Ahmet Qeriqi: Fillon sulmi serb kundër fshatrave Kizharekë, Nekoc, Baicë, Shalë e Krojmir. Makineria armike ka filluar depërtimin në tri drejtime (E shtunë 3 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Fillon sulmi serb kundër fshatrave Kizharekë, Nekoc, Baicë, Shalë e Krojmir. Makineria armike ka filluar depërtimin në tri drejtime (E shtunë 3 prill, 1999)

Herët në mëngjes filloi ofensiva serbe në Luginën e Drenicës. Forcat e motorizuara serbe kanë filluar granatimin nga pikëpozicionet e tyre në Komaran dhe te Çukat. Armata serbe po sulmon në dy drejtime. Njëra palë e motorizuar është nisur rrugës së Kamaranit në drejtim të Fushticës, Mirenës dhe të Risinovcit, ndërsa ekspedita tjetër nga Gryka e Llapushnikut në drejtim të Kizharekës e të Nekocit. Forcat ushtarake kanë depërtuar me shpejtësi deri në udhëkryqin Shalë Risinovc. Ushtarët tanë kanë zënë pozicione në hyrje të grykave. Sulmi është shumë i furishëm. Forcat serbe po përparojnë në terren duke goditur fshatrat nga distanca me armë të rënda dhe raketa tokë-tokë.

Popullata ka filluar të dyndet drejt Grykave. Janë me mijëra banorë në Krojmir, të cilët kanë mësyrë Grykën. Janë edhe mijëra të tjerë që kanë ardhur këtu nga zona të ndryshme. Nuk ka leje për të ikur në drejtim të Zborcit. Kësaj radhe, meqë serbët kanë filluar të masakrojnë deri ku arrijnë, nuk ka as përpjekje për të  ikur drejt fshatrave të Rrafshit.

Në orën 14.00 Epiri, Arbana, Rrezja, Zamiri, Zymryti, Labja, së bashku me Altinin, Qëndresën, Gresën dhe Sevdie Krasniqin nisen në drejtim të Grykës. Po ashtu janë nisur edhe fëmijët e Hasanit. Epiri paraprakisht e ka rregulluar tendën dhe ndërkohë atje i ka vendosur edhe rrobat e nevojshme. Në orën 15,00 ka filluar granatimi mbi Krojmirin dhe Pjetërshticën. Mijëra banorë po bëjnë përpjekje për të hyrë në Grykë, Rrugët jam mbushur përplot me kamionë dhe traktorë. Janë me mijëra veta që dynden. Disa traktorë kanë mbetur defekt. Rruga është e ngushtë. Fillimisht ushtarët tanë me ndihmën e popullatës i kanë mbartur 84 të plagosurit të cilët janë vendosur në tendën e madhe të Spitalit, e cila është ngritur ditë më parë në qendër të Grykës. Në Grykën e Shpëtimit është krijuar  rrëmujë por nuk ka rrezik nga arma armike sepse anën Veriore e mbron Grapi gjigand. Në dy anët e Grapit gurinor janë të barrikaduar ushtarët tanë të cilët me gulinovë e ruajnë hyrjen.

Zhvendosja e popullatës drejt Grykës së Shpëtimit, i tejkalon përfytyrimet tona lidhur me zhvendosjen biblike. Janë afër shtatë mijë e ndoshta edhe më shumë veta që kanë depërtuar ose janë duke depërtuar në Grykë. Një punë të palodhshme në këtë drejtim bëjnë Ramadan Rizani, Shyqri Iballi, Heset Hamdiu, Bajram Rizani, Vehbi Qeriqi dhe dhjetëra të tjerë të cilët janë përkujdesur për të plagosurit, për barërat, për grurin, miellin dhe krejt çka kemi këtu. Ushtarët tanë kanë zënë pozicionet dhe presin derisa të afrohet këmbësoria armike.

