Ahmet Qeriqi: Fillojmë të rregullojmë bunkerin afër tendës (E martë 4 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Fillojmë të rregullojmë bunkerin afër tendës (E martë 4 maj, 1999)

Këtu në tendë shkruaj, me shpresë se të paktën këto shkrime, (kjo kronikë) do të shpëtojë dhe do të jetë një dëshmi shkrimore për shumë ngjarje që kanë ndodhur prej fillimit të luftës.

Si zakonisht me Nezir Myrtjan përgatisim informata për emisionin e lajmeve. Nga Agjencia marrim vetëm tri katër informata të komentuara dhe të hartuara pa kujdes.

Martin Çuni është takuar me Habib Zogajn në Bjeshkët e Zatriqit. Popullata atje është  tejmase e rrezikuar. Nuk ka ujë të mjaftueshëm as për pije se lërë më për pastrim. Martini dhe Habibi kanë përgatitur një material të gjerë, njëlloj pasqyre të zhvillimit të disa ngjarjeve në zonën e Zatriqit të cilët e kemi transmetuar.

Valdet Hoti, i cili ka qenë së bashku me Martinin në zonën e Zatriqit, ka marrë me vete edhe dy djem të vëllait të vet Mentorin 18 vjeçar dhe Behxhetin 16 vjeçar. Disa anëtarë të familjes së Valdetit si dhe bashkëshortja e tij kanë depërtuar në Shqipëri. Mentori dhe Behxheti tani e tutje do të qëndrojnë së bashku me ne në tendë  meqë nuk kanë kah të shkojnë. Të dy janë të rinj, të shqetësuar dhe të brengosur.

Stafit tonë iu ka bashkuar edhe një ushtar nga Baica e Elshanit, i cili ditë më parë së bashku me shumë ushtarë të tjerë kanë depërtuar në Rrafshnaltë. Martini ka kontaktuar edhe më herët me të. Ai quhet Gazmend Elshani.

Stafi i radios tanimë është konsoliduar. Nuk kemi kurrfarë mosmarrëveshjes mes veti. Punojmë, angazhohemi dhe nuk jepemi edhe pse në kushte dhe rrethana tejet të rënda dhe në vazhdimësi të rrezikuar nga predhat e armikut.

Martini ka caktuar një vend afër tendës ku do ta rregullohet bunkeri, meqë kështu si jemi nuk kemi kurrëfarë mbrojtjeje përveç pozitës të cilën konsiderojmë se e kemi të mirë.

Rizahu  vazhdimisht na sjellë gjellën, por edhe bukë, meqë e di se nuk na mjafton sidomos tani kur jemi shumuar.

Emisionin ditor të lajmeve e kemi transmetuar me kohë, edhe pse kemi pasur mungesë të theksuar të informatave nga terreni…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në radhët e UÇK-së ka eprorë të lartë të Armatës së Shqipërisë, vullnetarë nga të gjitha viset e Shqipërisë etnike dhe nga mërgata (E mërkurë 12 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në radhët e UÇK-së ka eprorë të lartë të Armatës së Shqipërisë, vullnetarë nga të gjitha viset e Shqipërisë etnike dhe nga mërgata (E mërkurë 12 maj, 1999)

Sot në orën 8 të mëngjesit jam nisur në drejtim të Berishës. Sapo kam kaluar …