Ahmet Qeriqi: Kultura e tolerancës fetare të shqiptarëve është një fenomen “sui generis” në historinë e qytetërimit

Toleranca dhe kultura fetare shqiptare, nuk kanë  të bëjnë me “harmoninë” mes feve, sepse fetë monoteiste nuk kanë harmoni mes veti, por kanë të bëjnë me  bashkëjetesë mbi parimet e reciprocitetet e të qytetarisë njerëzore.

Toleranca dhe kultura fetare e shqiptarëve, me apo pa qëllim, mendoj më shumë  nga mosdija po interpretohet si harmoni fetare e tyre. Në fakt, asnjë prej tri feve monoteiste, Hebraizmi, Krishterimi e Islami,  edhe pse janë fe të besimit në një Zot, kurrë nuk kanë pasur as kanë harmoni në aspektin fetar, meqë të tri fetë janë monoteiste dhe si të tilla partikulariste. Secila thirret në Zotin e vet dhe mohon kategorikisht fenë tjetër si fe të drejtë. Shembuj të tillë ka pasur ka dhe do të ketë, sepse ndryshe mëson krishterimi, krejt ndryshe e praktikon fenë Islami e po ashtu ndryshe hebraizmi, edhe pse të tria i referohen një Zoti të vetëm.

Kultura e tolerancës fetare ndër Shqiptarë është fenomen sui generis, në mesin e shqiptarëve, të cilët me gjithë respektin që kanë secili për fenë e vet, duke respektuar në radhë të parë, gjuhën gjakun dhe traditën e kombit, ata mbi këtë bazë, mbi këtë pozicion e  respektojnë fenë e secilit. Shqiptari mysliman ka respekt për shqiptarin katolik të gjakut të vet, por nuk besoj se ka respekt për katolikun francez apo spanjoll, vetëm sepse është katolik. Po ashtu shqiptari katolik ka respekt për shqiptarin mysliman, vëllanë e tij të gjakut e të gjuhës, por kjo nuk do të thotë se ai  ka respekt për turkun apo arabin e fesë myslimane. Shqiptarët, sidomos në Kosovë kanë respekt të shprehur për ortodoksët shqiptarë, që përfaqëson At Nikollë Marku, por as kanë pasur as kanë aspak respekt për greko-ortodoksët shqiptarë të Janullatosit.  

 

Kemi të bëjmë me kategori të caktuara brenda për brenda kombit dhe jo harmoni fetare, sepse ky fenomen nuk ekziston në botë. Nuk ka harmoni kategoria fetare si e tillë, përkundrazi ajo në bazament kundërshton çdo fe, çdo fe tjetër përveç fesë së vet. Megjithatë brenda parimeve bazë të feve monoteiste, feja islame, hebraizmin dhe krishterimin i pranon si fe hyjnore, fe të librave të shenjët dhe pranon Toren hebraike dhe Dhjatën e Vjetër e të re të krishterë.

Islami pranon Jezu Krishtin, por vetëm si profet, në mesin e profetëve të mëdhenj, Adem, Ibrahim, Musa, Muhamed.

Hebraizmi dhe krishterimi nuk e pranojnë Muhamedin si profet dhe Kuranin e pretendojnë si libër të devijuar.

Tradita hebraike nuk e pranon as trashëgiminë letrare të Besëlidhjes së Re dhe as të Kuranit.

Kultura e tolerancës fetare shqiptare, ka qenë dhe po mbetet fenomen tipik shqiptar, por vetëm përbrenda etnikumit, vetëm brenda për brenda shqiptarëve, kudo ku ata ndodhen, kudo ku gjallojnë në botën e krishterë, apo në atë islame. Kjo kulturë, ky bazament nuk ka të bëjë me shpërfilljen, apo blasfeminë fetare, sikur thonë disa të vetëquajtur analistë, nuk ka të bëjë as me trashëgiminë që  ka lënë në këtë mes periudha 50-vjeçare komuniste, por në radhë të parë ka të bëjë me kulturën e një kombi shumë të vjetër të  një bazamenti të qytetarisë  antike, që i lidh rrënjët mijëravjeçare të periudhës pagane.

Iluministi serb, Vuk Karaxhiq, del të ketë qenë njohës i mirë i jetës dhe traditës shqiptare, po aq sa ka qenë njohës i jetës, traditës, etikës  dhe psikologjisë të tyre serbi tjetër, piktori i madh, Paja Jovanoviq. Karaxhiq duke shkruar për kulturën e tolerancës fetare mes shqiptarëve, duke ekzagjeruar  ka shkruar: Ne Serbët duhet të marrim shembullin e shqiptarëve të cilët i përkasin – tri feve dhe e konsiderojnë njëri tjetrin bashkëkombës. Shqiptari mysliman i vret 10 turq për një shqiptar të krishterë, ndërsa shqiptari katolik i vret 10 italianë për një shqiptar mysliman apo orthodoks dhe po ashtu shqiptari orthodoks i vret 10 grekë për një shqiptar qoftë mysliman ose katolik. Kjo thënie iluministe pse jo edhe hipotetike, e iluministit serb Karaxhiq, dhe jo vetëm e këtij  vërteton  se ADN-ja e shqiptarëve ishte ndërtuar mbi principet e kombit dhe jo mbi ato të fesë. Po ashtu edhe kultura e tolerancës ka të bëjë përbrenda popullit, përbrenda kombit dhe jo jashtë tij.

Harmonia mes feve monoteiste nuk ekziston, por ekziston toleranca. Mjerisht, ekziston dis-harmonia, urrejtja, armiqësia, e cila për fatin tonë të keq tashmë ka dalë nga kontrolli dhe nuk dihet më a kemi të bëjmë me mes durim fetar, aspo dikush për e keqpërdor fenë, vetëm për qëllime dominimi dhe  ekspansioni në botë.

Përpjekja e çoroditur për ta paraqitur kulturën e tolerancës fetare si shpërfillje, apo si një ateizëm të llojit të vet, është përpjekje e mjerë  individuale dhe kjo nuk heq në kandar, por përpjekjet për ta paraqitur islamin si fe terroriste, janë të rrezikshme dhe nuk prodhojnë as më shumë as më pak sesa fërkim për terror.

Duhet të kuptohet një herë e mirë se në mesin e besimtarëve  tri feve monoteiste botërore ka pasur dhe do të ketë ekstreme, por për to nuk mund të fajësohet akëcila fe, madje as islami, as ata që në emër  të krishterimit themeluan gjyqin e Inkuizicionit dhe dogjën në turrë të druve qindra mijëra njerëz, që nuk e pranonin krishterimin, apo të paditeshin për herezi.

Ekstremet në këtë rast janë shprehje e prishjes së ekuilibrit fetar, janë interpretimet e verbra dhe fanatike të kodeve fetare, nganjëherë të nxjerra nga një kontest apo nga interpretimi ndryshe i një kodi. Po ashtu,  përvoja njerëzore për gjatë historisë 6 mijë vjeçare të besimit monoteist na ka treguar se mos durimi fetar ka shkaktuar tragjedi me përmasa katastrofale, sikur kanë qenë kryqëzatat, ndarja e krishterimit në vitin 1054, inkuizicioni,  ndjekja e të pafeve, ndjekja e hebraikëve sidomos në Evropë, invadimi i kalifateve, hakmarrja Perandorisë Osmane për kryqëzatat, për plot pesë shekuj, këto janë pjesë e realitetit historik, faktik, të cilin nuk arrijmë as ta fshehim, as ta injorojmë, sepse në botën tonë ende ka ende shumë porosi që pjellin nga këto zezona.

