Brickos

Ahmet Qeriqi: Forcat armike dhe bora po na ngushtojnë rrethin e veprimeve (17 mars, 1998)

Ahmet Qeriqi: Forcat armike dhe bora po na ngushtojnë rrethin e veprimeve (17 mars, 1998)

Nga era e shkundërmuar që mbrëmë e përfshiu Rrafshnaltën, sërish u prish moti. Borë ka rënë gjatë tërë ditës. Dimri i ashpër nuk po na lëshon dot edhe pse jemi në prag të pranverës. Çka do të ndodh me këtë popull fatkeq poqe se fillon ofensiva. Të gjitha shtigjet janë zënë, nga bora dhe nga armiku. Kemi në dispozicion këto gryka shkëmbore në të gjitha fshatrat prej Kizhareke deri në Pjetërshtëcë dhe nga ana perëndimore prej Arllati e Terpeze deri në Duhle. Në këtë territor tani për tani e ka ruajtur kompaktësinë territoriale Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Kohëve të fundit më kanë kapluar shumë shqetësime, e mbi të gjitha kam hallin e mijëra banorëve që nga shumica e zonave të luftimeve janë drejtuar në këtë pjesë të Drenicës. Kam frikë mos po ripërsëritet Srebernica e Bosnjës ku kriminelët serbë vranë, dogjën, asgjësuar e masakruan më shumë se tetë mijë myslimanë, të të gjitha moshave e gjinive. Serbët me siguri se janë në dijeni të dyndjes së popullatës në këto anë. Nuk kemi as bunkerë as strehimore për popullatën civile. Për këto punë na ka qortuar Tahir Sinani, por askush nuk i ka marrë seriozisht qortimet e tij.

Në kuadër të emisionit të sotëm tematik kam përgatitur një shënim për dëshmorin, Bedri Veli Shala, vëllai i Shaban Shalës. Emisionin e kemi përgatitur së bashku me Ismet Sopin i cili është mik shtëpie me Shaban Shalën. Pas shumë përpjekjeve kemi shkëputur disa efekte muzikore me nota lirike heroike, të cilat i akordojnë tekstit. Për të bërë përzgjedhjen e efekteve muzikore më ndihmon shumë Besnik Berisha. Ai shkëput disa fragmente. Për pjesën që përcaktohemi ai me Valdet Hotin e bëjnë montimin dhe shumëzimin e një efekti të tillë.

Kam përgatitur edhe një shënim tematik për legjendarin Adem Jashari, të cilin do ta incizojmë së shpejti.

Rreth orës 15.00 nga Prishtina ka ardhur Nezir Myrtaj. Ai, nuk ka pasur ndonjë problem gjatë rrugës. Meqë Neziri nuk lë asnjë punë keq, kam ndërmend që nesër të qëndroj dhe të pushoj në Krojmir.

Nisem si zakonisht për në Kizharekë. Atje takoj Ali Mullinin dhe Ali Durmishin, vëllai i Elezit. Pas një rrugëtimi mjaft të vështirë nëpër rrugën e zënë me dëborë, arrijmë në Krojmir. Në kohën kur po hyja në oborrin e shtëpisë, i takoj duke lozur me dëborë Altinin dhe Qëndresën. Sakaq m`u vërsulën që të dy të më përqafojnë, Më zunë ngushtë, meqë nuk isha kujtuar t iu blija ndonjë sheqerkë. Edhe pse të vegjël ata më kanë parë disa herë me Jakupin dhe e ndiejnë afërinë. Nga frika se mos po ftohen meqë ishin skuqur nga të ftohtit i çova në shtëpi, meqë tanimë kishte filluar të errësohej.

Në shtëpi si zakonisht i takoj bijtë dhe bijat. Epiri ka siguruar drunj për ngrohje. Edhe Hasani e ka marrë një traktor me drunj. Mixha Mehë po ashtu.

Natën vijnë për të biseduar Hashim Azem Olluri dhe Nazim Bllaca, “Gjeografi”…

(4 rreshta të koduar)

Pas një kohe vjen edhe Elez Durmishi, i cili zakonisht më njofton për zhvillimet ditore.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Gjatë tërë natës dhe paradite ka rënë shi pa ndërprerë. Binte sikur me rrëshek. Frushkujt …