Në orën 16, të fundit nga lagja jemi larguar unë dhe Nezir Myrtaj. Kemi depërtuar nga rruga e Kronit dhe tutje kah Rizanët kemi hyrë në Grykë. Neziri ka marrë me vete një kompjuter Lop-top dhe një çantë. Duke kaluar mbi Gurrën e Gatë e hetoj një zgavër të madhe të lisit të ahut, ku e vendosim Lop-topin, meqë është i rëndë për ta bajtur dhe aktualisht nuk na hyn në punë. E shikoj mirë vendin dhe jam i sigurt se kurdo të kthehemi e gjej pa vështirësi.

Pasi ka dëgjuar për ofensivën, nga Shtimja është nisur edhe baba im, Aliu. Ai i ka kanë rrugëtuar këmbë disa orë dhe më në fund ka arritur në grykë. Familja e Isufit dhe nëna ime Xhevahirja janë në Rashincë, te nipat Ismajl, Hasan dhe Isa  Haxhiu.

Duke qenë se nuk arrijmë të depërtojmë nëpër rrugë, meqë rrugët janë ding të mbushura nga të gjitha anët me traktorë, rimorkio kamionë e qerre kuajsh, së bashku me Nezirin depërtojmë nga ana e malit.

Në mbrëmje arrijmë në tendë. Pak më vonë kanë ardhur edhe Martin Çuni dhe Nusret Pllana. Ata na bëjnë me dije se Berati me të tjerët ka ndaluar në një shtëpi në Karaçicë dhe mendon që sonte natën të ikë në drejtim të Zonës së Neredimës.

 Duke qenë se nuk kemi ku ta fusim kokën për ta kaluar natën, unë, Neziri, Martini dhe Nusreti depërtojmë në shtëpinë tonë në Krojmir, ku mendojmë të pushojmë deri në agim dhe pastaj pa u zbardhur sërish do të kthejmë në Grykën e Shpëtimit.

Hyrja në fshat është e siguruar nga ushtarët tanë. Trupat serbe kanë depërtuar deri në hyrje të Shalës. Nesër në mëngjes ata do të provojnë të nisen drejt nesh.

Sapo kemi arritur në shtëpi të gjithë kemi rënë të këputur nga lodhja.

Më vonë ka ardhur edhe Epiri së bashku me Agronin e Elez Durmishit për t`i tërhequr edhe disa rrobe dhe ushqime, të cilat i kanë ngarkuar në qerre.

Të gjithë kanë fjetur ndërsa unë edhe pse i lodhur nuk kam gjumë. Duhet të kujdestaroj meqë fare lehtë mund të ndodhin befasira.

Ndërkohë vjen Elez Durmishi dhe më tregon i gjithë plani i tërheqjes së popullatës është realizuar sipas parashikimit. Në fshat kanë mbetur vetëm dhjetëra ushtarë. Të tjerët kanë zënë pozicionet në anën e epërme të rrugës në drejtim të Shalës, nga ku pritet këmbësoria armike. Një njësi sulmuese me gulinov dhe një minahedhës është vendosur mbi Lagjen e karpuzëve, në hyrje të Krojmirit. Situata në Blinajë është e qetë, ndërsa në Carralevë nuk ka përpjekje të forcave armike për të na sulmuar. Elezi të gjitha këto raportime i bën duke e ditur se unë i shënoj të gjitha në kronikë. Ai thotë se ka tri ditë që nuk ka fjetur as edhe një minutë, por mbahet për mrekulli.

Taktika ushtarake që kanë përdorur Elezi, Naim Ismajli, Sylë Qeriqi e eprorë të tjerë të Batalionit tonë, ka bërë që deri tani të korrim sa e sa suksese, duke i ikur konfrontimit ballë për ballë me forcat armike, por duke e sulmuar  atje ku ata nuk e presin.

Depërtimi i suksesshëm i popullatës në Grykë dhe përforcimi i pikave drejt grykës, janë detyrat më të suksesshme që janë kryer gjatë tri ditëve të fundit. Kjo është meritë e disiplinës, solidarësisë dhe kompaktësisë që ekziston në radhët tona.

O zot, a thua a do t`ia dalim edhe kësaj radhe?

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Masakra, krime dhe marrje peng e popullatës civile nga forcat okupatore. (E martë 27 prill, 1999)

Sot sikur ka filluar të përmirësohet moti. Qysh në mëngjes janë ngritur aeroplanët e NATO-s …