Ahmet Qeriqi: Programin ditor të Radios e begatojmë edhe me poezi atdhetare të Gjergj Fishtës (E shtunë 29 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Programin ditor të Radios e begatojmë edhe me poezi atdhetare të Gjergj Fishtës (E shtunë 29 maj, 1999)

Në orën 8 të mëngjesit në tendë ka ardhur Fatmir Dugolli. Pa vonuar jemi nisur për në Berishë. Fatmiri ka ngarkuar mbi supe një shportë me ushqime që i kanë përgatitur bijat dhe Zymrytja, pastaj disa pako të vogla me margarinë dhe konzerva të cilat i kanë rezervuar për stafin e Radios Besim Gashi dhe Shyqri Iballi. Edhe pse është një barrë e rëndë, Fatmir Dugolli një djalë i ri e  shtathedhur i hedh mbi supe dhe bëjmë tutje. Sapo kemi dalë në Lezhë kemi marrë rrugë në anën veriore kah Shullani nëpër hijen e ahishtës, meqë sot ka mbajtur ditë me diell. Në dalje të Kleçkës kemi takuar komandant Topin. Ai e ndalon xhipin dhe futemi brenda. Të paktën dy tri kilometra e shkurtojmë rrugën. Haxhiut i jap disa krofne, edhe pse ai thotë se ka ngrënë bukë. Nga fytyra e hetoj se është i uritur, por nuk jepet. Pasi  ha disa, më thotë se kurrë nuk ka ngrënë krofne më të shijshme. E kuptoj se nuk janë krofnet edhe aq të shijshme, por është uria të cilën ai si duket nuk e heton, apo nuk ka fare mundësi të mendojë për bukë.

Haxhi Shala është ditë e natë në mesin e ushtarëve, sa në Shtab sa në front. Xhipi i tij nuk ndalet edhe pse me dhjetëra herë është marrë në shenjë nga forcat serbe.

Aeroplanët e NATO-s, edhe sot janë lëshuar në veprim. Një tym i zi përhapet në drejtim të Komoranit.

Në tendën tonë në Rreze të Baliqit kemi takuar të gjithë shokët.

Martini ka siguruar një kasetë me recitime të Reshat Arbanës. Janë disa nga poezitë më të njohura të Gjergj Fishtës. Përditë e emetojmë nga një poezi dhe nga disa këngë patriotike, përveç lajmeve dhe komenteve të cilat  shkruan me shumë kujdes Nezir Myrtaj. Nusret Pllana aq është përkushtuar pas leximit të komenteve, saqë edhe në gjumë i përsëritë. Madje i përsëritë me zë dhe na nxjerrë gjumin. Shpesh mendojmë mos është zgjuar…

Në orët e pas ditës forcat serbe të pozicionuara në Kizharekë kanë granatuar në drejtim të Pallanikut. Herë-herë kanë goditur edhe nga baza tankiste në Komaran. Pavarësisht nga luftimet, ne e kemi transmetuar programin si gjithnjë drejtpërdrejt nga studio Bunkeri në majën e Pallanikut.

Në orët e mbrëmjes aeroplanët e NATO-s  disa herë kanë goditur edhe në brendi të Blinajës. Nuk kemi të dhëna se a kanë goditur  ndonjë njësi tankiste apo iu ka shkuar huq. Është me rëndësi fakti se pilotët e NATO-s e kanë identifikuar përqendrimin serb atje. Kjo më bën të shpresoj se në kushte të tilla forcat serbe nuk do të mund të konsolidohen për të ndërmarrë ndonjë sulm të përgjithshëm kundër, Grykës së Shpëtimit.

Jeta në tendë tanimë është bërë e rëndomtë. Duket sikur kemi lindur dhe jemi rritur në këto kreshta malore. Dielli ka filluar të na nxiros. Te të gjithë vërehet lodhja, por jo molisja. Fytyrat na duken disi si të shtanguara nga pagjumësia. Edhe pse nuk kemi uri në kuptimin klasik të fjalës, qysh moti kam hetuar se asnjëri në asnjë racion gjatë muajve të fundit nuk është ngopur. Megjithatë, askush nuk e diskuton këtë punë. Jemi në luftë dhe mjafton që asnjë ditë nuk kemi mbetur të paktën pa një racion bukë..

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Lajmet që po përhapen nga terreni, bëjnë të ditur se në të gjitha vijat e …