Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Emërtimet e rrugëve, sidomos në fshatrat e Kosovës, janë pasqyrë e papërgjegjësisë e dështimit për të mos thënë total

Emërtimet e rrugëve, sidomos në fshatrat e Kosovës, janë pasqyrë e papërgjegjësisë e dështimit për të mos thënë total, sepse nuk është marrë për bazë asnjë kriter i mirëfilltë, në radhë të parë historik, por as  kombëtar. Janë vendosur shumë  emra të personave që nuk përfaqësojnë asnjë vlerë madje as të familjeve të tyre dhe janë lënë anash personalitete me rëndësi jo vetëm të fshatit e rajonit, por në disa raste edhe me përmasa kombëtare.

Një rast i anashkalimit të së kaluarës vërehet sidomos në fshatrat e Drenicës jugore që u përkasin disa komunave, si:  Shtime, Lypjan, Malishevë, Drenas, Therandë.

Kësaj radhe do të shqyrtoj emërtimet në fshatin Krojmir,  që i përket komunës së Lypjanit, ku janë bërë shkelje në radhë të parë nga mosdija, mos njohja, madje edhe mohimi i tërë së kaluarës, ndërsa dominojnë emërtimet të kohës së luftës së UÇK-së, të cilat edhe vlerësohen, por historia e fshatit e evidentuar që nga mesjeta e hershme, ka personalitete me rëndësi të rezistencës kombëtare, kulturore e shoqërore dhe nëse ata nuk emërtohen në vendlindjet e tyre, nuk kujtohen dot dhe harrohen nga pasardhësit.

Edhe pse janë botuar monografi, shkrime hulumtuese shkencore, anëtarëve të komisionit për propozim apo emërtim, as u ka shkuar në mendje se fshati ka histori, prej vitit 1322, kur përmendet për herë të parë, pastaj në regjistrimet turke të Vilajetit vëllk, të vitit 1455, në kryengritjen rajonale kundër Jashar Pashës, në kohën e Reformave të Tanzimatit, të vitit 1839  në Luftën e Carralevës të vitit 1910 me forcat e Isa Boletinit, në çetat e Azem Galicës e Adem Ilaz Reçakut, me rezistencën heroike të kullat e Bilall Hajdinit në vitin 1922 të Xhelë Demës  kundër forcave serbe ku pati shumë të vrarë e të plagosur, pastaj   me forcat e NDSH-së e deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila po kështu   ka një histori të organizmit e veprimit që në grupet e para, në gjysmën e parë të viteve 90-të.

Kjo histori nuk është e evidentuar në shkrime historike shkencore, është e dokumentuar dhe e faktuar, madje në vitin, 2007 është botuar monografia, “Ahmet Qeriqi Krojmiri 1455-1999”, pastaj  një vepër e dr. Ilaz Metajt si dhe shkrime e publikime të tjera.

Në këtë monografi janë evidentuar 43  të rënë prej vitit 1837 e deri në luftën e UÇK-së:  9 në kohën e Perandorisë Osmane, 18 në kohën e Serbisë monarkike nga viti 1913 deri në vitin 1941, 10 gjatë Luftës së Dytë Botërore nga radhët e NDSH-së dhe në brigadat partizane, 4 dëshmorë e 2 martirë në luftën e UÇK-së. Historisë së arsimit të këtij fshati i përket edhe Azem Ramë ef. Olluri ( 1825-1913)  një myderris, që kishte kryer studimet në Stamboll ku edhe kishte qëndruar rreth 20 vjet, por ishte kthyer në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe ka të dhëna se e kishte shpërndare edhe poemën e Vaso Pashë Shkodranit, “O moj Shqypni”. Në këtë fshat ka pasur edhe disa hoxhallarë të njohur, si Mulla Emin Miftari, 1888-1980, Mulla Hazir Meta 1912-1942, mulla Behxhet Olluri, 1897-1964, Mulla Azem Olluri, e të tjerë. Në mesin e personaliteteve të njohur kanë qenë edhe  Xheladin Rexhë Limani  1895-1937, Rrahim Rexhë Limani, 1920-1948, Xhavit Xheladin Rexha 1920-1977 e të tjerë.

Kjo begati e rezistencës, nëpër shekuj, nëse nuk vlerësohet nga vetë banorët e fshatit, kush do ta vlerësojë?.

Minimumi që mund të bëhet është emërtimi i një rrugëve, me emrat e  mbiemrat e tyre në fshatin ku kanë lindur.

Banorëve të lagjes Qeriqi, dua t iu bëj me dije me këtë rast se rruga prej shtëpisë ku ka qenë Shtabi i Batalionit, në të majtë e deri në vendin që quhet, Lajthishte, ku edhe jetojnë disa nga pasardhësit , do të emërtohet,  rruga, Emin Miftar Shema, një hoxhë atdhetar, pjesëmarrës në Luftën e Lumës në vitin 1913, i mobilizuar në radhët e Islam Spahisë,  bashkëveprimtar i Hasan Prishtinës, të cilit i kishte kryer detyra të caktuara, i përndjekur, i dënuar disa herë me burg dhe i maltretuar fizikisht sidomos në Aksionin për Grumbullimin e Armëve në dimrin e viteve 1955-1956.

Kontrolloni gjithashtu

Komandanti i ZOD, gjatë luftës, Sami Lushtaku, rrëfen momentet me komandantin. Ilaz Kodra, në 25-vjetorin e rënies së tij

Në 25-vjetorin e rënies së komandantit Ilaz Kodra, bashkëluftëtari i Ilaz Kodrës, Sami Lushtaku, ka …