Kultura e tolerancës fetare ndër shqiptarë, pse jo fenomeni shqiptar ‘auto da fe” i këtij lloji, duhet të shpërfaqet sa më shumë në botë, jo si folklor fetar, jo si gjoja “shpërfillje” të secilit për fe të vet, por si një realitet faktik, historik, sidomos prej kohës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, shembullit të tij dhe të familjes së tij, me ortodoksë, katolikë e islamë. Ai nuk bëri, as predikoi dallime fetare, nuk i vrau turqit pse ishin islamë, por sepse ishin pushtues dhe shkatërrues të Atdheut dhe njerëzve të tij të gjuhës e të gjakut. Ai nuk kërkoi nga Hamza Kastrioti të rikonvertohet, nuk e kërkoi as nga bashkëluftëtari,  Hajdin Muzaka dhe nga askush tjetër.

Kjo histori shqiptare e pastër si loti, vëllazëria e njerëzve me fe të ndryshme, fenomeni i Besës ndër shqiptarë, ruajtja me fanatizëm të hebrenjve, që po shfaroseshin jo vetëm nga gjermanët, por edhe nga popujt e tjerë të Evropës, që patën mundësi t’ i strehojnë por nuk e bënë këtë, janë kode kryesore të qytetërimit shqiptar dhe kushdo që mendon se mund t’ i gërmojë apo t’i prish këto kode, e ka të kotë, sepse ato janë pjesë e gjakut, ADN-së tonë shpirtërore, memories historike shqiptare.  Mbi këto themele të forta shpirtërore po qëndrojnë shqiptarët edhe pse të ndarë në gjashtë shtete, edhe pse të keqtrajtuar ndër shekuj nga Evropa, edhe pse vrarë e të masakruar nga romakët, sllavët, turqit, serbët, bullgarët, grekët, italo-gjermanët dhe fashistët serbë të Milosheviqit.

Sa gjak, djersë e mund është derdhur  nëpër shekuj për t’ u ruajtur dhe për të mos u shfarosur nga gjithë këta, vetëm për ta ruajtur këtë identitet, këtë gjuhë, këtë traditë, këtë tolerancë, njerëzi, humanizëm, këtë shqiptari.

Kësaj digë të kombit nuk i bën dot asgjë, një ‘shoqatë’ mendje agraisurish, që mendojnë ta kthejnë prapa rrotën e historisë, as vendosja tinëz e ndonjë kryqi në varrezat e besimtarëve islamë, as përpjekja  e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ta  promovojë idenë, për të mos thënë donkishoteske,  gjithsesi idenë e pamundshme, në esencë eklektike, të  krijimit të një shteti sovran Bektashi brenda Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e këtij urdhri për paqen dhe tolerancën dhe në radhë të parë, duke anashkaluar Kushtetutën e vendit.

I gjithë dituri, Edi Rama,  nuk e di, ose shtiret se nuk e di,  se kemi të bëjmë me dy fe bazike, islamin, ku bëjnë  pjesë  bektashët si fraksion, dhe krishterimin bazik, me ortodoksë e katolikë.

Kemi një Bibël për ortodoksë e katolikë dhe një Kur-an për myslimanë, ku bëjnë pjesë edhe bektashët.  Është fatkeqësi e pafalshme mungesa e dijes elementare  mbi fetë, kur  thuhet se kemi katër fe. Kemi një fe të krishterë me ortodoksë e katolikë dhe një fe islame me sunitë dhe shiitë.

 Nuk begatohet toleranca fetare ndër shqiptarë me majorizimin e një pakice islame prej 4 për qind ndaj shumicës me 60  për qind, përkundrazi kjo çon në intolerancë.  Toleranca fetare nënkupton raportin e mirëbesimit dhe mirëkuptimit  mes feve e besimeve të ndryshme dhe jo mes fraksioneve të së njëjtës fe, ky është bazamenti i tolerancës dhe i harmonisë fetare ndër  shqiptarë, nëse i besojmë realitetit faktik, historik dhe jo imagjinatës së shfrenuar…

Ahmet Qeriqi

Përditësuar

  1. 10. 2024

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …