Ahmet Qeriqi: Në periferi të zonës së luftimeve (Krojmir-Shalë 29 maj, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në periferi të zonës së luftimeve (Krojmir-Shalë 29 maj, 1998)

Fshatarët e Krojmirit dhe fshatrave të Drenicës jugore u zgjuan më herët se zakonisht, meqë qysh në orët e hershme, sapo zbardhi drita u dëgjuan detonimet e fuqishme drejt Grykës së Llapushnikut dhe vendeve të tjera përreth.

Natën e kam kaluar në odën e Sylë Qeriqit, një kushëri imi që jeton në Krojmir, por qysh moti mban lidhje me kreun e luftës çlirimtare në Drenicë. Në mëngjes,  Syla duket tejet i shqetësuar dhe pa humbur kohë largohet në drejtim të panjohur. Ai së bashku me Elez Durmishin, Jetë Hasanin e luftëtarë  të tjerë të UÇK-së, mban kontakte me bashkëluftëtarë të tjerë dhe kohë pas kohe depërton në zonat e luftimeve.

Nisem në drejtim të Shalës. Te shitorja e Nazmiut vërej tre traktorë të mbushur me gra, fëmijë e burra të moshuar, të cilët dynden nga zona e luftimeve në rrethin e Komaranit në drejtim të Pjetërshticës. Pak më tutje  takoj Idriz Rexhepin, Brahim Ollurin, Nazmi Durmishin dhe disa bashkëfshatarë.

Pasi përshëndetemi, ata tregojnë se forcat serbe po përgatitën të depërtojnë nëpër Grykën e Llapushnikut. Në pamundësi për të depërtuar nëpër Grykë, të cilën qysh nga  nëntë maji e kanë zënë ushtarët tanë çlirimtarë, serbët kanë filluar granatimin e fshatrave përreth Grykës, me qëllim të largimit të popullatës nga shtëpitë e tyre.

Vazhdoj rrugën në drejtim të Shalës…

“Te Mullini i Katundit”, ishin tubuar shumë krojmiras, që sodisin të tronditur dyndjen e popullatës të zonës së përfshirë në luftime, drejt fshatrave tona. Në mesin e tyre vërej hoxhën, Jakup Behxhetin, i cili po ashtu duket i hutuar dhe vazhdimisht shikon drejt vendit ku dëgjohen detonimet e fuqishme të topave dhe tankeve të armikut.

Vazhdoj këmbë drejt Shalës. Traktorët dhe veturat me të zhvendosur nuk kanë të ndalur. Hetoj fëmijë e gra me vështrim të tmerruar nga frika. Kanë ikur kush si ka mundur. Dikush ka ngarkuar edhe rroba, dikush tjetër nuk ka pasur mundësi të marrë asgjë. Disa fëmijë ecin këmbë pas qerreve. Ata i tregojnë njëri tjetrit se si kanë ikur dhe si i kanë shpëtuar zjarrit të armëve  të policisë dhe të ushtrisë serbe.

Pak më tutje, një veturë e mbushur ding, e cila anohet dhe mezi lëviz. Tutje kah Gryka e Llapushnikut vërehet tymi. Nga postblloku i Komaranit, forcat serbe granatojnë fshatrat përreth, me qëllim të pastrimit të  terrenit, për të depërtuar më pas në drejtim të Grykës.

Pas   gjysmë orë  udhëtimi mbërrij në Shalë. Disa të rinj kishin bërë gati traktorët për të filluar meremetimin e rrugës Shalë-Kleçkë. Sapo ka filluar një shi i imtë, ndërsa traktorët me fshatarë të zhvendosur nga fshatrat rreth Komaranit nuk ndalojnë as për një çast. Zëra fëmijësh të trishtuar. Gra e nuse të reja, burra të moshuar, ikin drejt jugut, të pasigurt për ndonjë qëndrim të gjatë.

Në Shalë qysh nga muaji mars janë strehuar shumë të zhvendosur nga Llausha, nga Rezalla e fshatra të tjera që janë përfshirë me zjarrin e luftimeve..

Hyj në odën e mikut tim, Vehbi Shamolli. Ai është një burrë i urtë dhe mikpritës i cili mundohet ta fshehë shqetësimin dhe frikën. Edhe pse ka kaluar një jetë tejet të rëndë, ai nuk jepet. Sado që shprehë rezervë për të gjitha sa po ndodhin, duke e ditur qëndrimin tim këmbëngulës dhe duke besuar se  jam në radhët e luftës, ai tregohet i matur me të gjitha, por edhe tregohet  i vendosur për t’i përballuar sfidat.

Pas pak në odë hyn Ademi, djali dyzet e pesë vjeçar i Vehbiut i cili shpjegon se për shkak të dyndjes së madhe të popullatës dhe ndihmës që po iu ofrojnë shaljanët, ishte ndërprerë përkohësisht meremetimi i rrugës që çon drejt Rrafshnaltës.

Në orët e pas ditës, nisem në drejtim të Carralevës, me qëllim që ta takoj Reshat Gashin i cili nga Shoqata e të Burgosurve duhet të sjellë vaj për kuzhinën e ushtarëve në Nekoc, si dhe një piston të hidraulikut të kamionit. Reshatin. me mikun e tij e takoj në rrugë. Ai më tregon se ka kaluar nëpër Shtime pa u hetuar, pasi që më parë kishte dredhuar rrugën në Magurë, ku është stacionuar një postbllok policor.

Në mbrëmje pasi errësohet kam shkuar në Shtime.

Qëndrimi im i mëtejmë ilegal është me rreziqe.

Sado që kam kujdes në të gjitha lëvizjet, këtu përreth, disa nga fqinjët mbajnë kontakte me policinë dhe lajmërojnë për vajtje ardhjet e mia.

Më mbanë shpresa se nën katin përdhes të shtëpisë, ndodhet strehimorja për të cilën di vetëm baba dhe unë. Jam më se i sigurt se në atë vend nuk mund të më zbulojnë, ashtu sikur nuk e kishin strehuar as strehimoren në Krojmir e në Shtime në vitet 1981-1982, gjatë kohës së arratisë.

Në strehimore kam pushkën klasike franceze, të cilën e kam blerë në vitin 1979 nga Sabit…. I përcjell me vëmendje të gjitha lëvizjet dhe zgjohem herët në mëngjes meqë pikërisht në atë kohë mund të më befasojnë në ndonjë rrethim të papritur.

Në Shtime nuk mund të qëndroj gjatë, por si t` ia bëj me  anëtarët e tjerë të familjes. Ata mund të rrezikohen nga denoncuesit, sapo të hetohet se unë nuk ndodhem në shtëpi.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Probleme të shumta dhe të papritura (E hënë 22 qershor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Probleme të shumta dhe të papritura (E hënë 22 qershor, 1998)

Jam zgjuar si zakonisht, i lodhur nga pagjumësia. Në odën e Vehbiut që ndodhet afër …