive” merrnin me vete  njësi të tëra muzikantësh e valltaresh, të cilët mobilizonin forcën ushtarake deri në akte ekzaltuese të vetëflijimit.

Sa më shumë që shkëlqente dhe ngrihej nami i mulla Nurës, aq më shumë i shtohej mllefi e urrejtja, Jani Çupit. Ai, duke qenë i lidhur me kreun e çetës së tij, duke besuar fortë në moralin dhe të drejtën e Lidhjes, iu kishte përmbajtur qëndrimit për ndërprerjen e hakmarrjes, por gjakun nuk e kishte falur dhe vazhdimisht mendonte çastin, kur do të hakmerrej.

-Si shum’ nalt hypi ky mullai ynë, i kishte thënë në bisedë Ram Kozmaqit, Jani Çupi, në prani të disa  trimave të tjerë, në kohën kur po ndodhshin duke pushuar te Kroni Ahut, në bjeshkët e Kozmaqit. Atë ditë komitët kishin pjekur në hell një dash të majmë dhe ishin shtrirë për të pushuar në hijen e madhe të ahut shekullor duke u freskuar edhe ujin e ftohë.

-Mir’ me turkun, mir’ me Lidhjen, gjithmonë tymi perpjet’! kishte shtuar Xun Muleta, një pjesëtar i çetës, i cili ndër të parët kishte ikur nga rekrutimi  në Prishtinë, në grupin e ushtarëve të rinj që po i dërgonin për në Shkup

-Kingji i butë i thith dy nana, ndërsa ai kingji zevzek, nuk e thith dot as nanën e vet, ndërhyn në bisedë Ramë Kozmaqi.  Të gjithë kishin qeshur duke kuptuar shpotinë e prijësit drejtuar Jani Çupit, të cilin e donte, por edhe e qortonte për shkak të mungesës së vetëpërmbajtjes.

-Nuk e di deri kur e ka shkrue Zoti me ndodhun kto punë kshtu. I besueme Lidhjes, si drites s’ diellit. Jemi ne gjendje me dhanë shpirtin kur të na ftojnë pa mendue për familjet tona… dhe, ata burrat e dheut n’ krye e vendosin njeriun ma besnik t’ Sulltanit, vazhdon bisedën Jani.   

-Avash, avash, Jani bej, ia kthen po ashtu me qesëndi Ram Kozmaqi. Mos e ban mizën buall. Nuk asht n krye t’ Lidhjes mulla Nura, ai asht n’ bisht, asht i parë i parësimit të ksaj ane!

-M’ falni qe po ndërhyj o prijës, kishte ndërhyrë në bisedë komiti, Dan Blinaja. Ta tham t drejten edhe mua me dhemb kjo punë. Mulla Nura përfaqëson Drenisen, kjo  don me thane ai na perfaqson edhe neve n’ Lidhje. Kjo nuk durohet. Ke 30 vjet ti, Ramë Kozmaqi, qi lufton kundër turkut, e mulla Nura qe 30 vjet na lufton neve me ndihmën e Danish beut e pashallarëve të tjerë. Si i thuhet kësaj, vllazën?

Fjalët e Dan Blinajës kishin goditur si rrufe. Të gjithë kishin heshtur, ndërsa Ramë Kozmaqi vazhdonte ta pastronte pushkën e gjatë dhe shikonte  mendueshëm nga helli ku ishte pjekur dashi…

-Ai nuk e ka vendin në Lidhje, thotë Jani Çupi i nxitur prej fjalëve të urta të shokut të tij të armëve. Mirë e ka baca Dan, ti duhet t’ ishte n krye t’ Drenises, i drejtohet Jani,  Ramë Kozmaqit. Fjalët e tij i kishin miratuar të gjithë.

Ramë Kozmaqi nuk fliste. Në raste të tilla bashkëluftëtarët e dinin se ai aprovonte në heshtje, por nuk donte të aprovonte me zë, mbase nga inati.

-Nga Stambolli u kthye edhe Azem Efendiu i Malmirit, por atij nuk i dhanë asnjë post. Edhe pse asht ne mesin e ylemave me t’ naltë, qi jan krejt t rrall’ edhe n Prishtinë. Ai u la n’ nji katund t humbun, ndërlidhet në kuvendim, Ban Haliti, një tjetër pjesëtar i çetës.

-Ta marrim ma shtruet ket punë, thotë Ramë Kozmaqi, duke hetuar disponimin kundërshtues të bashkëluftëtarëve.  

-Nuk na takon neve me caktua vetveten në krye të nahisë, as më pak në Lidhje. Ket punë e ka ba Ymer Prizreni, e Sylejman Vokshi që janë prijësit tanë. Syla  asht komandari i përgjithshëm i forcave tona. Nuk është caktua kjo nga bajraqet apo nga fiset. Lufta jonë, tash asht e perbashket dhe ne kemi dhane bese se do t’i përmbahemi “sullit”, edhe pse me thanë drejt, mulla Nura nuk e ka vendin aty ku asht. E shohin nji ditë  edhe ata qi jane n’ krye, dhe me kohe ia bajnë qaren, thotë prijësi i komitës.

Sërish kishte marrë fjalën Dan Blinaja, njëri ndër komitët më të durueshëm dhe më të qetë, i cili iu kishte bashkuar çetës së Ramë Kozmaqit, për shkak se kishte rrahur taksidarin, që donte t’ia merrte dashin e vathës për të dhjetat,  që nuk kishte paguar.

-Nuk asht vetem mulla Nura n’ krye të Lidhjes, por edhe shumë mullaj te tjer’ në Shtime, n’ Ulpian, n Rahavec, në Vushtri e kudo. Në lidhje duhet me kanë vetem kundershtaret, vetem komita, ata nuk do ta tradhtojne Lidhjen. K‘ta qi jane kane dhe jane edhe me turkun, keta njanen  kambe e kan n’ Stamboll tjetren në Kosovë, ktyne nuk u besohet.

-Aman more shokë, ndërhyn sërish Ramë Kozmaqi dhe shton. Po edhe krentë  e Lidhjes me turkun ishin deri dje. Ata u banë karshi, sepse baba Dovleti po ia lëshon tokat tona serbit, junanit e cernagorit. Kjo asht Lidhja tash, ajo asht e t’ gjithve.

-Ku ishin kta, kur baballarët tanë luftuen kundër Jashar Pashës, ku ishin kta kur neve na dogjen e na poçen, sërish e merr fjalën Jani Çupi si gjithnjë i papërmbajtur.

-Kot po flasim vllazen thotë Ramë Kozmaqi. Kto punë tash nuk i kemi ne n’ dorë. Asht fat qi kemi nji pari te tanve, dhe asht fat qi tash per tash e kemi nderpre edhe gjakmarrjen. Tash po shkojme neper shpija, kur po dojme. Populli po ne jep bukë, pa na afron kanak. Jemi shume ma t’ lirë falë Lidhjes. Turkun kem me e largu nji dite dhe vet kemi me sundue vendin tone, kemi me pasun ushtrine tone, mejtepet tona, bajrakun tonë!…

Kontrolloni gjithashtu

Beqir Elshani: Simbolika në përrallat e Grimit

Sipas përrallave të vëllezërve Grim tregohet se mbretëresha në dimër ishte duke qëndisur pranë dritares …