Ahmet Qeriqi: Mosmarrëveshje të reja për problemet e vjetra (18 shkurt, 1999)

Ahmet Qeriqi: Mosmarrëveshje të reja për problemet e vjetra (18 shkurt, 1999)

Biseda e mbrëmshme rreth Shyqri Galicës ka vazhduar edhe në mëngjes.

I siguroj kolegët e mi, në mesin e tyre edhe disa mjeranë, se Shyqa i mirë apo i keq edhe ashtu  nuk e ka ndërmend të na bashkohet. Shpreh edhe mendimin tim se për një gabim të tillë të Shyqës as do ta kisha marrë në konsideratë, meqë ai është kuadër që e njeh më mirë natyrën e punës se sa shumica prej nesh, duke mos e përjashtuar as vetveten. Më habitë vetëm fakti përse krejt kjo hallakamë e panevojshme rreth një intelektuali. Përse gjuajmë këso pika të zeza në një kohë kur kjo më së paku na duhet. Pikërisht për këso veprimesh të pamatura e kemi larguar nga puna profesoreshën, Ajete Zogaj.

Dhe, në kohën kur Shyqa dhe Agim Berisha kishin ardhur për t`u përshëndetur me ne, të gjithë përshëndetemi, madje ata që e kishin quajtur hamam doktor përqafohen me të. Çfarë hipokrizie!

Stafi i Radios dhe i Agjencisë tani numëron 12 veta të angazhuar në punë të ndryshme. Nuk jemi pak po të kishte rregull dhe po të respektonim radhën e punëve. Mirëpo kjo nuk ndodh vetvetiu, ndërsa imponimet, paragjykimet, fjalët e thashethëmet po na dëmtojnë.

Sot Ismet Sopi nuk pranoi t`i lexojë lajmet për shkak të një dueli verbal që ka pasur me Nusretin dhe Beratin rreth leximit. Nusreti ka një xhelozi krejtësisht të sëmurë nëse në radio dëgjon ndonjë zë tjetër. Ai përngjet me njeriun që po ia dhe gishtin ta merr dorën dhe më nuk të shqitet. Të gjithë e dimë se Nusreti lexon mirë, madje shumë mirë mirëpo jemi në kushte dhe rrethana lufte dhe asnjë dëgjuesi në Kosovë nuk i intereson zëri i spikerit, por lajmet dhe përmbajtja e tyre. Këtë e dinë të gjithë.

Jam munduar ta bind Ismetin se është në të mirë të Radios angazhimi i tij në leximin e informatave duke i dhënë të kuptojë se tek e fundit edhe pa Nusret Pllanën mund ta mbajmë radion. Nusreti është ekonomist dhe orientimi i tij ka qenë të punojë në sektorin e ekonomisë e të financave. Nëse ai vazhdon kështu mund të vie edhe deri te ndërprerja e transmetimit dhe rishqyrtimi i tërë anëtarëve të stafit. Ismet Sopi është një kuadër i fortë i luftës. Ai ka mbajtur dhjetë vjet burg për veprimtari atdhetare anijugosllave. Po ashtu nga Komanda e Brigadës 121 është caktuar edhe reporter në RTSH. Ismeti në radhët e UÇK-së i ka edhe vëllezërit dhe kushërinjtë. Mirëpo ai ka një natyrë tejet shoqërore dhe nuk imponohet në asnjë moment.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Masakra, krime dhe marrje peng e popullatës civile nga forcat okupatore. (E martë 27 prill, 1999)

Sot sikur ka filluar të përmirësohet moti. Qysh në mëngjes janë ngritur aeroplanët e NATO-s …