Ahmet Qeriqi: Mallkime, konstatime e krahasime të kumtuara nga Isma Zogiani-Shema 1900-1987 II

Ahmet Qeriqi: Mallkime, konstatime e krahasime të kumtuara nga Isma Zogiani-Shema 1900-1987 II

Mallkime, konstatime e krahasime të kumtuara nga Isma Zogiani-Shema  1900-1987 botuar nga autori në JETA E RE, Prishtinë 1971.

Gjyshja ime, Isma Zogiani-Shema, të cilën e kujtoj dhe kurrë nuk e harroj, edhe pse e pa arsimuar kishte mendim, gjykim dhe vlerësim të drejtë në qëndrimet e saj. Ishte trimëreshë, e drejtë por mbi të gjitha punëtore e pa epur, e pastër,  e edukuar fetarisht e kombëtarisht dhe mbi të gjitha ishte një edukatore e lindur.  E  ndiente,  dhe jo pak herë e shprehte padrejtësinë që i bëhej botës femërore nga kanuni,  regjimet e kohës dhe protestonte, kryesisht me heshtje, shpeshherë me mallkime, por edhe me urime e lavdërime, sipas rastit.

Mbaj mend kur në një ndejë të përbashkët familjare e kisha lexuar poezinë e Çajupit, ‘Fshati im’, të cilën e kishte dëgjuar me emocione të thella dhe më kishte kërkuar ta përsërisja, duke kërkuar qetësi maksimale nga të pranishmit.

-Zoti ne xhenet e pastë çue, po burrë i drejta paska kanë, kishte thënë e befasuar me poezinë.

-Anton e paska pasë emrin, kishte qesëndisur njëra nga bijat.

-Ashtu ka dashtë Perendija, të gjitha krijesat i ka falë ai. Pas pak m’ u drejtua me fjalët:

-Të pastë gjyshja o bir,  ai paska kanë burrë, rahmet i pastë shpirti sepse edhe atë Perendia e ka jeratisë. Këto vjet i kam kaluar dhe kurrë nuk kam dëgjuar që një burrë me folë aq drejtë për gratë e mjera… qysh ke ajo, Gruaja digjet ne diell…

Në vrojtimet e mia  kureshtare për të njohur botën, isha ndeshur edhe me disa veprime të pazakonshme të gjyshes. Ajo ngrihej pa lindur dielli dhe falej. Edhe kur ishte e sëmurë dhe dergjej në shtrat, po të kishte fuqi ngrihej, për ta parë diellin në lindje.

  -Nuk ka turp më të madh për njeriun e shëndoshë, që nuk ngrihet nga shtrati për ta parë diellin kur del, thoshte. Gjyshja nuk ishte e arsimuar, por dinte tëra lutjet dhe falte në pesë vaktet. Edhe pse fetare e përkushtuar, e cila falej  i ruante të paprekur edhe reliket e besimit të vjetër.

I respektonte rigorozisht dhe i përfillte të gjitha festat e traditës. Mbante ditët e kreshmes. Ndizte qirinj për shpirtrat e të vdekurve në Netët e Qirave, dhe nuk lejonte që degët e njoma të shelgut,  apo të barërave të futeshin në shtëpi para ditës së Shën Gjergjit. I ruante dhe e bekonte bagëtinë.

Besonte se rrotull nesh enden shpirtrat e ligj, të cilët sipas saj zinin vend atje ku nuk kishte pastërti. Nga do që shkonte fliste vet me veti dhe mbronte me fanatizëm të drejtën e saj. Ishte një grua tipike e një kohe që po perëndonte. Një krijesë krejtësisht origjinale e kohëve të kaluara, një krijesë që kishte mbijetuar në shekujt e kaluar sipas traditës popullore, dokesore dhe mjekësore. Sa herë i dhembte koka, merrte ushejzet te kroni dhe i nguliste në vendin e caktuar, derisa ato fryheshin me gjak…

Për herë të fundit,  jemi parë me gjyshen time, gjatë një vizitës me familjen, në pranverë të vitit 1984, në burgun e Gjurakovcit. Në ndarje me përqafoi, fortë  dhe ma dha hallallin, të cilin edhe ma kërkoi,  e bindur se nuk do të shihte më për së gjalli.

-Kisha vetëm 12 vjet kur shkiet ma vranë babën dhe mbeta vetëm me një vëlla katër vjeç.

Tash i kam të dyja shtëpitë plot. Ty, o bir, po të la në burg, por qëndro fort në të drejtën e në rrugën tënde… Gjyshja ka vdekur në tetor të vitit 1987, kur ndodhesha në Burgun e Novi Sadit…

 

 

Disa nga mallkimet dhe fjalë e urta të Isma Zogianit-Shema

 

 

Zoti mos baftë rahmet të trupin tand!

Zoti të marroftë e të harroftë!

Të vraftë reja prej së kthjellti!

Zoti të qoftë, ku bren miza hekur!

Të qofsha në Jemen!

Të qofsha ku kafja piqet në zall!

Të raftë damlla, (paraliza)!

Hangsh, gurë-goleshi!

Të qofsha n’ Deviq!

Të vraftë buka!

Të përvëloftë zjarri i dushmanit!

Të plastë damari  i lules bë ballit!

Shkofsh, e kurrë mos i kthefsh!

Të qofsha në fund të dynjasë!

Uh poturi i dreqit!

 

 

Konstatime, harmoni e kundërshtime

 

Amë i bi, sheqer n’ tepsi.

Re e vjehërr, kasoj e zehër.

Motër e vëlla, lum ai që i ka.

Babë e bir, her keq her mirë.

Nanë e djalë, herë mirë herë mbarë.

Babë e bijë, mjaltë në sini.

 

Ding e dang, bukë e lang,

Nis e sos bukë e kos.

 

Me t za dielli n’ shtrat,  ki me kanë i ngratë.

Asht marre me t’ za n’ shtrat,  rrezja e diellit.

Dikujt zoti ia ka shkrue me vuajt tanë jetën.

 

 

Fjalë të urta

 

Furka për gra, shpata për burra.

Reja  e ka vendin te magjja, e te djepi,  plaka te oxhaku e te gazepi.

T’ kallëzon fëmija, çka ka shtëpia.

Mali ka vesh, fusha ka sy.

( Në mal nuk të shohin, po të dëgjojnë kur flet, në fushë të shohin por nuk të dëgjojnë)

Po ja bane  gjatë natës  gropën njeriut të drejtë, bjen vet në të, në pikë të ditës.

Ku thonë se ka dredhëza shumë, merre krojshen (shportën ) e vogël.

 

  1. 8. 2024

Shtime

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …