Ilir Sefaj

 Ilir Sefaj: Lufta si opsion!

Duhet të jesh më shumë se i krisur ta besosh se një ish-ministër i kasapit të Ballkanit, sot president i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në një ditë të bukur pranvere do të mund t’i drejtohej popullit serb: “Ja, pas më shumë se një çerek shekulli, ushtria jonë e lavdishme e riktheu territorin e saj të okupuar. Kosova dhe Metohia është dhe do të mbetet serbe”.
Se Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë do ta shikojnë shtrembër njëra-tjetrën edhe për një kohë të gjatë, e mbase edhe për dekada të tëra, nuk ka asnjë dilemë. Mirëpo, diskursi se në Kosovë do të nis një luftë e re, e në veçanti në realitetin aktual, është më shumë se i gënjeshtërt, për të mos thënë utopik. Me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në marsin e vitit 1999, dhe me dislokimin e forcave të KFOR-it në qershorin e po atij viti, ëndrra serbe për Kosovën ka marrë fund një herë e përgjithmonë. Kjo do të mbetet një e vërtetë e pandryshueshme dhe e pakontestueshme.
Diskursi për luftën si opsion, nga kushdo dhe prej ngado që vjen, është diskurs populist, dhe bëhet për qëllime elektorale. Në një shoqëri me mentalitet properëndimor kjo qasje e politikanëve, ku retorika luftënxitëse është arma më e fortë për ta fituar dhe mbajtur pushtetin, do të ndëshkohej, por në mentalitetin ballkanik frazat e tilla tingëllojnë si patriotike e që synojnë vigjilencën, dhe si të tilla duhet të merren si të mirëqena.
Kur themi “mentaliteti ballkanik”, në fakt ky term më shumë identifikohet me popullin serb, meqë përkundër gjakderdhjeve që shkaktoi regjimi i Beogradit në dekadën e fundit të shekullit që e lamë pas, votuesi serb nuk arriti të dalë nga lëvozhga e nacionalizmit, duke i mbajtur në pushtet pikërisht njerëzit që shkaktuan masakra e krime me përmasa gjenocidale në pothuajse tërë ish-Jugosllavinë.
Sidoqoftë, klika politike në Beograd është e bindur, madje edhe më shumë se unë që po i shkruaj këta rreshta, se opsioni për ta marrë me luftë Kosovën, që ajo e quan si territor përkohësisht të okupuar, është më shumë se demagogji dhe krejtësisht i pamundshëm, por meqë kjo qasje po ushqen mendjen e mykur të votuesit në Serbi dhe po gjen shtrirjen e saj, kjo klikë po e përdor si karrem për ta mbajtur pushtetin, duke e zhytur kështu qytetarin serb në vorbullën e gënjeshtrave që ushqen tash e shumë thellë në histori.
Qasja që ndjek presidenti serb Vuçiq karshi Kosovës si territor dhe pakicës serbe në vendin tonë duhet vrojtuar me shumë kujdes. Duke qenë i bindur se Kosova nuk bëhet serbe, ai përpiqet edhe që Kosova të mos bëhet “shqiptare”. Pra, pakica kombëtare serbe në Kosovë shantazhohet në vazhdimësi nga pushteti në Beograd për ta mbajtur këtë balancë, anipse edhe opsioni i bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm, sado që mbështetet në realitetin historik, është vështirë i realizueshëm në rrethanat aktuale.
Progresi i pandalshëm që po e karakterizon Republikën e Shqipërisë në veçanti në dy dekadat e fundit, ka bërë që diskursi për luftën në Kosovë, të jetë më i fuqishëm se kurrë në paraqitjet para opinionit të presidentit Vuçiq, dhe ky diskurs bëhet me qëllim që të frenohet bashkimi i shqiptarëve në një shtet të vetëm, edhe pse siç e thamë, vështirë e realizueshme në rrethanat aktuale, realiteteve historike ua kanë frikën gjithmonë politikanët fashistë.
Sidoqoftë, politikë-bërësit në Kosovë kujtoj që duhet sa më pak të flasin për luftën, por kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të fuqizohemi në aspektin e sigurisë kombëtare. Përkundrazi. Andaj, lufta nuk është opsion dhe kurdo dhe sa herë që flasim për të, me ose pavetëdije çojmë ujë në gurin e mullirit të presidentit serb që vetëm të këqija bluan për Republikën e Kosovës dhe për qytetarin e kësaj Republike.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …