KEK
Fillimi / Analiza / Ahmet Qeriqi: Më 26 mars dhe 1. 2 e 3 prill të vitit 1981 u kërkua Republikë-Kushtetutë…dhe jo Vetëvendosje Kushtetutë…
Osman Osmani: Në 37 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 për Republikë e Vetëvendosje

Ahmet Qeriqi: Më 26 mars dhe 1. 2 e 3 prill të vitit 1981 u kërkua Republikë-Kushtetutë…dhe jo Vetëvendosje Kushtetutë…

Më 26 mars të vitit 1981, në Prishtinë, u zhvilluan demonstratat e dyta të studentëve me kërkesë për Kosovën Republikë. Atë ditë njësitë speciale të federatës jugosllave, të cilat ishin dislokuar në Kosovës, me lejen dhe aprovimin edhe të klasës politike të Krahinës Autonome të Kosovës, kanë keqtrajtuar fizikisht qindra studentë e studente shqiptare, sidomos në Konviktin numër 3 të Studentëve, në Prishtinë. Atë ditë, nëpër qendër të Prishtinës parakalonte Stafeta e Titos, një manifestim tradicional, që nga viti në vit përpiqej të mbante gjallë të ashtuquajturin patriotizëm jugosllav me figurën e Titos, edhe pse ai kishte vdekur një vit më parë.

Ndeshja e ashpër kishte ndodhur mes studentëve protestues, të cilët përpiqeshin të depërtonin në qendrën e qytetit për ta prishur ceremoninë zyrtare të Stafetës, dhe kordonëve të panumërta të Milicisë federative dhe krahinore, e cila kishte mobilizuar mijëra forca, me qëllim të sigurimit të manifestimit gjithë jugosllav.

Dita e 26 Marsit të vitit 1981, paralajmëronte jo vetëm eskalimin e situatës, sikur thuhej asokohe, por fillimin e një kryengritjeje gjithë popullore që u manifestua më  1. 2 dhe 3 prill të vitit 1981 dhe që kulmoi në fshatin, Besi të Prishtinës me çarmatosjen e njësive rezerviste serbe nga protestuesit e organizuar, të cilët kishin bllokuar hyrjen e forcave ushtarake e policore dhe që  gjatë tërë asaj dite kishin pamundësuar qarkullimin e tyre, në drejtim të Prishtinës.

Po ashtu ata kishin çarmatosur njësitë rezerviste dhe u kishin rrëmbyer qindra armë automatike, municion dhe pajisje të tjera luftarake. Pjesëtarë të grupeve të armatosura në Besi më 3 prill kishin zbrazur rafalë kundër një helikopteri ushtarak, i cili përcillte zhvillimin e situatës, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Nga shpërthimi i tillë i kryengritjes, Federata Jugosllave kishte shpallur shtetrrethimin në tërë territorin e Kosovës prej 2 deri më 18 prill, me ç’ rast kishte dislokuar forca të shumta ushtarake e policore dhe kishte filluar represionin masiv mbi popullatën liridashëse.

Federata kishte arritur në përfundim se në Kosovë kishte ndodhur një kundërrevolucion, që do të thoshte një kryengritje popullore e shqiptarëve, të cilët kërkonin edhe ndërrimin e Kushtetutës së ish-RSFJ-së me shpalljen e Kosovës Republikë të shtatë, në të cilën do të përfshiheshin të gjithë shqiptarët e Kosovës, Kosovës Lindore, Maqedonisë e Malit të Zi, të cilët ishin të shpërndarë në tri republika dhe një krahinë autonome.

Sot, 40 vjet pas fillimit të kësaj kryengritjeje, ajo periudhë e hovshme dhe revolucionare e  rizgjimit kombëtar, ende përshkruhet si “pranverë shqiptare”, si “protestë paqësore”, edhe pse ato i përgjaku regjimi okupator, as kishin qenë paqësore as ishte çliruar Kosova me pacifizmin paqësor të Ibrahim Rugovës dhe përkrahësve të tij.

Ajo periudhë e lavdishme e historisë së rezistencës shpeshherë edhe modifikohet në kuptimin letrar si, “Pranverë studentore”, edhe pse dihej dhe dihet botërisht se në atë kryengritje kishin marrë pjesë qindra mijëra shqiptarë, punëtorë, fshatarë, nxënës, mësimdhënës, intelektualë, pjesëtarë të lëvizjeve të fshehta atdhetare dhe jo vetëm studentë, pa mohuar për asnjë çast rolin dhe angazhimin e tyre primar në gatimin e “brumit” të kryengritjes.

Në këtë 40 vjetor, segmente të politizuar të shoqatave e organizatave të ndryshme, me rastin e vendosje  së gurë themelit të një përkujtimoreje fizike për Marsin dhe Prillin e vitit 1981, në ambientet para  Mensës së Studentëve,  kanë manipuluar edhe kërkesën programatike historike të kohës:  Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë” duke e politizuar në mënyrë të palejueshme  me “Vetëvendosje-Kushtetutë ja me hatër, ja me luftë”, pa marrë pëlqimin e shumicës dërrmuese të të burgosurve politikë, më vonë luftëtarë në radhët e UÇK-së, por vetëm të atyre që janë bërë pjesë politike e Vetëvendosjes së Albin Kurtit.

Këtyre shoqatave e organizatave as u ka shkuar, as u shkon në mend të shënojnë vendin e Barrikadës së parë në Besi, vendosur më 2 prill të vitit 1981, apo të vendosin qoftë edhe një pllakat të thjeshtë në oborrin e Kullës së Tahir Mehës e Nebih Mehës, ku me 13 maj të vitit 1981 u zhvilluan luftime të përgjakshme mes ushtrisë e milicisë serbe dhe qëndestarëve historikë të Drenicës, gjithnjë kryengritëse dhe ku kishte marrë kuptimin definitiv kërkesa e drejtë dhe e patjetërsueshme: Republikë-Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë.

Tahir e Nebih Meha, me gjakun e tyre kishin bërë realitet luftën e armatosur kundër pushtuesit serb, dhe me rastin e varrimit të trupave të tyre, Shaban Jashari me bijtë Hamëz dhe Adem Jasharin, ishin betuar për vazhdimin e rrugës, me luftë, nëse “hatri” shpërfillet, stërkeqet  e nëpërkëmbët, sikur edhe ishte nëpërkëmbur për shumë vite.

Më 26 mars  dhe 1. 2 e 3 prill të vitit 1981 u kërkua Republikë-Kushtetutë…dhe jo Vetëvendosje Kushtetutë…

Pavarësisht përpjekjeve të politikave ditore, të politikanëve mujsharë dhe të papërgjegjshëm, historia nuk mund të mohohet, nuk guxon të modifikohet sipas kërkesave të papërgjegjshme, që janë pjellë e mendjeve të pacifikuara, të cilët edhe luftën heroike të UÇK-së kundër Serbisë e quajnë konflikt serbo-shqiptar, vetëm sepse nuk kanë marrë pjesë në luftë, por kanë ikur nga Kosova për në Shqipëri,  dhe nga atje, në Tiranë, pas luftës e gjakut të derdhur rrëke për liri,  i kishin ndarë postet dhe kishin arritur të formonin institucionet e Qeverisë së Përkohshme, duke përjashtuar pjesën militante  të çlirimit të Kosovës.

Përpjekjet për manipulim të ngjarjeve të historisë, janë trajtuar dhe përgjithmonë do të trajtohen si  përpjekje antikombëtare, pavarësisht kush i ideon, kush i  mbështet dhe kush i manipulon për qëllime të përfitimeve e favoreve politike.

Kërkesa: Republikë-Kushtetutë…dhe jo Vetëvendosje Kushtetutë… ka jehuar anë e mbanë trojeve të pushtuara shqiptare, si plebishit mbarëkombëtar dhe është bërë realitet me luftë, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Filozofia e mjerë eklektike e përpjekjeve të pajtimit të ideve të papajtueshme, nuk prodhon asgjë më shumë sesa një përpjekje koti…

  1. 3. 2021

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Bahri Bivolaku

Bahri Bivolaku: Dy kauzat dhe një qëllim – Pushteti!

Qeveria e drejtuar nga Kurti, do ta kalojë Zajednicën me pushtet ekzekutiv po sikur kryeministri ...